Rama: Procesi i negociatave po ecën me shpejtësi
BKT
Lajme

Rama: Procesi i negociatave po ecën me shpejtësi

V.Th / RTKLive

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit, deklaroi se diskutimet mes tyre kanë prekur të gjitha temat me interes të përbashkët.

Theks të veçantë në takim sipas Rames  kishte rëndësia e posaçme që Komisioni Evropian i jep rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të tij në Bashkimin Evropian.

“Me presidenten kemi pasur një bashkëbisedim që ka prekur gjithë temat e interesit të përbashkët. Natyrisht që, për ne mbetet një moment shumë i rëndësishëm dhe që e vlerësojmë shumë, fakti që presidentja dhe komisioni aktual i japin një rëndësi të posaçme Ballkanit Perëndimor dhe i japin një vëmendje të posaçme procesit të përafrimit të vendeve tona me Ballkanin Perëndimor. Në këtë aspekt kemi folur për ecurinë e procesit të negociatave me BE, një proces që në këndvështrimin tonë dhe sa u dëgjova nga presidentja, është duke ecur me shumë mbarësi dhe shpejtësi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se procesi i negociatave me BE-në po ecën me mbarësi dhe shpejtësi, duke u mbështetur edhe në vlerësimet pozitive nga Presidentja e KE-së. Ai foli gjithashtu për planin e ri të rritjes që Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili synon të mbështesë më tej reformat e nevojshme për integrimin.

“Folëm për planin e ri të rritjes që BE, KE ka vënë në dispozicion Ballkanit Perendimor  duke i dhënë mundësi çdo vendi, që përkundër axhendës dhe formave dhe realizimit të objektivave në kuadër të kësaj axhende të financohet nga BE në mbështetje të thellimit të mëtejshëm të reformave.

Edhe në këtë pikë morëm një vlerësim shumë pozitiv nga ana e Presidentes dhe do vazhdojmë të kryejmë me përpikëri dhe këmbëngulje të gjitha detyrat që kemi marrë përsipër” nënvizoi Rama.

Gjatë konferencës, ai po ashtu deklaroi se në takim u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit dhe sigurisë në rajon, duke pasur parasysh rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor në zemër të Evropës.

“Kemi folur për forcimin e bashkëpunimit në rajon dhe për forcimin e sigurisë në rajon, duke pasur parasysh domosdoshmërinë për të lidhemi shumë më fort në funksion të qëndrueshmërisë sonë në zemër të Bashkimit Evropian nga pikëpamja gjeografike dhe në funksion të nesërmes tonë që është në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Rama theksoi edhe një herë mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.

“Kemi prekur edhe çështjen e rezistencës së Ukrainës ndaj agresionit rus, dhe në këtë pikë jemi plotësisht dakord që duhet të vazhdojmë të mbështesim pa rezervë Ukrainën, sepse aty, përveç të tjerash, zhvillohet një përplasje mes një mënyre të parë të botës dhe të kuptuarit të bashkëjetesës, bazuar mbi parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe Evropës demokratike, dhe një mënyre krejt tjetër të parë të botës që i sfidon dhe kërcënon këto vlera dhe parime,” tha Rama.

Kryeministri Rama vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian për proceset reformuese në Shqipëri, duke shtuar se pa këtë bashkëpunim, përparimi në negociatat për anëtarësim nuk do të ishte i mundur.

Kurse Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Shqipëria ka bërë një progres të mrekullueshëm në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Von der Leyen vlerësoi punën e bërë nga qeveria shqiptare dhe theksoi mbështetjen e saj për ambicien e kryeministrit Edi Rama për të mbyllur grup-kapitujt deri në fund të vitit 2027.

“Mesazhi im i parë është mjaft i qartë: Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE-së. Ju keni bërë një rrugë të gjatë dhe keni bërë progres, por dua të theksoj se ky është një progres i mrekullueshëm, me një shpejtësi rekord dhe një përshpejtim të vërtetë në tre vitet e fundit. Pesë nga gjashtë grup-kapitujt janë të hapur, dhe ne planifikojmë të hapim të fundit në vjeshtë. Qëllimi juaj është të mbyllni negociatat deri në vitin 2027. Është ambicioze, por na pëlqen ambicia. Ne jemi të gatshëm dhe do të jemi me ju në çdo hap të kësaj rruge,” tha Von der Leyen.

Ajo theksoi gjithashtu se Shqipëria është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe sigurinë të Bashkimit Evropian.


MË SHUME NGA Lajme