Tifozët e Maccabi Tel Aviv ndalohen të ndjekin ndeshjen ndaj Aston Villa
Uran Krasniqi / RTKLive
Klubi i Aston Villa ka njoftuar se tifozët e Maccabi Tel Aviv nuk do të lejohen të marrin pjesë në ndeshjen e Europa League që do të zhvillohet më 6 nëntor, për arsye të sigurisë publike.
Sipas një deklarate të klubit, ky vendim është marrë pas një udhëzimi nga Safety Advisory Group (SAG), organi përgjegjës për dhënien e certifikatave të sigurisë për çdo ndeshje në "Villa Park".
Policia lokale e West Midlands ka shprehur shqetësime për sigurinë jashtë stadiumit dhe për aftësinë për të menaxhuar protesta të mundshme gjatë natës së ndeshjes.
Aston Villa ka thënë se është në dialog të vazhdueshëm me klubin izraelit dhe autoritetet lokale për të garantuar sigurinë e tifozëve dhe banorëve të zonës.
Policia e ka klasifikuar ndeshjen si “rrezik i lartë” bazuar në informacionet aktuale dhe incidentet e mëparshme, përfshirë përplasje të dhunshme gjatë ndeshjes së vitit 2024 në Amsterdam mes Ajax dhe Maccabi Tel Aviv.























