Lluka tregon në gjykatë mesazhet e Murselit pas vrasjes së Ademajt
BKT
Foto: Arbresha Berisha
Në Fokus

Lluka tregon në gjykatë mesazhet e Murselit pas vrasjes së Ademajt

Arbresha Berisha /RTK

(E plotësuar) Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit, Granit Pllavës e Kushtrim Kokolla, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Valon Lluka po dëshmon në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj Naim Murselit, Granit Pllavës e Kushtrim Kokolla, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Lluka ka qenë personi i parë të cilin e kishte kontaktuar përmes telefonit Naim Murseli pasi kishte ndodhur vrasja e Liridona Ademajt.

Lluka ka treguar se Murseli i kishte dërguar edhe mesazhe ku i kërkonte t'ia hapte telefonin urgjent.

"Herën e parë më ka thirr me një numër ku më ka dërguar edhe mesazh. Unë nuk ju kam larguar sepse isha te komshijtë. Me ka qu mesazh në 08:32 min me mesazhin urgjent qele, qele urgjent. Naimi. Pastaj ka fillu të me thërras me numër tjetër. Janë dy numra. Numri i parë qe e ceka dhe numri i dytë me numrat e fundit 907. Edhe këtu me ka shkru mesazhe. "Qele, qele, qele". Unë kam reaguar në numrin e fundit me 907. I kam shkruar me fal cili Naim, jam me musafir. Prapë më ka shkruar Naimi. Ma ka kthy "Murselu, urgjent. O Valon na kanë vra". Dhe në fund "thirr". Unë e kam bërë screen këtë mesazh dhe ja kam dërgu Naimit ne nr e tij në ëhatsup për me e verifiku a është Naimi por e kam parë që nuk po i shkon mesazhi. E pastaj e kam thirrur në këtë numër" ka deklaruari ai.

Lluka tha se pastaj është nisur për tek vendi i ngjarjes e në stacion policor.

"Unë menjëherë kam marrë makinën e komshiut, bashkë me të kam ec në drejtim të zonës ku ka ndodh rasti. E kam thirr në këtë numër dhe mu ka lajmëruar një djalë i cili ka thënë se Naimi ka shkuar në polici.  Ne jemi afruar te vendi i ngjarjes dhe kanë qenë policia. Kam pyetur se a ka vdek dikush dhe nuk kanë treguar dhe jam larguar. Pastaj kam pranuar një thirrje telefonike prej një polici që më ka thënë se Naimi është mire dhe fëmijët janë mirë, me porosi të Naimit. Pastaj e kam dërguar komshiun në shtëpi dhe kam marrë makinën time dhe jam nisur në drejtim të stacionit policor. Në ndërkohë më ka thirr edhe një polic tjetër dhe më ka thënë a mundesh me ardh në stacion se duam t'ia komunikojmë Naimit se ka vdek Liridona, dhe ta ketë dikë afër. Unë kam shkuar aty por ata veçse ia kishin komunikuar lajmin. E mbaj mend që me një zyre të vogël kishte qenë Naimi dhe e ngushëllova", ka shtuar ai.

Fillon seanca për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, mungon babai i saj

(E plotësuar) Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit, Granit Pllavës e Kushtrim Kokolla, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Sot ishte paraparë të dëshmonte edhe Babai i Naim Murselit, Shaban Murseli megjithatë ai nuk është paraqitur në gjykatë.

"E kemi thirr në telefon. Ia kemi përcjell edhe ftesën përmes email. Përmes telefonit na ka lajmëruar se nuk do të prezantoj në seancë dhe se mbetet prapa deklarimeve të mëhershme" ka deklaruar gjyqtarja Fatime Dermaku.

Ndërsa, në seancën e sotme po dëshmon Florian Avdija.

I njëjti ka një lokal kafene-market dhe është bashkëfshatar i Naim Murselit.

Ai deklaroi se disa herë i ka parë të akuzuarit në lokalin e tij.

"Me sa më kujtohet jam marrë në pyetje (nga policia) për një biznes familjar që e kemi në fshat dhe jam pyetur a i njihni personat dhe i kam thënë se i kam bashkëfshatar. Naimin e njoh më pak se ka jetuar jashtë, ndoshta 10 herë e kam parë, ndërsa Granitin dhe Kushtrimin i njoh më mirë se i kam pasur klientë të rregullt. Jam pyetur se a keni parë ndonjë shumë të madhe parash kur kanë ardhur në lokal dhe kam thënë jo. E kam pyetur edhe prindin dhe vëllain që punojnë aty. Më kanë pyetur se a kam kontaktuar me Granitin në ditën kritike kam thënë po rreth orës 12:00. Nuk më kujtohet diçka tjetër që më kanë pyetur", ka deklaruar ai.

Në seancë do të dëshmojë edhe Aurel Pajaziti.

Mbahet seancë gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Sot do mbahet seancë gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Në sencën e kaluar eksperti mjeko-ligjor, Naim Uka, gjatë seancës gjyqësore ndaj vrasjes së Liridona Ademajt, ka thënë se nga hulumtimet e kryera largohet mundësia e vetvrasjes së saj dhe se distanca e qitjes me armë ka qenë 2 deri në 5 centimetra.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë tre të akuzuarit për vrasjen e të ndjerës, Liridona Ademajt. Dy të akuzuarit e parë kishin pretenduar se kanë çrregullime mendore, por që Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka konstatuar se asnjëri nga ta nuk kanë pasur problematika të tilla shëndetësore gjatë kohës së kryerjes së veprës penale.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt. Ndërkaq Granit Plava nuk ishte deklaruar rreth fajësisë, njësoj Kushtrim Kokalla kishte thënë se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.


MË SHUME NGA Në Fokus