Avokati i Popullit i reagon KQZ-së për mosakreditimin e mediave
RTKLIve
Avokati i Popullit reagoi të premten lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos akredituar një numër mediash që do të përcjellin Zgjedhjet lokale më 12 tetor 2025.
Në reagim, Avokati i Popullit thekson rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat përçojnë vullnetin politik të qytetarëve dhe garantojnë përfaqësimin demokratik.
Avokati i Popullit thotë se është duke përcjellë me vëmendje situatën e krijuar pas vendimeve të KQZ-së për të mos akredituar një numër mediash, për të përcjellë procesin zgjedhor të Zgjedhjeve lokale më 12 tetor 2025.
“Duke e njohur rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që përçojnë vullnetin politik të qytetarëve dhe garantojnë përfaqësimin demokratik, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen në vlerat e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, që bazohen mes të tjerash në parimet e lirisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, sundimit të ligjit dhe mosdiskriminimit”, thuhet në ragim.
Me theks të veçantë, Avokati i Popullit sjell në mendje rëndësinë dhe rolin kyç që ka media dhe pluralizmi medial, në informimin e opinionit publik dhe transparencën e gjithë procesit zgjedhor.
“Avokati i Popullit inkurajon palët e prekura nga vendimarrja e KQZ-së, të shfrytëzojnë mjetet juridike në dispozicion, përderisa njofton se ka hapur hetime sipas detyrës zyrtare, lidhur me çështjen në fjalë”, thuhet më tej në reagim.
Në reagim, AP rikujton gjithashtu se pa një proces zgjedhor që respekton standardet e demokracisë, nuk mund të ketë respekt të vërtetë të të drejtave të njeriut, dhe anasjelltas, pa respektim të të drejtave dhe lirive të garantuara, nuk mund të ketë zgjedhje të lira, të pranueshme dhe të besueshme.
Vendimi i KQZ-së për mospublikimin e disa mediave ka ngritur shqetësime për transparencën e procesit zgjedhor, sidomos për shkak të rolin kyç që luan media në informimin e opinionit publik dhe monitorimin e procesit nga publiku dhe organizatat ndërkombëtare.























