Java e Kulturës Italiane në Kosovë nis me `Ditën Erasmus`
BKT
Kulturë

Java e Kulturës Italiane në Kosovë nis me `Ditën Erasmus`

K. K. / RTKlive

Nga sot (13) e deri më 19 tetor mbahet edicioni i 25-të i Javës së Gjuhës Italiane në Botë, organizuar nga rrjeti diplomatik-kulturor i Ministrisë së Jashtme nën patronazhin e Presidencës së Republikës së Italisë.

Ambasada e Italisë në Kosovë ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook se ky edicion mbahet me temën “Italofonia: gjuha përtej kufijve” me qëllim festimin e hapësirës gjuhësore, kulturore dhe sociale të italishtes.

Ambasada Italiane në Prishtinë dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë po organizojnë një javë të pasur aktivitetesh kulturore dhe edukative në Kosovë, duke përfshirë seminare, shfaqje filmash, kuize dhe lexime letrare.

Java u hap sot me “Ditën Erasmus të Italisë”, kushtuar mundësive të studimit në Itali për të rinjtë kosovarë. Aktivitetet vijojnë nesër me seminarin “Italishtja në botë” në Universitetin “Hasan Prishtina”, me pjesëmarrjen e profesorit Leonardo Maria Savoia dhe përfaqësuesve lokalë.

Më 15 tetor në Kino Armata do të shfaqet filmi “La Vergine Giurata”. Të enjten, Ambasada organizon një kuiz me nxënësit e shkollës Princeton, një “Kafe Letrare” kushtuar shkrimtarit Stefano Benni dhe lexime në ambasadë nga vepra “Saltatempo”.


MË SHUME NGA Kulturë