Krasniqi: Unë besoj që konstituimi ka qenë i domosdoshëm
BKT
Lajme

Krasniqi: Unë besoj që konstituimi ka qenë i domosdoshëm

Sh.G|RTKlive

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një konferencë për media ka folur lidhur me situatën politike dhe konstituimin e Kuvendit. Krasniqi tha se partia e tij ka abstenuar në votime për çështjen e nënkryetarit nga komuniteti serb dhe se ende nuk është e qartë nëse Kuvendi është konstituuar plotësisht.

"Edhe sot, si ashtu para aktgjykimit, ne kemi abstenuar në votime për sa i përket nënkryetarit nga komuniteti serb. A është konstituuar apo jo Kuvendi, duket se kjo përgjigje e imja ende nuk e ka marrë formën e plotë. Unë besoj që konstituimi ka qenë i domosdoshëm dhe shumë i nevojshëm qysh më 15 prill, për çka jemi angazhuar ne. Mbetet të shihet a do të funksionojë tutje”, tha Krasniqi.

Ai theksoi nevojën për një mekanizëm që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme sa më shpejt dhe pa vonesa, duke shpresuar në racionalitet nga të gjitha palët për të kaluar këtë situatë.

“Për neve është shumë e rëndësishme që konstituimi të jetë final dhe të hyjë në afate kushtetuese, për të parë mundësinë e formimit të qeverisë së re. Dhe, duke e ditur se asnjëra palë nuk e ka shumicën parlamentare, besoj që ajo që është më e rëndësishmja në këtë moment është që të gjejmë mekanizmin që na dërgon në zgjedhje të parakohshme sa më parë dhe pa vonesa. Shpresoj që do të ketë racionalitet në mes të palëve për të arritur një kapërcim të tillë. E rëndësishme është që kemi një proces të zgjedhjeve lokale dhe të kemi fokus që ky proces të shkojë mbarë dhe të kemi një proces zgjedhor shembull", tha Krasniqi në konferencë për media.

 

 


MË SHUME NGA Lajme