Javën tjetër shpërndahen fletëvotimet në Qendrat Komunale të Numërimit
V.S|RTKlive
Edhe pak ditë kanë mbetur kur qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur drejtuesit e komunave ku jetojnë, ndërkaq KQZ-ja po vazhdon me përgatitjet e fundit për këtë proces zgjedhor.
Nga institucionin përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve ka dalë konfirmimi se tashmë fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit kanë arritur në Kosovë, derisa gjatë javës së ardhshme ato do të shpërndahen nëpër Qendrat Komunale të Numërimit.
Shtypja e tyre është bërë në Slloveni, nën mbikëqyrjen e anëtarëve të KQZ-së dhe stafit të Sekretariatit të KQZ-së.
Gjithashtu, KQZ-ja ka treguar se bashkë me fletëvotimet janë shtypur broshurat e kandidatëve të zgjedhjeve, të cilat do të shpërndahen në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar për RTKlive se për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë komunash e për Kuvendet Komunale janë shtypur gjithsej 3,600,820 fletëvotime.
“Mund t’iu konfirmoj se fletëvotimet për Zgjedhjet Lokale janë sjellë në Kosovë. Gjatë javës së ardhshme ato do të shpërndahen, fillimisht në Qendra Komunale të Numërimit, ndërkaq në ditën e zgjedhjeve do të shpërndahen për në Qendra të Votimit. Në bazë të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale janë shtypur gjithsej 3,600,820 fletëvotime, nga të cilat 1,800,410 për secilën lloj të zgjedhjeve. Ky numër përfshin fletëvotimet për të gjitha mënyrat e votimit: në vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, për personat me nevoja të veçanta, votimin me postë dhe fletëvotimet rezervë”, ka treguar Elezi.























