Osmani:Ta kthejmë kujdesin për shëndetin e qytetarëve në prioritet kombëtar
V.S|RTKlive
Në manifestimin tradicional, “Zbulimi i hershëm-mbijetesë”, që u mbajt nën patronatin e Presidencës së shtetit, e para e vendit, Vjosa Osmani, tha se tetori është muaji kur forca e grave vishet me ngjyrën e shpresës. Osmani tha se çdo beteje e jetës mund të fitohet me dashuri, me kujdes e qëndresë.
“Sot jemi këtu për të nderuar kauzën dhe frymën, frymën e grave që nuk u dorëzuan, që u përballen me frikën dhe e kthyen atë në forcë, grave që edhe në momentet më të vështira frymëzuan shpresë për vetën, familjet e tyre dhe për të gjitha gratë e Kosovës”, tha ajo , derisa ka shprehur mirënjohjen për drejtuesen e shoqatës “Jeta-Vita”, Nafije Latifin, që tha se për dekada u dha zë grave anë e mbanë Kosovës.
Presidentja e shtetit, tha se në çdo takim me gratë ka mësuar diçka të re, për forcën njerëzore. “Prandaj si presidente e kam konsideruar detyrim moral e institucional të mbështesim çdo nismë që sjellë lehtësim e shpresë për to”, vijoi fjalën e saj në këtë manifestim, Osmani.
Presidentja shtoi se, sot më shumë se kurrë duhet të ritheksohet rëndësia e diagnostikimit të hershëm.
“Çdo kontroll, çdo ekzaminim i rregullt është një mundësi për jetë. Sa më herët të ndodhë diagnostikimi, aq më e madhe është shpresa për jetë. E di që rruga nuk është e lehtë, kjo sëmundje kërkon guxim, përballje, përkrahje e shumë dashuri. Kanceri i gjirit nuk është fundi, ai mund të jetë vetëm fillimi i një kapitulli shumë sfidues, por që ju bënë më të fortë e më të vetëdijshëm për jetën”, deklaroi Osmani.
“Le ta kthejmë kujdesin për shëndetin e qytetarëve tanë në prioritet kombëtar, e ta kthejmë dashurinë e solidaritetin në fuqi që shpëtojnë jetë”, tha Osmani në këtë manifestim.
Aty foli edhe doktoresha, Dafina Ademi nga Onkologjia e cila tregoi shifrat e të prekurve me kancer të gjirit brenda këtij viti, derisa tregoi edhe si bëhet menaxhimi gjithëpërfshirës i kësaj sëmundjeje.

“Deri sot këtë vit në Onkologji janë regjistruar 330 vajza e gra e 3 burra të prekur me kancer të gjirit. Mbijetesa e përgjithshme më e mirë arrihet kur kemi një menaxhim gjithëpërfshirës, ngritja e vetëdijes, edukimi shëndetësor, zbulimi i hershëm, diagnostikimi me kohë, kirurgjia e gjirit, trajtimi specifik onkologjik, radioterapia, mbështetja psikologjike, mbështetja fizikale dhe kujdesi paliativ, janë hallkat e menaxhimit gjithëpërfshirës të kancerit të gjirit”, tha ajo.
Ndërkohë, Nafije Latifi nga “Jeta-Vita”, tha se sot janë mbledhur për të nderuar guximin e grave që përballen me ketë sëmundje dhe të riafirmojnë përkushtimin për një sistem më të drejt dhe më të ndjeshëm njerëzor dhe kujdes shëndetësor. Por ajo pati edhe pyetje.

“A kemi vendosur vërtetë pacientin në qendër të sistemit shëndetësor, a po bëjmë gjithçka që mundemi, apo po na mungon empatia, përgjegjësia dhe ndjeshmëria njerëzore që shpesh vlejnë më shumë se çdo terapi kirurgjike dhe me barna?”, tha ajo.
Latifi shtoi se lufta kundër kancerit të gjirit nuk është vetëm betejë mjekësore, por betejë për jetën, dinjitetin e dashurinë njerëzore.























