Franca mbështet zgjedhjet në Kosovë dhe dialogun me Serbinë
E.H / RTKlive
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesi i Francës, Jay Dharmadhikari, theksoi mbështetjen e vendit të tij për raundin e parë të zgjedhjeve në Kosovë, që u mbajtën më 12 tetor. Sipas tij, zgjedhjet kaluan pa incidente dhe me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.
Përfaqësuesi francez Jay Dharmadhikari gjithashtu ka theksuar rëndësinë e një kalimi të qetë të pushtetit në komunat veriore.
Ai ka kërkuar që të respektohen zotimet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Përfaqësuesi i Francës theksoi se nuk ka alternativë pozitive për asnjërën palë, as për Kosovën dhe as për Serbinë pa normalizimin e marrëdhënieve, që është thelbësore për integrimin në BE.
Për të arritur një normalizim të qëndrueshëm, ai theksoi se të dyja vendet duhet të respektojnë marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit. Në këtë kontekst, ai tha se Franca mbështet formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Në lidhje me sulmin në Banjskë, Jay Dharmadhikari theksoi se është e papranueshme që autorët e krimeve të mbeten të lirë, dy vjet pas ngjarjes. Ai kërkoi që të gjithë ata që janë përgjegjës për këto sulme të sillen para drejtësisë sa më shpejt.
Në fund, ai e vuri theksin te mandati i UNMIK-ut, duke theksuar se ky mandat është i lidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duhet të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të siguruar stabilitet afatgjatë.























