Fushtica: Kushtet atmosferike, situata në Prishtinë e menaxhueshme
BKT
Lajme

Fushtica: Kushtet atmosferike, situata në Prishtinë e menaxhueshme

M.M| & A.B|RTKlive

(E plotësuar, ora 09:50) Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica, tha për RTKlive se marrë parasysh kushtet meteorologjike, situata në Prishtinë është e menaxhueshme.

“Të gjitha ekipet janë në terren. Kemi pasur disa raste dëmtimesh në disa pjesë të Prishtinës, si në rrugën Fehmi Agani, pranë RTK-së,  e Rr. Rasim Kiçina, ashtu dhe në disa fshatra të tjera”, tha ai.

Ai bëri të ditur se ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca dhe ato të Shërbimeve Publike të Kryeqytetit kanë qenë në terren gjatë gjithë natës. “Sot, rrugët janë të pastra, të kalueshme dhe të sigurta për të gjithë”, theksoi ai.

Kushtet atmosferike shkaktojnë dëme në komuna, përfshirë edhe Prishtinën

Ndryshimet e papritura të kushteve atmosferike kanë shkaktuar dëme materiale në disa komuna të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin, Prishtinën. Dëmet janë vetëm materiale dhe nuk raportohet për persona të lënduar.

Në Prishtinë, në rrugën “Ibe Palikuqi” në lagjen Mat, është raportuar për një lakim të një shtylle elektrike, ndërsa në parkun e qytetit është rrëzuar një lis, si pasojë e erërave. Një lis i madh është rrëzuar edhe në rrugën Xhemail Prishtina, në afërsi të RTK-së.

Autoritetet janë në terren për të vlerësuar situatën dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme.

 


MË SHUME NGA Lajme