Gjenerali serb, i dënuar për krime lufte, lirohet dhe kthehet në Serbi
BKT
Lajme

Gjenerali serb, i dënuar për krime lufte, lirohet dhe kthehet në Serbi

Donika Sherifi /RTK

Përderisa ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare po vazhdojnë të gjykohen në Hagë për krime të pretenduara, Serbia e cila, edhe e kishte furnizuar Specialen me materiale kundër UÇK-së, e ka kthyer në vendlindje Nebojsha Pavkoviqin, ish-komandant i Ushtrisë së Tretë të Jugosllavisë, i cili ishte dënuar me vendim të formës së prerë me 22 vjet burg për krime kundër shqiptarëve të Kosovës më 1999. Lajmin për lirimin e tij të parakohshëm e kishte dhënë vetë presidenti serb.

Gjenerali serb, Nebojsha Pavkoviq, i dënuar për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë vitit 1999, është liruar nga burgu në Finlandë dhe ka shkuar në Serbi.

Me kërkesë të Qeverisë së Serbisë, Pavkoviq, ish-komandant i Ushtrisë së Tretë të Jugosllavisë, i dënuar me vendim të formës së prerë me 22 vjet burg, është kthyer në vendlindje për arsye shëndetësore, duke iu mundësuar lirimi i parakohshëm.

Pavkoviq, ndonëse ka dëshmitarë që thonë se kishte dhënë urdhër për masakra të mëdha në Kosovë, i kishte mohuar ato, duke pretenduar se shqiptarët ia kishin inskenuar.

Por, për masakrën e Izbicës kanë folur ndër vite shumë të mbijetuar të masakrës.

“Kthehu majtas, bajagi shpinën prej tyre. Jemi kthyer majtas. Ulu në gjunj, atë e kam nie, edhe t’u u ul na kanë lëshu mitraloz”, tha një dëshmitar.

“...Kanë qenë të masakruar, me të vërtetë të masakruar, ka pas njerëz edhe të djegur. Ka pas të prerë edhe me thika”, tha dëshmitari tjetër.

“Burrat i kanë nda dy grupe, një pjesë i kanë çua në atë pjesën këtu ..., një pjesë mbi varreza, i kanë nda grupe- grupe edhe i kanë vra qysh është ma së keqi”, tha dëshmitari një tjetër dëshmitar.

“Ma shtirë s’kish se me ta nda burrin, prej familje me nda, me pushkatua, po u dashke me bo sabër e gajret”, u shpreh dëshmitarja tjetër.

Se cili ishte roli i Pavkoviqit gjatë luftës në Kosovë tregon më së miri një video amatore që e kishte transmetuar RTK më parë, e ku shihet ish-gjenerali i Armatës Jugosllave, ndërsa futet me disa ushtarë serbë në një odë shqiptare në fshatin Batushë, në vitin 1998.

Sipas kësaj videoje, Pavkoviq kishte detyruar me dhunë këta burra që të mblidheshin në këtë odë, duke iu drejtuar me një fjalim kinse ushtria jugosllave kishte shkuar për t’i mbrojtur shqiptarët e Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme