James Covey përfundon dëshminë në Hagë
M.P. / RTKlive
(E përditësuar) Dëshmitari i mbrojtjes, James Peter Covey ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë pas tri ditë marrje në pyetje. Gjykimi do të rifillojë të hënën, më 27 tetor, në orën 09:00.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka shpjeguar rolin e Hashim Thaçit gjatë proceseve të ndryshme historike të Kosovës, duke përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare, raportin me UÇK-në, pretendimet kriminale të prokurorisë për ushtrinë dhe një sërë çështjesh të tjera.
Ai ka mohuar që Thaçi ka pasur mundësi të vepronte në mënyrë kriminale ndaj kundërshtarëve të tij politik dhe duke theksuar që ai ka ndërtuar karrierën e tij politike në bashkëpunim me UNMIK-un dhe institucionet e tjera asokohe.
Covey ka deklaruar se Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk ka qenë në pozicion që të organizojë ose ndalojë dhunën që ka ndodhur gjatë verës së vitit 1999.
Covey kërkoi që në fund të dëshmisë së tij të bënte edhe një koment, mirëpo kjo kërkesë e tij u refuzua nga trupi gjykues me arsyetimin se komentet që nuk lidhen drejtpërdrejt me pyetjet nuk janë të lejueshme.
Covey: Kur them udhëheqësit e UÇK-së në terren e kam fjalën për komandantët e zonave në terren
Gjatë seancës së sotme dëshmitari James Peter Covey ka sqaruar përdorimin e termit “udhëheqës të UÇK-së”. Ai tha se me këtë formulim ka pasur parasysh komandantët e zonave të UÇK-së në terren dhe jo ndonjë person tjetër. “Më këtë formulim, unë e kam fjalën për udhëheqësit e UÇK-së në terren – për komandantët e zonave në terren”, u shpreh Covey, duke iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtarit Fergal Gaynor.
Në lidhje me termin “udhëheqës i UÇK-së” që përdorej për Hashim Thaçin, dëshmitari tha se bëhej fjalë për një titull pa bazë.
“Ky ishte titulli që mbante ai. Titull që dukej se ishte një pretendim pa asnjë bazë”, tha Covey, duke shtuar se “ne kemi arritur në përfundimin se bëhej fjalë për një pretendim bosh”.
Dëshmitari theksoi se në fazat e hershme nuk kanë pasur qasje në komunikatat e supozuara të UÇK-së, ndërsa ka dëgjuar për raste ndalimesh gjatë verës së vitit 1999.
Gjatë dëshmisë iu prezantua edhe një dokument i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, i datës 15 korrik 1999, nga Ministria e Financave, që lidhej me taksat e akcizës dhe qarkullimin. Por Covey tha se nuk e kishte parë më parë atë dokument.
Ai theksoi gjithashtu se, sipas mandatit të kuptuar nga ana e tij, Qeveria e Përkohshme nuk kishte autoritet ligjor për të mbledhur taksa apo për të vendosur masa ndëshkimore në rast të moszbatimit të tyre.
Covey po ashtu mohoi të ketë pasur dijeni se kush ishte ministër i Rendit Publik në Qeverinë e Përkohshme, duke shtuar se kjo ministri dhe vetë Qeveria e Përkohshme nuk kishin autoritet për ndalime apo thirrje sipas rezolutës 1244.
Covey: Në Rambuje u bë e qartë se Thaçi trembej nga komandantët e UÇK-së
Gjatë dëshmisë së tij në ditën e tretë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ish-zëvendësshefi i UNMIK-ut Jock Covey tha se Thaçi ishte kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga komandantët e zonave të UÇK-së.
Ai tha se këtë e kishin dalluar për marrëveshjen e Rambujes. Në pyetjen nëse Thaçi e kishte konfirmuar një gjë të tillë, ai tha se nuk e kishte lejuar krenaria.
“Që trembej është e qartë edhe në Rambuje, që ai është kërcënuar drejtpërsëdrejti nëse ai nuk pajtohej me kërkesat e komandantëve të zonave. Por, ishte edhe sjellja e tij e qartë, mënyra se si ishte i kujdesshëm sa i takon marrëdhënieve me udhëheqjen e lëvizjes së UÇK-së. Siç e thash edhe më herët në profesionin tonë, ne nuk kemi qasje asnjëherë në informacione të plota. Ne, thjesht nxjerrim përfundime nga çka kemi parë, çka kemi dëgjuar dhe bazuar në përvojën tonë jetësore”, tha ai.
Gjatë seancës së enjtes, Covey tha se UÇK ka pasur ekstremistë që kanë tentuar të dëbonin serbët nga Kosova.
“Sigurisht që në këtë grup do të fusja zotin Lushtaku”, tha Covey.
Covey: KFOR-i besonte se Daut Haradinaj ishte përgjegjës për vrasjen e truprojave të Rugovës
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, dëshmitari James Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner – ka deklaruar se sipas burimeve nga KFOR-i kishte dëgjuar se pjesëtarët e mbrojtjes së Ibrahim Rugovës ishin vrarë dhe se për këtë sulm përgjegjës ishte Daut Haradinaj.
Covey ka thënë se këtë e kishte mësuar më vonë, pas bisedave me Kouchnerin dhe KFOR-in.
Gjatë seancës, gjyqtari Christophe Barthe e pyeti dëshmitarin: “Ju thoni që z. Rugova kishte frikë për sigurinë e tij personale, a mund t’iu pyes pse kishte frikë?”
