Fetoshi: Votimi kolektiv nga Lista Serbe, ‘agresion’ elektoral
BKT
Lajme

Fetoshi: Votimi kolektiv nga Lista Serbe, ‘agresion’ elektoral

RTKlive

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj, siç ka thënë, votimit kolektiv të organizuar nga Lista Serbe, duke e cilësuar “agresion” elektoral.

“Organizimi i votimit kolektiv nga Lista Serbe në komunat veriore, është agresion elektoral i Serbisë me qëllim të rikthimit të ‘sovranitetit paralel’, përmes ‘kontrollimit’ të qytetarëve serbë dhe sfidimit të autoriteteve të Kosovës”, ka shkruar Fetoshi në Facebook’. Duke theksuar se votimi është akt individual, i lirë dhe i fshehtë sipas Ligjit për Zgjedhjet dhe standardit të OSBE-ODIHR-it dhe bazuar në monitorimin e ditës së votimit, ai ka vlerësuar se grumbullimi i njerëzve para zyreve të Listës Serbe dhe shoqërimi i tyre drejt vendvotimeve, nuk është vetëm ‘presion’ politik që cenon lirinë e zgjedhjes apo fshehtësinë e votës, por edhe strategji politike për ta ‘demonstruar’ fuqinë e Listës Serbe dhe ‘mbështetjen’ për Serbinë. Sipas tij, forma të tilla presioni, manipulimi e frikësimi, Serbia vazhdon t’i përdorë për ta ruajtur kontrollin mbi komunitetin serb, me qëllim që ta përdorë edhe më tutje si ‘armë’ në luftën speciale kundër Kosovës. “Për këtë arsye, që nuk lidhet vetëm me cenimin e demokracisë, por edhe të sigurisë dhe stabilitetit, këto veprime duhet të adresohen seriozisht nga KQZ-ja, vëzhguesit e zgjedhjeve, institucionet e sigurisë dhe faktorët ndërkombëtarë në krye me SHBA-të”, tha ai.

 

 


MË SHUME NGA Lajme