Carragher kritikon Liverpool-in pas humbjes nga Man United
BKT
Sport

Carragher kritikon Liverpool-in pas humbjes nga Man United

F.B/RTKLive

Pas humbjes 2-1 në “Anfield” ndaj Manchester United, ish-mbrojtësi legjendar i Liverpoolit, Jamie Carragher, ka vënë në dyshim përkushtimin dhe mentalitetin e skuadrës aktuale të “The Reds”.

Kjo ishte disfata e katërt radhazi për kampionët në fuqi të Premier Ligës, që po kalojnë një moment të vështirë.

Duke folur për “Sky Sports”, Carragher tha se problemet e Liverpoolit nuk lidhen vetëm me një aspekt të lojës.

“Nuk është një problem i vetëm, por shumë gjëra bashkë. Disa nga lojtarët më të mirë të sezonit të kaluar nuk janë në të njëjtin nivel dhe gjërat thjesht nuk po funksionojnë tani”, tha ai.

Carragher kritikoi gjithashtu mungesën e fizikalitetit dhe vështirësitë në mbrojtje nga goditjet standarde.

“Nëse shikon afrimet e reja, mbrojtësit e krahut janë mjaft të vegjël, kështu që mungon prania fizike. Në goditjet standarde, skuadra nuk duket mjaftueshëm e fortë dhe po has vështirësi me stilin e lojës në Premier Ligë”, ka theksuar Carragher.

Carragher theksoi edhe ndryshimin psikologjik pas serisë së humbjeve.

“Sezonin e kaluar ndiheshin të pathyeshëm. Tani, sapo humbën një ndeshje, pasuan katër humbje me radhë. Është diçka që s’e beson dot, njësoj si ndodhi me Manchester City-n vitin e kaluar”, pohoi ai.

Sipas tij, Liverpooli ka ende kohë për t’u rikthyer, por kjo kërkon ndryshim qëndrimi.

“Duhet të dalin sa më shpejt nga kjo situatë, por ndoshta nuk do të shohim versionin më të mirë të Liverpoolit deri në gjysmën e dytë të sezonit. Nganjëherë, kjo skuadër duket sikur nuk dëshiron të bëjë punën e pistë”, përfundoi Carragher.

Kritikat e Carragher pasqyrojnë zhgënjimin e tifozëve, ndërsa Liverpooli kërkon rrugën për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.