Në Hagë përfundon sot dëshmia e Covey, vijon nesër me pyetjet e prokurorisë
BKT
Gjykata Speciale

Në Hagë përfundon sot dëshmia e Covey, vijon nesër me pyetjet e prokurorisë

V.S|RTKlive

(E plotësuar) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, ka përfunduar për ditën e sotme dëshmia e dëshmitarit të mbrojtjes, amerikanit Jock Covey, që ishte zëvendës kryesor i përfaqësuesit special të Sekretarit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, Bernard Kouchner, gjatë viteve 1999-2001.

Avokati, i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, tha se pyetjet e mbrojtjes për dëshmitarin përfunduan, ndërsa dëshmitari Covey do të rikthehet sërish nesër në sallën e gjyqit e i cili do të përballet me pyetjet që do t’i parashtrojë prokuroria.

Covey: Thaçi nuk jepte urdhra, UNMIK nuk e trajtonte si komandant të UÇK-së

(E plotësuar) Në Hagë po vazhdon dëshminë e tij dëshmitari i katërt i mbrojtjes, amerikani Jock Covey, zëvendës kryesor i përfaqësuesit special të Sekretarit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, Bernard Kouchner, gjatë viteve 1999-2001.

“Ne kuptonim që UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje se sa një ushtri ku secili individ në zonë, apo komandant në terren kishte një autonomi të gjerë, ndërsa në realitet , qoftë ne realitet apo imagjinatën e tyre, ata e kishin këtë pushtet. Ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre, kjo ishte mënyra se si e kemi kuptuar ne”, tha dëshmitari Covey gjatë dëshmisë së tij pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

I pyetur nëse  Thaçi ishte shefi i Çekut, Covey tha se asnjëherë nuk e ka parë  njërin që t’i jepte urdhër apo udhëzime tjetrit, madje, tha se i dukej se silleshin me rezerva njëri me tjetrin.

“Sipas asaj që kam parë ata silleshin në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin, nuk më kujtohet qartë nëse kanë shkëmbyer fjalë njëri me tjetrin më mënyrë të drejtpërdrejtë, sigurisht asnjëherë nuk e kam parë  njërin që t’i jepte urdhër apo udhëzime tjetrit. Më dukej sikur silleshin me rezerva njëri me tjetrin, dhe sipas përvojës sonë rrallë herë i kemi parë në njërën dhomë së bashku”, tha Covey.

Gjatë kësaj seance u shfaq edhe një dokument që mbante nënshkrimin e Hashim Thaçit si komandant i përgjithshëm i UÇK-së i cili i ishte përcjellë Kouchnerit në bazë të marrëveshjes së  çarmatosjes së UÇK-së , në mes të komandantit të KFOR-it dhe UÇK-së e përmes së cilës i kërkohej që të lejoheshin disa pjesëtarë të UÇK-së të mbanin armë brezi. Mishetiq e pyeti nëse atë kohë a e kanë menduar se Thaçi ishte komandant i UÇK-së?.

“Jo, unë falas në emër të UNMIK-ut. UNMIK-u nuk e ka trajtuar atë si komandant”, tha Covey.

Tutje ai tha se diplomatët dhe burokratët shpeshherë kanë dijeni për nevojën që duhet t’i shërbejnë interesit të caktuar, dhe atë kohë sipas tij, tha ta kishte diskutuar me Kouchner-in pasi kishin marr letrën.

“Mu duk sikur ishte një gjest që ishte në interesin e tij që ta dërgonte këtë letër, thjesht. Ai nuk ka bërë asnjë koment lidhur me urgjencën apo jo të kësaj kërkesë, nuk e ka përmendur më asnjëherë tjetër, nuk u përpoq që të shfrytëzonte mundësinë që ka pasur bashkëpunim në çështje të tjera për t’iu kthyer kësaj çështje. Pra, thjesht mu duk se po shfrytëzonte rastin për t’i shërbyer një interesi tjetër.

I pyetur nëse UNMIK-u i është përgjigjur kësaj kërkesë, ai tha sa i kujtohej jo, dhe se çështja ishte jashtë mandatit të tyre, ishte mandat i KFOR-it.

Dëshmitari foli edhe për rëndësinë që atë kohë ish-luftëtarët e UÇK-së të integroheshin në Policinë e Kosovës.

Ai u pyet kush ishin elementët më radial në UÇK që duhej të bindeshin për tu integruar, siç shkruhej në një dokument të cilin e lexoi avokati mbrojtës i Thaçit, Mishetiq.

