Nisin xhirimet e filmit të ri artistik “DUA” me regji të Blerta Bashollit
SH. Gashi /RTK
Kanë filluar xhirimet e filmit me metrazh të gjatë artistik “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, e njohur për suksesin ndërkombëtar të filmit “Zgjoi”. Filmi po realizohet nga Ikonë Studio (Kosovë) me producentë Valon Bajgora dhe Yll Uka, ndërsa bashkëproducentë janë Alva Film (Zvicër) dhe Kazak Productions (Francë).
Sipas njoftimit nga Qendra Kinematografike e Kosovës, xhirimet kanë filluar më 4 tetor dhe pritet të përfundojnë më 19 nëntor, duke zgjatur gjithsej 35 ditë.
“DUA” është një dramë “coming of age”, e vendosur në Kosovën e viteve 1990, e frymëzuar nga përvojat personale të regjisores. Filmi trajton kërkimin për identitet përmes historisë së një adoleshenteje introverte në një periudhë të ndërlikuar politike.
Në rolet kryesore luajnë Pinea Sylejmani, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Sylejmani, Andi Bajgora, Vlera Bilalli dhe Fiona Abdullahu.
Filmi mbështetet nga një sërë institucionesh ndërkombëtare, përfshirë Centre National du Cinéma et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, Cineforom dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.
Projektin e mbështesin gjithashtu Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Ambasada e Francës në Kosovë, ndërsa The Party Film Sales do të merret me shpërndarjen ndërkombëtare të filmit.























