Kosova publikon rezultatet e para nga Hulumtimi Ndërkombëtar TALIS 2024
RTKlive
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se janë publikuar rezultatet e para nga Hulumtimi Ndërkombëtar për Mësimdhënie dhe Mësimnxënie – TALIS 2024. Ky është viti i parë që Kosova merr pjesë në këtë studim, i cili përfshiu 55 sisteme arsimore nga e gjithë bota dhe synon të mbledhë të dhëna mbi mësimdhënien, mësimnxënien dhe kushtet e punës së mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave.
Në Kosovë, në këtë cikël morën pjesë 3,281 mësimdhënës dhe 222 drejtorë nga shkollat e mesme të ulëta. Anketa në terren u zhvillua nga 15 mars deri më 22 prill 2024 përmes platformës online.
Gjetjet kryesore tregojnë se mosha mesatare e mësimdhënësve është 44 vjeç, afërsisht e njëjtë me mesataren e OECD-së (45), dhe 60% e tyre janë gra. Rreth 97% kanë ndjekur ndonjë formë të trajnimit profesional gjatë 12 muajve të fundit, duke përfshirë zhvillimin e aftësive për mësimdhënie dhe menaxhimin e klasës, por vetëm 28% e trajnimeve kanë përfshirë përdorimin e teknologjisë digjitale, thuhet në raportin e publikuar nga MASHTI.
Të dhënat po ashtu tregojnë një përfshirje të lartë të mësimdhënësve në zhvillimin e aftësive të nxënësve: 97% mësojnë nxënësit të përdorin informacionin e fituar dhe 90% fokusohen në zgjidhjen e problemeve reale. Bashkëpunimi mes kolegëve është i fortë, me 82% që shkëmbejnë materiale mësimore dhe 64% që diskutojnë mbi performancën e nxënësve.
Në nivel drejtues, 96% e drejtorëve marrin pjesë drejtpërdrejt në menaxhimin e mësimdhënies, por vetëm 48% janë të angazhuar në planifikimin strategjik afatgjatë. 85% e mësimdhënësve ndihen të përmbushur në punën e tyre dhe 77% vlerësojnë se profesioni i mësimdhënësit ka respekt në shoqëri, përqindje më e lartë se mesatarja e OECD-së (67%).
MAShTI thekson se rezultatet e TALIS 2024 do të shërbejnë si bazë për përmirësimin e politikave të zhvillimit profesional, përfshirjes digjitale, forcimit të rolit të drejtorëve dhe rritjes së statusit të profesionit të mësimdhënësit në Kosovë.
Ministria do t’i përdorë këto gjetje për të hartuar programe të reja trajnimi dhe për të avancuar zbatimin e standardeve të cilësisë në arsimin e vendit.