“Unë nuk kam pasur asnjëherë një pasqyrë të plotë apo një kuptim shumë të mirë, skemë shumë të mirë, të asaj çfarë ushtria do ta quante rendi i luftimeve të UÇK-së, për të kuptuar më qartë se kush ishte përgjegjës për një rajon të caktuar dhe kujt i raportonte ky person i caktuar. Një pjesë e  mirëkuptimit tonë kishte të bënte që jeta e brendshme e UÇK-së ,sipas KFOR-it, dhe në fakt edhe unë vetë kam pasur kontakte të rregullta me UÇK-në në të gjitha nivelet dhe sigurisht që kishte persona të caktuar me të cilët UÇK-ja dëshironte të fliste në kuptimin e preferencës për të folur. Nuk e kam fjalën për biseda rastësore, por më duhet të them që prej ditës së parë kur kemi qenë në Kosovë, e kam fjalën për Kouchner-un dhe për vetën time, kemi organizuar takime të rregullta me Mike Jackson  në selinë e vetë, dhe qëllimi kryesor ka qenë të shkëmbejmë informacione, të flasim me njëri-tjetrin e të merrnim vesh se çfarë po ndodhte”.

Covey: Thaçi kishte marrëdhënie komplekse me komandantët e UÇK-së

(E plotësuar) Ka nisur dëshmia e tij pranë dhomave të specializuara në Hagë, dëshmitari i katërt i mbrojtjes, amerikani Jock Covey, zëvendës kryesor i përfaqësuesit special të Sekretarit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, Bernard Kouchner, gjatë viteve 1999-2001.

Duke folur për një takim në të cilin Bernard Kouchner kishte udhëtuar në Kosovë në shtator të vitit 1999 për t’i bindur komandantët e zonave për përmbushjen e kushteve të demilitarizimit, Jock Covey tha se Hashim Thaçi nuk kishte folur fare dhe se marrëdhënia e tij me komandantët e zonave ishte e ndërlikuar.

“Kjo më kujtohet shumë qartë, dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që ne besonim që në fillim lidhur me zotin Thaçi kur e njohëm. Pra, ai kishte një marrëdhënie të vështirë dhe komplekse me komandantët e UÇK-së në terren, dhe ata treguan pak ose aspak respekt ndaj tij”, tha dëshmitari.

Mbrojtja: Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK-në, sipas Jock Covey-t

Luka Mishetiq, avokat i mbrojtjes së Hashim Thaçit, tha se Jock Covey, i cili gjatë viteve 1999-2001 ka shërbyer si zëvendës kryesor i përfaqësuesit të posaçëm të OKB-së, Bernard Kouchner, do të tregojë për rolin që Thaçi ka pasur gjatë asaj kohe.

Mishetiq, duke u thirrur në konstatimet e Coveyt, tha se kanë arritur në përfundimin që Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk ka qenë në pozicion që të organizojë ose ndalojë dhunën që ka ndodhur gjatë verës së vitit 1999.

“Ai ka luajtur rol të rëndësishëm në zbatimin e mandatit të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, sipas rezolutës së OKB-së 1244, dhe ka punuar ngushtë me përfaqësues vendorë, me aktorë të ndryshëm si dhe figura politike në Kosovë, përfshirë këtu edhe zotin Thaçi. Ai ka dhënë prova lidhur me rolin e Thaçit dhe punën që ka bërë në bashkëpunim me UNMIK-un për të ndihmuar stabilizimin e Kosovës, duke folur kundër akteve të dhunës, duke bërë thirrje për tolerancë, duke kryer kështu demilitarizimin e UÇK-së dhe duke mbështetur krijimin e Shërbimit Policor të Kosovës dhe forcave mbrojtëse të Kosovës. Gjithashtu, ka marrë pjesë në përpjekjet për të përfshirë pjesëmarrjen lokale në qeverisje përmes Këshillit të Përkohshëm të Kosovës dhe strukturave të administratës së përkohshme. Konstatimet e tij e kanë bërë që të arrijë në përfundimin se Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk ka qenë në pozicion që të organizojë ose ndalojë dhunën që ka ndodhur gjatë verës së vitit 1999. Roli dhe ambiciet e Thaçit ishin të një politikani që ka treguar se ishte i gatshëm të punojë me UNMIK-un dhe që gjithashtu ishte i aftë të gjente kompromis”, tha Mishetiq.

Jock Covey, dëshmitari i katërt në mbrojtjen e Hashim Thaçit në Hagë

Dëshmitari i katërt i mbrojtjes së Hashim Thaçit në Hagë është Jock Covey. Covey ka qenë zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së në Kosovë, në kuadër të UNMIK-ut. Në atë kohë, ai ishte zëvendës i Bernard Kouchnerit.

Covey ka ndihmuar në ndërtimin e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes dhe ka pasur një rol aktiv në sundimin e ligjit, ruajtjen e paqes dhe menaxhimin e situatës pasluftës në Kosovë.

Ai pritet të dëshmojë për bashkëpunimin me Hashim Thaçin, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe gjendjen në Kosovë gjatë periudhës kur ai ka shërbyer.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale