Forumi Octopus: Zgjedhjet e 12 tetorit në Kosovë, fushëbetejë gjeopolitike
RTKlive
(E plotësuar) Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka mbajtur forumin me temën “Demokracia nën kërcënim: Zgjedhjet si një fushëbetejë gjeopolitike”, ku përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë theksuan rëndësinë e integritetit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, duke paralajmëruar për ndikime të jashtme dhe të brendshme që mund të cenojnë procesin demokratik.
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka theksuar se Kosova gjendet në shënjestër të operacioneve kërcënuese.
“Në fushatën për zgjedhjet e 12 tetorit, Kosova vazhdon të jetë një terren i operacioneve kërcënuese, jo vetëm me propagandë dhe narrativa nxitëse, por edhe me ndërhyrje politike e financiare. Rasti i Moldavisë, si dhe shembuj të tjerë si Rumania dhe Gjeorgjia, na tregojnë se zgjedhjet sot janë arenë e përplasjeve gjeopolitike, beteja të heshtura ndërmjet demokracisë dhe hegjemonisë, të së vërtetës dhe propagandës", ka theksuar ai.
Sipas tij, në këtë betejë është edhe Kosova, për shkak të Serbisë militariste, e cila vepron për rrënimin dhe destabilizimin e saj.
"Si qendër rajonale e ndikimit rus, ajo përdor instrumente të njëjta si dezinformimi, rrjeti fetar, manipulimi kibernetik dhe ndërhyrjet politike e financiare për të rritur polarizimin, përçarjen dhe mosbesimin e qytetarëve serbë në procesin zgjedhor. Në këtë kontekst, sot Kosova përballet me sfidën e qëndrueshmërisë demokratike dhe integritetit të zgjedhjeve si çështje të sigurisë kombëtare. 12 tetori nuk është vetëm ditë votimi, por betejë për rendin dhe vlerat euroatlantike, për sigurinë dhe sovranitetin politik”, ka deklaruar Fetoshi.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka deklaruar se Kosova ka dëshmuar maturi zgjedhore ndër vite, por shtoi se situata mbetet e brishtë dhe duhet të mbrohet. Ai bëri thirrje për kujdes ndaj sulmeve hibride, duke shtuar se rajoni ka nevojë për stabilitet.
“Ajo që e mundon Kosovën është sfida në veriun e saj dhe tregon se demokracia është nën kërcënim. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë ato që përcaktojnë rrugën. Kemi parë dhe dëgjuar momente që mund të sjellin situata që askush nuk do t’i dëshironte, por Kosova është në një proces që kërkon mbrojtje dhe përkushtim për gjithçka që ka arritur. Rajoni ka nevojë për stabilitet, i cili vjen nga zgjedhjet e lira e të ndershme. Nuk duhet të biem pre e sulmeve kibernetike të mbështetura nga kushdo. Kosova do të dijë t’i bëjë ballë”, ka deklaruar Malaj.
Për Payam Ghalehdar nga Ambasada e Gjermanisë, zgjedhjet lokale të 12 tetorit nuk janë thjesht zgjedhje vendore, por një ngjarje me rëndësi të madhe ndërkombëtare.
“Prandaj është shumë e rëndësishme të ruhet dhe të mbahet integriteti i zgjedhjeve, të sigurohet që të jenë të lira dhe të ndershme. E pamë këtë në shkurt, në nivel kombëtar, dhe është e rëndësishme që kjo të vazhdojë edhe tani”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, kërcënimet ndaj procesit zgjedhor mund të vijnë edhe nga brenda vendit.
Mbahet forumi Demokracia n`rrezik: Zgjedhjet si fushëbetejë Gjeopolitike
Nën organizimin e Institutit për Studime të Luftës Hibride, OCTOPUS, po mbahet forumi me temën “Demokracia nën kërcënim: Zgjedhjet si një fushëbetejë gjeopolitike”, ku u theksua rreziku i ndërhyrjeve politike dhe narrativa nxitëse nga Serbia.
Në këtë forum po marrin pjesë ambasadorë të Shqipërisë, Malit të Zi, Gjermanisë dhe të Kroacisë, profesorë e studiues nga Kosova dhe rajoni, si dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë.
Mbahet forumi Demokracia n`rrezik: Zgjedhjet si fushëbetejë Gjeopolitike

Instituti për Studime të Luftës Hibride – OCTOPUS, organizon sot në Prishtinë forumin me temë “Demokracia në rrezik: Zgjedhjet si një Fushëbetejë Gjeopolitike.”
Ky forum do të mbledhë ambasadorë, profesorë, studiues dhe ekspertë të sigurisë për të diskutuar rreth zgjedhjeve si arenë gjeopolitike dhe sfidave që paraqesin për sigurinë demokratike.
Në këtë forum do të marrin pjesë ambasadorë të Shqipërisë, Malit të Zi, Gjermanisë dhe Kroacisë, profesorë e studiues nga Kosova dhe rajoni, dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë.
Gjatë forumit do të diskutohen dy sesione kryesore: Zgjedhjet si një arenë gjeopolitike dhe Zgjedhjet dhe siguria.























