Përkrahën publikisht veprimet e ISIS-it, aktakuzë ndaj dy personave
BKT
Lajme

Përkrahën publikisht veprimet e ISIS-it, aktakuzë ndaj dy personave

V.S|RTKlive

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër D.B dhe E.B për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. Të pandehurit, sipas Prokurorisë Speciale, akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, duke propaganduar ideologji ekstreme fetare dhe duke përkrahur publikisht veprimet e organizatës terroriste, ISIS.

Sipas aktakuzës, së Speciales, D.B dhe E.B., përmes rrjetit social “Facebook” dhe “Tik –Tok” , kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse, me thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad.      

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë vendosur flamuj të ISIS-it mbi kulmin e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafite me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, me të cilat veprime potencialisht mund të prishet rendi publik. D.B., sipas provave ka qenë refuzues ndaj të gjithëve që nuk e praktikojnë fenë sipas mënyrës së tij, dhe ka postuar e shpërndarë materiale me gjuhë fyese ndaj shumicës së hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale për aktakuzën në fjalë.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë sipas ligjeve në fuqi, dhe t’iu vazhdohet masa e paraburgimit ndaj D.B. dhe ajo e arrestit shtëpiak ndaj E.B.


MË SHUME NGA Lajme