KQZ refuzon rreth 2400 vota me postë, shumica për mungesë të dëftesës
V.Th / RTKLive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se deri më tani janë refuzuar rreth 2,400 vota me postë, shumica për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit. Procesi i votimit jashtë Kosovës ka përfshirë 33,841 pako me fletëvotime nga 23 kuti postare në 22 shtete.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi njoftoi se deri në orën 16:00 të ditës së mërkurë, mbi 18,000 pako janë vlerësuar, nga të cilat mbi 15,600 janë aprovuar dhe do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Në vend, KQZ vazhdon procesin e verifikimit dhe numërimit të votave në 38 Qendra Komunale të Numërimit për zgjedhjet e kryetarëve të komunave dhe kuvendeve komunale. Deri në orën 16:00, janë verifikuar rezultatet nga 1,133 vendvotime për kryetarë komunash dhe 1,084 vendvotime për subjektet politike. Po ashtu, janë numëruar votat e kandidatëve nga 1,084 vendvotime.
Procesi ka përfunduar në 9 komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime dhe Klinë.
KQZ ka nisur gjithashtu skanimin e listave të votuesve nga vendvotimet e rregullta për të siguruar që nuk ka votime të dyfishta para fillimit të numërimit të votave me kusht. Të dhënat për kryetarët e komunave, subjektet politike dhe kandidatët për kuvendet komunale po publikohen në platformën zyrtare: resultslocal2025.kqz-ks.org























