Kosova përfundoi votimin për zgjedhjet lokale
V. S. & K. K. / RTKlive
( E plotësuar, ora 19:29) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e reja të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhjet lokale deri në ora 19:00. Sipas të dhënave të KQZ-së të procesuara deri në ora 19: 29 nga rreth 95 për qind e vendvotimeve në nivel republike, kanë votuar 39.07 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, apo 791.123 votues.
Kosova përfundoi votimin për zgjedhjet lokale
( E plotësuar, ora 19:00) Me të shënuar ora 19:00 ka përfunduar edhe procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës.
Por, sipas raportimeve të ekipeve të RTK-së në disa komuna të Kosovës, ende ka qytetarë që po presin radhën për të kryer këtë të drejtë qytetare.
Ndërkohë KQZ-ja ende i ka të dhënat e orës 17:00, e që po vazhdojnë të përditësohen nga momenti në moment. Deri tash sipas përditësimeve nga Komisioni Qendror, të proceduara nga rreth 96 për qind e vendvotimeve në nivel vendi,kanë marrë pjesë në zgjedhje 32.90 për qind e qytetarëve.
Edhe pak minuta deri në mbyllje të vendvotimeve
(E plotësuar, ora 18:48) Edhe pak minuta kanë mbetur deri në mbylljen e vendvotimeve në gjithë territorin e Kosovës, ndërkohë KQZ-ja po ende vazhdon të bëjë përditësimin e të dhënave të votuesve që kanë marrë pjesë deri në ora 17:00 në këtë proces lokal zgjedhor.
Shifrat e fundit të përditësuara nga KQZ-ja e të proceduara nga mbi 95 për qind e vendvotimeve tregojnë se përqindja e daljes në zgjedhje deri në këtë kohë është 32. 86 për qind.
Procesimi i të dhënave po vazhdon derisa pas pak minutash pritet të kuptohet edhe pjesëmarrja e saktë e qytetarëve në këtë proces zgjedhor lokal.
KQZ: Nga të dhënat e orës 17:00, deri tash votuan 32,68%
(E plotësuar) Derisa kemi hyrë në orën e fundit të këtij procesi të votimit deri në mbyllje të të gjitha qendrave të votimit, për zgjedhjet lokale, sipas të dhënave të fundit të përditësuara në orën 18:00 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në këtë orë në gjithë territorin e Kosovës kanë votuar 32.66 për qind, apo 661, 434 qytetarë me të drejtë vote, nga 2, 025, 105 votues sa janë në Listën Votuese të KQZ-së.
Kjo shifër e KQZ-së është nga informatat që kanë marrë në mbi 94 për qind e vendvotimeve në nivel vendi.
Radoniqi: Deri në ora 15:00 pjesëmarrja në zgjedhje 25.21%
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditura shifrat e freskuara të pjesëmarrjes së qytetarëve me të drejtë vote deri në ora 15:00.
“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 94% e Vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 510 mijë e 525 votues apo 25.21% nga 2 milionë e 25 mijë e 105 votues”, tha Radoniqi.
Ai ka bërë edhe krahasimin me zgjedhjet lokale të katër vjetëve më parë, ato të vitit 2021.
“Deri në të njëjtën kohë, në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021, kishin votuar 499 mijë e 828 votues apo 26.95% e votuesve, nga 1 milionë 885 mijë e 448 votues. Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe në çdo qendër votimi i gjeni në platformën e KQZ-së, të cilës mund t’i referoheni”, tha tutje Radoniqi.
Kreu i KQZ-së tha se, bazuar në informacionet e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit deri në momentin kur po deklarohet, po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pengesa.
“Deri më tani, nuk janë evidentuar parregullsi që do të ndikonin në integritetin apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve. KQZ mbetet në komunikim të vazhdueshëm me trupat zgjedhore nëpër komuna dhe institucione të ndryshme, me qëllim që të garantohet zbatimi i plotë i ligjit dhe rregullave zgjedhore në çdo hap të procesit. Në të gjitha ato rastet kur ka paqartësi ose problematika të ndryshme, KQZ është duke i trajtuar në kohën më të shpejtë të mundur dhe duke i dhënë zgjidhje”, tha Radoniqi në konferencën e radhës për media që pati KQZ-ja.
KQZ: 16.11% e qytetarëve kanë votuar deri në orën 13:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar shifrat nga procesi i votimit që po zhvillohet në gjithë territorin e Kosovës.
Deri në ora 13:00, sipas të dhënave të publikuara në platformën online të KQZ-së del se kanë votuar 16.11% e qytetarëve në nivel Republike, apo përkthyer në shifra, janë 326 mijë e 240 votues që kanë ushtruar të drejtën e tyre deri në këtë orë, për zgjedhjet lokale në 38 komuna të Kosovës.
Ndërkohë numri i votuesve në Listën e Votuesve sipas KQZ-së është 2,025,105 votues.
KQZ: 7.84% e qytetarëve kanë votuar deri në orën 11:00
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë me dije se deri në orën 11:00, në zgjedhjet që po zhvillohen, kanë votuar 7.84% e qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas të dhënave preliminare nga rreth 94% e vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë votuar është 58 mijë e 691 votues apo 7.84%, nga 2 milionë e 25 mijë e 105 votues.
Radoniqi gjithashtu njoftoi se deri tani nuk janë raportuar parregullsi që mund të cenonin integritetin dhe mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor.
"Deri në të njëjtën kohë, në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021, kishin votuar 152 mijë votues apo 8.2% e votuesve nga 1 milionë 885 mijë e 448 votues", shtoi ai.
Ndërsa anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka ngritur shqetësime për shkelje të rregullave zgjedhore në veri të Mitrovicës. Ai tha se Lista Serbe ka organizuar një tubim gjatë ditës së zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë si shkelje të Kodit të Mirësjelljes, pasi fushata është mbyllur.
Sipas tij, në disa qendra votimi janë krijuar pengesa të qëllimshme. Kurteshi gjithashtu ka kërkuar që mediat serbe RTS dhe Tanjug të deakreditohen për, siç tha ai, përdorimin e gjuhës propagandistike kundër Kosovës.























