Audioincizimi tregon për lidhjet e Shehollit me Listën Serbe /Video
RTK
(E plotësuar) Është konfirmuar se në audioincizimin e siguruar nga RTK-ja, ku i arrestuari Fatmir Sheholli duket duke biseduar për lidhjet e tij me Listën Serbe dhe terroristin Milan Radoiçiq, bashkëbisedues janë deputetja Duda Balje dhe Amir Rrustemoviq.
I arrestuari nën dyshimet për spiunazh, Fatmir Sheholli, në një audioincizim të siguruar nga RTK-ja, dëgjohet duke biseduar me dy persona, një grua dhe një burrë, të cilëve u tregon për lidhjet e tij me Listën Serbe dhe terroristin Milan Radoiçiq.
Ai shprehet shumë i qartë se ka mbështetje të madhe nga shteti serb si dhe nga Lista Serbe, parti që mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Bashkëbiseduesit e Fatmir Shehollit në këtë audioincizim pretendohet se janë Duda Balje dhe Amir Rrustemoviq. Pavarësisht përpjekjeve për ta kontaktuar deputeten Duda Balje, nuk ka qenë e qasshme.
Ndërkohë, i kontaktuar nga Betimi për Drejtësi, Amir Rustemoviq, ka konfirmuar pretendimet se të dy janë në bisedë me Shehollin.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Fatmir Shehollit, të dyshuar për spiunazh kundër shtetit.
Gjykata ka vlerësuar se pesha e veprës për të cilën dyshohet Sheholli është e natyrës së rëndë dhe se caktimi i kësaj mase është i domosdoshëm e se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme.
Prokuroria e Kosovës, në arsyetimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, ka shkruar se Sheholli i jepte informata Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA) për pronat “kinse të uzurpuara” të serbëve në Kosovës si dhe për gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Ekskluzive: Audio incizimi tregon për lidhjet e Shehollit me Listën Serbe
Radio Televizioni i Kosovës ka siguruar një audioincizim në të cilin është i përfshirë Fatmir Sheholli, i arrestuar nën dyshimet për spiunazh.
Në incizim dëgjohet Sheholli duke biseduar me dy persona – një grua dhe një burrë, të cilëve u tregon për lidhjet e tij me Listën Serbe dhe me terroristin Milan Radoiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi të enjten se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar Fatmir Sheholli, nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”.
Gjithashtu, gjatë së enjtes njësitë relevante të Policisë së Kosovës kryen bastisje në vendbanimin e Shehollit, duke larguar nga vendi i ngjarjes provat materiale që mund të lidhen me hetimet.























