Policia në Mitrovicë Veri konfiskon armë dhe municion ilegal
RTKlive
Policia e Kosovës në Mitrovicë Veri ka gjetur dhe konfiskuar armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale gjatë një kontrolli në një podrum afër Sheshit “Car Lazar”. Kontrollet u kryen pas pranimit të informacionit për praninë e gjërave të kundërligjshme.
Gjatë aksionit janë konfiskuar: 1 pushkë automatike, 1 pushkë gjahu, 50 fishekë, 1 kondak pushke, 1 palë pranga, 1 mbajtës pushke, 1 maskë kundër helmeve me çantën e saj, 1 këllëf arme, 5 karikatorë të zbrazët.
Prokurori i Shtetit është informuar dhe ka urdhëruar hapjen e rastit “Mbajtje në pronësi, kontrollë ose posedim i paautorizuar i armëve”. Aktualisht nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Policia e Kosovës fton qytetarët që çdo informacion për armë ilegale, substanca narkotike ose veprimtari të tjera të kundërligjshme ta raportojnë në numrin 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”. Bashkëpunimi i qytetarëve është kyç për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e krimeve, thuhet në njoftimin e PK.