Dëshmitari James Covey u përgjigj: “Nga bisedat me Bernard Kouchnerin dhe nga ajo që e kemi mësuar nga burimet e KFOR-it më vonë, ne e kuptuam që të gjithë truprojat e tij ishin vrarë, pothuajse të gjithë. Nuk e di nëse kjo është fushë për të cilën mund të flas unë në mënyrën e duhur pasi unë nuk jam informuar për këtë çështje në mënyrë të drejtpërdrejtë, por KFOR-i besonte se vëllai i Ramushit, Daut Haradinaj, ishte personi përgjegjës për këtë sulm. Në atë kohë nuk kishim dijeni për këtë. E kemi mësuar shumë vonë. Rugova kishte pikëpamjet e tij, kishte arritur në përfundimin e tij dhe kur ne mësuam lidhur me këtë sulm dhe më pas se kush ishte përgjegjës për të, atëherë ishte e lehtë të kuptohej pse Rugova ishte i shqetësuar për sigurinë e tij”.
Covey tutje shtoi se e dinte që Daut Haradinaj kishte qenë pjesë e UÇK-së. Ai tregoi se Rugova ishte i frikësuar për sigurinë personale, por Kouchner përpiqej ta bindte të kthehej në Kosovë.
“Më kalimin e kohës mësuam përmes Bernard Kouchner që shkoi e takoi. Ai ishte me depresion klinik pavarësisht se unë nuk jam mjek. Kishte frikë për sigurinë e tij personale dhe Bernard më shpjegoi mua që përpjekjet e tij kishin të bënin me bindjen e Rugovës se nëse vendoste të kthehej, siguria e tij do të ishte e siguruar. Kjo ishte një sfidë pasi që KFOR-i nuk mundej që të siguronte mbrojtjen e tij personale, por mund të siguronte zonën përreth tij”, tha Covey.
Pas këtyre bisedave me Kouchnerin, Covey deklaroi se Ibrahim Rugova vendosi të kthehej në Kosovë.
Covey: Thaçi krijoi rrugëtimin politik me institucionet dhe UNMIK-un
Ish-zëvendësshefi i UNMIK-ut Jock Covey, gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka mohuar që Hashim Thaçi mund të bënte karrierë përmes veprimtarisë kriminale ndaj kundërshtarëve të tij politik.
Në ditën e tretë të dëshmisë së tij, ai tha se Thaçi ndërtoi karrierën e tij politike në bashkëpunim me UNMIK-un dhe institucionet e tjera asokohe.
“Mendoj që shumë shpejt kemi arritë në vlerësime se ai nuk e kishte autoritetin personal për të bërë që dikush tjetër të bënte një gjë të tillë. Për më tepër, unë dhe ne arritëm në këtë përfundim se ai dinte se nuk e kishte këtë pushtet dhe këtë fuqi”, tha Covey.
“Ai filloi këtë karrierë duke zbuluar hap pas hapi se çfarë mund të bënte për ta krijuar rrugëtimin e tij politik. Nuk na përkiste neve nëse ai dëshironte me gjithë mend më të mirën për Kosovën, apo se si mund të realizoheshin ambiciet e tij në mënyrën më të mirë. Ai e gjeti vetë mënyrën për ta bërë këtë dhe ishte detyra jonë që ta ndihmonim ne në këtë rrugëtim. Pra, duke punuar me UNMIK-un, me institucionet. Kjo ka shërbyer edhe interesat e tij. Ky është angazhimi më i mirë që kërkohet nga një politikan”, shtoi ai.
Dëshmitari James Covey gjithashtu ka kundërshtuar idenë se Agim Çeku e Hashim Thaçi mund të kenë qenë ekstremistë të UÇK-së.
I pyetur nga avokati Luka Mishetiq, dëshmitari tha se këta dy persona i konsideron të kundërtën e ekstremizmit. “Në fakt, jo. Në fakt është krejt e kundërta”, tha dëshmitari Covey.
Covey: Thaçi djalë ambicioz, e kuptuam se ishte vetëm urëlidhëse me UÇK-në
Në ditën e tretë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë, dëshmitari i mbrojtjes James (Jock) Covey, tha se Hashim Thaçi gjatë periudhës së luftës ka qenë djalë ambicioz që dëshironte të arrinte diku.
“Ai ishte një djalë i ri në përpjekje për të qenë i suksesshëm, ishte një situatë në të cilën ai nuk kishte aspak përvojë, ai përpiqej të pozicionohej dhe këtu duhet të shtoj një histori që nuk e kam ditur asokohe. Ka pasur një raport që ai mbante municione në male, unë nuk kam parë ndonjëherë provë që të ketë ndodhur kjo rregullisht, por ishte djalë i ri ambicioz, sepse donte të arrinte diku. Nuk mendoj se kjo cenon gjykimin tonë apo ndryshon qëndrimin tonë sa i takon marrëdhënies me UÇK-në dhe as nuk kondtradikton gjëra që ka thënë e që janë publike”, tha tutje Covey.
Ai e quajti Thaçin urë lidhës për pjesën e kërkesës së tij për armë e municione gjatë periudhës së demilitarizimit.
“Dje ose të paktën këto dy ditë sa kam qenë këtu, kemi parë një dokument që Thaçi ia kishte dërguar Kouchnerit ku kërkonte armë për disa persona të UÇK-së, dhe ne e dinim që në atë kohë sipas mendimit tonë kjo nuk duhej të ndodhte. Ne e kuptuam se kjo ishte një urë lidhëse. Kjo ishte përshtypja jonë. Po e kryente detyrën që ia kishin kërkuar të tjerët. Po përpiqej të mbante marrëdhënie të mirë me persona që donte t’i mbronte, nuk donte t’i mërziste këta persona. Pra, ne menduam se kjo sjellje u shfaq disa herë”, tha Covey, duke iu referuar një dokumenti të cilin Thaçi ia kishte dërguar Bernard Kouchnerit me kërkesën për armë.
Pyetjet shtesë për dëshmitarin Covey po i vijon mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.























