Samiti i Bërdo-Brijunit: Të përshpejtohet zgjerimi dhe BE të forcojë rolin
BKT
Lajme

Samiti i Bërdo-Brijunit: Të përshpejtohet zgjerimi dhe BE të forcojë rolin

V.S & A.B|RTKlive

(E plotësuar, ora 14:00) Në përfundim të Samitit të Bërdo-Brijunit, i cili u zhvillua në Durrës, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç, zhvilluan një konferencë të përbashkët për media.

Presidentja e Sllovenisë: Ballkani Perëndimor duhet të jetë në BE

(E plotësuar, ora 13:50) Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, në konferencë për media tha se  Ballkani Perëndimor duhet të jetë në Bashkimin Evropian, sepse siguria dhe paqja në Evropë, sipas saj, do të jenë në rrezik nëse nuk ia dalin kësaj.

Presidentja sllovene tha se shteti që ajo drejton do të vazhdojë të jetë promovuese e kësaj çështjeje. 

“Unë jam një idhtare e Bashkimit Evropian dhe besoj fort se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së, jo vetëm për të mirën e tyre, por edhe për të mirën tonë, sepse siguria dhe paqja në Evropë do të jenë në rrezik nëse nuk ia dalim me sukses kësaj gjëje. Marta Kos po punon shumë fort, dhe besoj që 27 vendet anëtare do të  njohin nevojën për të përshpejtuar procesin, dhe kësisoj Sllovenia do të vazhdojë të jetë promovuese. Ne themi që duhet dy për të hedhur një valle, megjithatë, kemi vende që e mbështesin këtë shumicë të cilësuar, por në fund të fundit na duhen 27 të tilla, por nuk mund të themi se projekti evropian po vdes. BE-ja u ngrit si një projekt paqeje e kjo për mua është pjesa më e rëndësishme, sepse të jesh së bashku do të thotë të kesh paqe, siguri e mbi të gjitha, Sllovenia e Kroacia janë shembuj të kësaj, do të thotë përparim. Dhe e di çfarë rrezikojmë nëse nuk kemi vullnetin e duhur të përshpejtojmë procesin. Unë do të vazhdoj të bëjë këto përpjekje”, tha ajo.

Milanoviç: Bashkimi Evropian duhet të forcojë rolin e saj në arenën ndërkombëtare,

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, përmendi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal për të adresuar nevojat dhe problemet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të forcojë rolin e saj në arenën ndërkombëtare, pasi politikat botërore kanë ndryshuar. Presidenti Milanoviç shprehu gjithashtu dëshirën që samiti i radhës të mbahet në Kroaci.“Qeveria kroate ofron ndihma të mundshme vendeve në rajon pa i diskriminuar dhe kështu do vijojë. Kur flasim në këtë nivel dialogu që është parakusht për marrëdhëniet e mira dhe ky është i vetmi qëllim i këtij takimi. Të bisedojmë mbi nevojat dhe problemet e bashkësisë evropiane që nuk janë të pakta dhe duhet të bisedojmë me lojtarët në botë se kushtet janë ndryshuar dhe bashkësia evropiane nuk është fuqi që kemi përmendur më parë. Ne do mbetemi pjesë e këtij sistemi si pjesë shpirtërore, organizative dhe territoriale por duhet të bëjmë të gjitha lëvizjet politike. Takimi i ardhshëm shpreha dëshirën që të mbahet në Kroaci”, tha Milanoviç.

Begaj: Rajoni përballet me sfida të sigurisë, kërkohet koordinim|VIDEO

(E plotësuar, ora 13:30) Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i cili pas seancës plenare të Smaitit të Bërdo-Brionit doli në konferencë për media bashkë me dy homologët e tij, presidenten e Sllovenisë e presidentin e Kroacisë, tha se Samiti përfaqëson një platformë të rëndësishme rajonale për shkëmbimin e ideve dhe vizioneve mbi të ardhmen e rajonit.

Ai tha se bashkë me liderët e tjerë të rajonit diskutuan sfidat aktuale gjeopolitike dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal. Begaj shtoi se Shqipëria mbështetë dialogun rajonal, dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si element thelbësor për ruajtjen e paqes, zhvillimit ekonomik dhe integrimin rajonal.

“Në samitin e sotëm theksuam se Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike, megjithatë rajoni ynë përballet me sfida, sfida të sigurisë që kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinim më të ngushtë mes nesh. Plani i rritjes i BE-së për rajonin tonë përbën një mundësi të çmuar për zhvillimin ekonomik pasi, krijon akses në instrumente financiarë të BE-së, lehtësira tregtare dh e programe të përbashkëta për zhvillim. Diskutuam për rrugët e bashkëpunimit rajonal me qëllim të krijimit të kushteve me qëllim që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre”, tha Begaj.

Kreu u shtetit shqiptar tha se, Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm në udhëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE.

“Brenda një kohe të shkurtër kemi hapur 5 nga 6 grup-kapitujt negociues. Aspirata e Shqipërisë për tu anëtarësuar në BE nuk është vetëm një objektiv politik, por një mision kombëtar.

Samiti i Bërdo-Brijunit, Begaj: Së bashku drejt së ardhmes evropiane

(E plotësuar) Samiti i Bërdo-Brijunit po zhvillohet sot në qytetin bregdetar të Durrësit, ku liderë të vendeve të rajonit po diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe sfidat e integrimit në Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij hapëse në këtë Samit, presidenti shqiptar Bajram Begaj, tha se bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Kreu i shtetit shqiptar, në fjalën e tij para liderëve të rajonit, theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë thelbësore për të arritur dhe për të çuar më tej paqen, prosperitetin, stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Begaj shtoi se rajoni përballet me kërcënime sigurie.

“Ballkani Perëndimor ka shënuar përparim në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, sidoqoftë, rajoni ynë përballet me kërcënime sigurie. Agresioni i paprovokuar rus kundër Ukrainës ka ndikime të thella e serioze për të ardhmen e Evropës, përfshirë edhe rajonin tonë. Ne jemi të vetëdijshëm që procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk ka të bëjë vetëm me integrimin ekonomik dhe reformat ekonomike, por edhe me përforcimin e sigurisë evropiane. Sot që flasim, rreziku i fragmentarizimit gjeopolitik është i pranishëm, dhe stabiliteti është thelbësor për sigurinë tonë”, tha Begaj.

Samiti i Bërdo-Brijunit shërben si një mekanizëm i rëndësishëm për promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, me synim përshpejtimin e integrimit evropian.

Fotografia e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Procesit të Brdo-Bijunit

Arrijnë liderët për Samitin e Bërdo- Brijunit në Durrës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, bashkë me presidenten e Sllovenisë Natasha Pirc Musar e presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç, dy prej nismëtarëve të samitit po presin liderët e rajonit në nisje të Samitit të Bërdo -Brijunit i cili po mbahet në Durrës.

Aty ka arritur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Qëllimi i këtij samiti 2-ditor është mbështetja e integrimit evropian të rajonit dhe bashkëpunimi i vendeve për të ardhmes evropiane.

Liderët që marrin pjesë janë: Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Në qendër të diskutimeve do të jetë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, një paketë financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027, e cila synon nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët evropian.

 


MË SHUME NGA Lajme