Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta
N.M. /RTKlive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot përfundon afati për regjistrimin dhe evidentimin e votuesve me nevoja dhe në rrethana të veçanta, që do të votojnë përmes ekipeve mobile në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.
Sipas KQZ-së, për të mundësuar pjesëmarrjen në votim të personave që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre, do të angazhohen ekipe mobile në të gjitha komunat e Kosovës. Këto ekipe do të vizitojnë adresat e votuesve të regjistruar në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025.
Procesi i regjistrimit për këtë kategori votuesish ka filluar më 7 shtator dhe përfundon sot, më 7 tetor 2025. Këtu përfshihen personat me zotësi juridike që, për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore apo rrethanave të tjera, nuk mund të votojnë personalisht në vendvotim. Regjistrimi mund të bëhet në mënyrë elektronike në platformën https://vpnv.kqz-ks.org ose fizikisht në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Në të njëjtën periudhë është zhvilluar edhe regjistrimi i votuesve në rrethana të veçanta, që përfshin personat që për shkaqe sigurie ose për shkak se ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak nuk mund të votojnë në vendvotimet e tyre. Edhe për këta votues regjistrimi bëhet nëpërmjet platformës elektronike të KQZ-së ose me asistimin e Komisioneve Komunale.
Ndërkohë, më 2 tetor është përmbyllur procesi i regjistrimit dhe evidentimit të votuesve me lëvizje të kufizuar në institucione si spitale, shtëpi të të moshuarve, institucione të shëndetit mendor, burgje dhe qendra paraburgimi.























