Teknologjia po krijon varësi tek fëmijët
Sh.G|RTKlive
Në një intervistë për programin e mëngjesit në RTK, psikologia Mirjeta Pestisha ka folur për pasojat e teknologjisë tek fëmijët, duke theksuar se ekspozimi i hershëm dhe i zgjatur ndaj ekranit mund të ketë pasoja të mëdha në zhvillimin emocional dhe neurologjik të tyre.
“Nëse flasim në kuadër të popullit tonë, unë nga përvoja ime profesionale, teknologjia si telefoni, televizioni të dyja janë njëjtë, nuk mund t’i ndajmë duke marrë parasysh dëmtimet që na i sjellin, varësinë që na sjellin”, tha Pestisha.
Ajo u shpreh e shqetësuar për mënyrën se si prindërit po e përdorin teknologjinë për të qetësuar fëmijët, në vend të metodave të tjera më të shëndetshme për zhvillimin e tyre emocional.
“Teknologjinë prindërit po e konsiderojnë si një kujdestar për fëmijët e tyre. Kur fëmijët duhet të gjejnë mekanizma tjerë të qetësimit, ata po e përdorin teknologjinë, e kjo natyrisht është shumë shqetësuese” ,shtoi ajo.
Pestisha theksoi se përdorimi i tepruar i teknologjisë po pengon fëmijët që të shprehin ndjenjat e tyre dhe se pasojat mund të jenë edhe në nivelin e zhvillimit të trurit.
“Kjo nuk po i lejon fëmijët që të shfaqin gjendjen e tyre emocionale dhe ne i dimë edhe dëmtimet e trurit të cilat i sjell teknologjia, sidomos kur fëmijët ekspozohen para ekraneve në moshë shumë të hershme. Nëse fëmijët ekspozohen gjatë para teknologjisë, dëmtimet janë të mëdha”, tha ajo.
Ajo vuri në dukje edhe ndikimin që kanë prindërit në këtë varësi ndaj teknologjisë.
“Fëmijët sot po i modelojnë prindërit, sepse edhe ne jemi shumë të varur nga teknologjia qoftë edhe për punë kur po e përdorim sepse fëmijët po e shohin dhe po e normalizojnë këtë”, përfundoi Pestisha.























