Mungon dëshmitarja, dështon seanca në rastin `Banjska`
BKT
Foto: Edina Avdiu|RTK
Lajme

Mungon dëshmitarja, dështon seanca në rastin `Banjska`

Edina Avdiu| RTK

(E plotësuar) Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar seanca e së martës ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq. Në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohet dëshmitarja Dragana Antonijeviq, por e njëjta mungoi.

Dëshmitarja Dragana Antonijeviq nuk është paraqitur në gjykatë. Ajo ka deklaruar se ndodhet në Serbi. Për këtë dëshmitare, gjykata konsideron se nuk ka arsyetuar mungesën.

Gjykata do të marrë vendim nëse dëshmitarja do të shoqërohet nga organet e policisë ose do t’i dërgohet ftesa përsëri.

“Për këtë dëshmitare nuk ka arritur që ta arsyetojë mungesën. Gjykata ndërkohë do të presë që ta arsyetojë këtë mungesë në bazë të dokumentacionit apo dëshmive të besueshme, dhe pas saj do të merr vendim nëse e njëjta do të shoqërohet përmes organeve të policisë. Në këto kushte nuk do të mund të vazhdojmë seancën”, deklaroi kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.

Në seancën e radhës pritet të dëshmojë një dëshmitar nga Maqedonia e Veriut.

Vazhdon gjykimi për sulmin terrorist në Banjskë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot nga ora 09:30, vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët po përballen me akuzën për kryerjen e veprës penale të terrorizmit në rastin e njohur si “Banjskë”.

Në seancën e së hënës, dëshmitari anonim me kodin “A2” u dëgjua në një seancë të mbyllur për publikun, pas miratimit nga ana e trupit gjykues të propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e identitetit dhe sigurisë së tij.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, deklaroi se vendimi për mbylljen e seancës u mor pasi u dëgjua edhe qëndrimi i mbrojtjes, duke u bazuar në nevojën për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarit.

Prokurori special, Naim Abazi, tha se kërkesa është bërë në përputhje me dispozitat e kapitullit XIII të Kodit të Procedurës Penale që rregullojnë mbrojtjen e dëshmitarëve anonimë. Ai sqaroi se përmbajtja e dëshmisë së “A2” përfshin rrethana që, në rast të publikimit, mund të cenojnë sigurinë e dëshmitarit dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor.

Kërkesa u kundërshtua nga mbrojtja. Avokati i të akuzuarit Spasojeviq, Lubomir Pantoviq, deklaroi se prokuroria nuk ka paraqitur arsye konkrete që justifikojnë përjashtimin e publikut dhe kërkoi refuzimin e propozimit.

Dëshmitari “A2” është një nga tre dëshmitarët anonimë të propozuar në këtë proces, përkrah “F1” dhe “X1”.

Tre të akuzuarit kryesorë po gjykohen për pjesëmarrje në një sulm të armatosur të ndodhur në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit, përmes përdorimit të armatimit të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës për t’ia bashkangjitur Serbisë.

Ndërkohë, gjykata ka refuzuar propozimin që gjykimi ndaj 42 të akuzuarve të tjerë – 41 persona fizikë dhe një person juridik – të vazhdojë në mungesë.

 


MË SHUME NGA Lajme