Publikohet dosja paraprake e ZPS-së për administrimin e drejtësisë
BKT
Gjykata Speciale

Publikohet dosja paraprake e ZPS-së për administrimin e drejtësisë

A.B / RTKlive

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar versionin e redaktuar publik të dosjes paraprake të korrigjuar në çështjen kundër Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit.

"Siç ishte njoftuar më parë, ZPS-ja dorëzoi dosjen e vet paraprake në mënyrë konfidenciale në shtator. Versioni i korrigjuar u dorëzua më vonë, forma e redaktuar publike e të cilit tani është e disponueshme", thuhet në njoftimin e Speciales.

Aktakuza kundër pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor dhe u bë publike më 6 dhjetor 2024. Më 3 prill 2025, Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht apelin e ZPS-së kundër vendimit të Gjykatëses së Procedurës Paraprake të datës 29 nëntor 2024 për konfirmimin e aktakuzës. ZPS-ja kundërshtoi interpretimin e Gjykatëses të nenit 32(3) të Kodit Penal të Kosovës (KPK), me argumentin se ajo gaboi që përjashtoi përgjegjësinë penale të Hashim Thaçit për nxitje bazuar në një keqinterpretim të kritereve të dënimit.

Me vendim të shumicës – gjykatësja Jorgensen ishte në mospajtim – Paneli u pajtua se neni 32(3) zbatohet për vepra penale për të cilat shkallëzimi i dënimeve përfshin pesë vjet ose më shumë se pesë vjet, edhe nëse jo dënim minimal.

Paneli ia ktheu çështjen Gjykatëses së Procedurës Paraprake për shqyrtim të mëtejshëm. Më 14 prill 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ndryshoi vendimin e saj duke konfirmuar një formë përgjegjësie penale shtesë për Thaçin në bazë të nenit 32(3) të KPK në akuzat e paraqitura në Pikat 1, 2, dhe 3 të aktakuzës. Ajo urdhëroi ZPS-në të dorëzojë aktakuzën e re të konfirmuar, e cila u dorëzua më 16 prill 2025.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale