Como befason Juventus
Uran Krasniqi/RTKLive
Skuadra e Como ka arritur një fitore të madhe në Serie A, duke mposhtur Juventus me rezultat 2:0 dhe duke i dhënë fund serisë prej tetë ndeshjesh pa humbje të "bardhezinjve".
Heroi i ndeshjes ka qenë Nico Paz, i cili ka realizuar një gol dhe ka asistuar në tjetrin, duke udhëhequr ekipin drejt një triumfi të rëndësishëm në shtëpi.
Vetëm pas katër minutash lojë, Paz ka dhënë një krosim të saktë në zonë që Marc-Oliver Kempf e ka shndërruar në gol me një goditje të fortë. Juventus është përpjekur të reagojë me raste nga Kenan Yildiz, por pa sukses, ndërsa një gol i Jonathan David është anuluar për pozitë jashtë loje.
Në pjesën e dytë, Como ka vazhduar të rrezikojë. Pas disa tentimeve të humbura nga të dyja anët, Nico Paz e ka vulosur fitoren në minutën e shtatëdhjetë e nëntë me një goditje nga jashtë zonës, duke e dërguar topin në cepin e portës.
Juventus nuk ka arritur të rikthehet në lojë, pavarësisht tentimeve të vonshme të Cambiaso dhe Vlahovic.
Me këtë fitore, Como ngjitet në vendin e pestë të tabelës, ndërsa Juventus zbret në vendin e gjashtë. Aktualisht tabela e Serie A kryesohet nga Inter me pesëmbëdhjetë pikë, por po aq pikë kanë edhe Napoli edhe Roma.























