Baliqi: Nuk ka pasur incidente të regjistruara në katër komunat veriore
V.S|RTKlive
Të qetë e pa incidente e ka raportuar, Erduan Baliqi, shef i planifikimit rajonal nga Policia e Kosovës, situatën gjatë ditës së sotme kur edhe në katër komunat veriore si në gjithë territorin e Kosovës, po zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet lokale.
Ai në një lidhje të drejtpërdrejtë me gazetarin e RTK-së, Visar Shatrolli para stacionit të Policisë së Mitrovicë të Veriut, tha se deri në këto momente në asnjë nga katër komunat nuk është raportuar ndonjë incident dhe rrjedhimisht nuk ka pasur ndërhyrje nga ana e policisë.
I pyetur për rastin kur Lista Serbe bashkë me shumë qytetarë në mënyrë të organizuar kanë shkuar në një nga qendrat e votimit për të votuar, ai tha se ka pasur organizim në grup për të votuar në të njëjtën kohë, por, sipas tij, në rastin në fjalë nuk është regjistruar asnjë incident.
“Është e vërtetë që kemi pasur një organizim do të thotë nga Lista Serbe, që kanë shkuar në grup në një qendër votuese, por gjithçka ka qenë e qetë dhe nuk është regjistruar ndonjë incident”, tha tutje Baliqi në lidhje të drejtpërdrejt në RTK.
Ka treguar se Policia e Kosovës në të katër komunat në veri të vendit ka përgatitur planin operativ si për gjithë territorin Kosovës dhe tregoi se në çdo qendër votimi në atë pjesë janë nga dy a po tre policë të cilët ofrojnë siguri.























