AIP: Mediat të respektojnë privatësinë në raste tragjike
Sh.Ç|RTKlive
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka reaguar pas publikimeve të fundit lidhur me një ngjarje tragjike ku një familje nga Kosova ka humbur një të afërm në një aksident të rëndë.
Agjencia i bënë thirrje publike të gjitha mediave për reflektim dhe respektim të privatësisë dhe të dhënave personale të qytetarëve.
"Është vërejtur se disa media kanë transmetuar pamje të ngjarjes si dhe reagime emocionale të familjarëve në momente dhimbjeje, me përmbajtje që cenojnë të drejtën për privatësi, dinjitetin njerëzor dhe parimet bazë të etikës gazetareske", thekson AIP.
Agjencia për Informim dhe Privatësi rikujton se të qenurit person publik nuk ia mohon askujt të drejtën për privatësi, veçanërisht në momente dhimbjeje personale dhe familjare.
"Publikimi i pamjeve të ndjeshme pa pëlqimin e familjes përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. Në këtë drejtim, Agjencia kërkon nga të gjitha mediat që të ndalojnë menjëherë publikimin dhe shpërndarjen e materialeve që cenojnë privatësinë e familjes së prekur pa pëlqimin e tyre, si dhe të largojnë përmbajtjet ekzistuese që përmbajnë pamje të ngjarjes apo reagime të familjarëve, të publikuara pa autorizimin e tyre", thuhet në reagim.
Agjencia për Informim dhe Privatësi rithekson rëndësinë e respektimit të privatësisë dhe dinjitetit të qytetarëve nga ana e mediave, sidomos në raste tragjike që prekin ndjeshmërinë dhe jetën personale të individëve.
Në disa media kanë qarkulluar pamje të reagimeve të familjarëve pas një rasti tragjik të shkaktuar nga një aksident trafiku në Pejë.























