Rexhepi reagon ndaj ministrit Demo Berisha për deklaratat në Bujanoc
RTKLive
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka bërë kundër-reagim ndaj ministrit Demo Berisha për deklaratat në Bujanoc.
Rexhepi ka thënë se deklaratat e ministrit Demo Berisha më 23 shtator në Bujanoc për “tejkalimin e Planit 7 Pikësh” janë vlerësuar si diversion politik dhe përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga dështimi i Serbisë për të zbatuar obligimet ndërkombëtare.
Plani 7 Pikësh konsiderohet dokumenti i vetëm legjitim, pasi:
• U miratua nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës në mars 2013,
• U përkrah dhe nënshkrua nga të gjitha partitë politike shqiptare,
• U aprovua nga Qeveria e Serbisë më 4 qershor 2013,
• U garantua nga OSBE, BE, KiE, SHBA, Britania, Gjermania, Franca, Belgjika dhe “Miqtë e Jugut”.
Sipas tij megjithëkëtë, për 12 vite me radhë Serbia nuk e ka zbatuar këtë marrëveshje. Edhe Plani Aksional për Integrimin e Shqiptarëve 2023–2026, i mbështetur nga BE dhe Këshilli i Evropës, mbetet i pazbatuar.
Tutje ai ka shkruar se çdo deklaratë për “dokumente të reja” vlerësohet si përpjekje për të shtyrë zbatimin e obligimeve ekzistuese dhe për të shërbyer si vegël e Beogradit. Dokumenti “10 pika” cilësohet i papranueshëm sepse: Nuk është miratuar nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë, nuk është koordinuar me Kosovën dhe Shqipërinë, nuk ka asnjë mbështetje ndërkombëtare.
"Takimet e 23 shtatorit me përfaqësues të vetëshpallur të shoqërisë civile konsiderohen si vazhdimësi e propagandës së Beogradit, duke injoruar çështje të rëndësishme si: Pasivizimi i adresave, moszbatimi i Planit 7 Pikësh dhe Planit Aksional 2023–2026, bllokimi i fondeve për fermerët shqiptarë, ku mbi 900 prej tyre janë lënë pa mbështetje", tha ai.
Në këtë kundërreagim thuhet se përfaqësimi i vërtetë dhe legjitim i shqiptarëve të Luginës qëndron vetëm te Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar, ndërsa zyrtarët si Demo Berisha, Aleksandar Martinoviq dhe Nenad Mitroviq cilësohen si zbatues të strategjisë së partisë-shtet të Vuçiqit.
Në mesazhin përmbyllës theksohet se "Koha e mashtrimeve politike ka mbaruar. Koha e dokumenteve boshe ka mbaruar. Serbia duhet të fillojë menjëherë zbatimin e Planit 7 Pikësh dhe Planit Aksional".























