Osmani pranon kredencialet nga diplomati i ri gjerman
BKT
Lajme

Osmani pranon kredencialet nga diplomati i ri gjerman

V.S|RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Gjermanisë, Rainer Rudolph. Shefja e shtetit me këtë rast ka thënë se Gjermania ka qenë dhe mbetet aleate e fuqishme e Kosovës dhe një mbështetëse e palëkundur në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Presidentja Osmani i uroi ambasadorit Rudolph mirëseardhje dhe suksese në angazhimin e tij diplomatik në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e pandërprerë të Gjermanisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Bëhet e ditur se në këtë takim në zyrën Presidenciale, u theksua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, si dhe kontributi i çmuar i mërgatës në Gjermani, e cila, siç ka thënë presidentja, përmes angazhimit dhe investimeve të saj po forcon lidhjet mes dy vendeve dhe popujve.

“Presidentja Osmani shprehu bindjen se partneriteti i ngushtë ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë të thellohet në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë gjatë mandatit të ambasadorit”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Republikës, pasi e para e shtetit pranoi kredencialet nga diplomati i ri gjerman i cili do të shpërbejë në Kosovë.

Rudolph, sipas përshkrimit të Ambasadës Gjermane, më parë ka qenë zëvendëspresident i Konferencës së Sigurisë në Mynih. Në kuadër të angazhimit të tij të mëparshëm jashtë vendit, ai ka shërbyer në Përfaqësinë e Përhershme pranë BE-së në Bruksel si dhe në ambasadat gjermane në Varshavë, Uashington, DC dhe Vjenë.

Në Berlin, ai ka qenë i angazhuar dy herë në Zyrën e Kancelarisë Federale, ndër tjerash në Departamentin për Evropën si drejtues seksioni për marrëdhëniet e jashtme të BE-së, zgjerimin e BE-së dhe marrëdhëniet me shtetet anëtare të BE-së.

Rudolph pason ambasadorin e deritashëm të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.


MË SHUME NGA Lajme