`Debat Përnime` nis në RTK dhe RTM 2 për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut
BKT
Lajme

`Debat Përnime` nis në RTK dhe RTM 2 për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

RTKlive

Programi debatues “Debat Përnime”, i zhvilluar mbi standardet e verifikimit të fakteve dhe i organizuar nga BIRN dhe Internews Kosova, fillon transmetimin e debateve zgjedhore për komunat e Maqedonisë së Veriut. Programi do të transmetohet në RTK dhe RTM 2.

Transmetimi do të realizohet në një platformë unike që arrin audiencën e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet kanalit në gjuhën shqipe të transmetuesit publik RTM 2 dhe Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). 

Debati do të drejtohet nga Jeta Xharra, gazetare dhe drejtoreshë e BIRN, Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, raproton Kallxo.com

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës, Hysen Hundozi, tha se ky bashkëpunim mes RTK, RTM 2 dhe organizatorëve të emisionit është me rëndësi të veçantë për publikun. Ai theksoi se programet e verifikimit të fakteve forcojnë rolin e mediave si burim i informacionit të saktë dhe të paanshëm gjatë periudhave zgjedhore.

Sipas Hundozit, ky partneritet i RTK-së me RTM 2 dhe organizatorët i përgjigjet nevojës së publikut për informim të gjerë dhe cilësor, duke kontribuar në rritjen e transparencës, forcimin e debatit publik dhe zhvillimin e një kulture më të shëndoshë demokratike në rajon.

Merita Gashi, kryeredaktore në RTM 2, tha se bashkëpunimi mes dy televizioneve publike ndihmon ngritjen e cilësisë së debatit dhe garanton që audienca të ketë qasje në informacion të verifikuar dhe të saktë gjatë zgjedhjeve lokale. 

Jeta Xharra theksoi se realizimi i emisionit nuk do të ishte i mundur pa dy faktorë kryesorë. Ajo vuri në pah gatishmërinë e kandidatëve për kryetarë komunalë në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në debate serioze dhe të sfidueshme, një pjesëmarrje që sipas saj është thelbësore për cilësinë e diskutimit.

Debatet që do të transmetohen në RTK 1 janë:

E martë, 14 tetor, ora 20:20 – Tetovë

E mërkurë, 15 tetor, ora 20:20 – Saraj

E enjte, 16 tetor, ora 14:00 – Strugë

E enjte, 16 tetor, ora 20:20 – Gostivar

E premte, 17 tetor, ora 14:00 – Butel dhe Likovë

E premte, 17 tetor, ora 20:20 – Dibër

Programi transmetohet gjithashtu në RTM 2 për audiencën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.


MË SHUME NGA Lajme