Gërvalla nderon `Ballistin` me fanellën kuqezi
RTK
Ditë më parë, kombëtarja e Shqipërisë në futboll triumfoi në Leskovc të Serbisë, duke e mundur me rezultat 0-1, pikërisht 11 vjet pas ngjarjes historike të ballafaqimit të këtyre dy kombëtareve, kur në Beograd, përmes një droni, ishte ngritur flamuri AUTOKTONUS nga Ismail Morina, i njohur si Ballisti. Në Shikaj të Kukësit, ku është ndërtuar “Kulla e Autoktonëve”, sot u kujtua kjo ngjarje.
Sot, në Shikaj të Kukësit, u mblodhën të afërm, miq dhe mbështetës për të kujtuar një nga ngjarjet më të veçanta në historinë e futbollit shqiptar, ngritjen e flamurit kuqezi autokton në Beograd më 14 tetor 2014.
Në këtë vend është ndërtuar “Kulla e Autoktonëve”, një objekt që tashmë do të kthehet në atraksion për vizitorë e turistë, si shenjë kujtese dhe krenarie kombëtare. Në kullë janë ekspozuar flamuri që u valëvit mbi stadiumin e Beogradit, droni që e mbarti atë, si dhe vetura me të cilën lëvizi “Ballisti”, protagonisti i asaj nate që hyri në histori.
Në një gjest simbolik dhe të ngrohtë mirënjohjeje, drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla, i dhuroi një fanellë të Kombëtares Ismail Morinës, i njohur si "Ballisti", në përvjetorin e një prej ngjarjeve më të veçanta në historinë e tifozërisë shqiptare.
“Në emër të shoqeve dhe shokëve të RTK-së, domethënë tifozëve kuqezi, patëm dëshirë të të nderojmë me një fanellë të Kombëtares si një simbolikë për 11-vjetorin e asaj vepre që ke bërë për Shqipërinë,” u shpreh Gërvalla me këtë rast.
Mbrëmja e 14 tetorit 2014 mbeti e paharrueshme, jo vetëm për tensionin sportiv e politik që e shoqëroi, por mbi të gjitha për simbolikën që mori më pas, një moment që u kthye në pikë referimi për krenarinë dhe unitetin kombëtar. 11 vjet më pas, “Kulla e Autoktonëve” ngrihet si një kujtesë e përhershme për atë ngjarje që la gjurmë të thella në historinë e sportit dhe në ndjenjat e shqiptarëve kudo që janë.























