Bajrami: Renditja e Kosovës nga Henley & Partners nuk pasqyron realitetin
G.K/RTKlive
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, i cili bëri të ditur se Kosova është renditur ndër vendet më të sigurta në botë për të investuar, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve të publikuar nga organizata Henley & Partners.
Në një postim në Facebook, deputetja Bajrami, ka theksuar se indeksi nuk reflekton realitetin ekonomik, duke thënë se Kurti e ka gjetur një organizatë që e rendit Kosovën para Belgjikës, Francës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë për qëndrueshmërinë e investimeve.
Bajrami ka vënë në dyshim reputacionin e organizatës, duke thënë se për të ka lexuar në një shkrim në “The Guardian”.
Ajo ka shtuar se realiteti ekonomik për të cilin kryeministri Kurti nuk ka folur përfshin "rritje të çmimit të energjisë elektrike për bizneset deri në 300% këtë vit, largimin e mbi 250,000 qytetarëve nga vendi, shumica me viza pune, një deficit tregtar prej 5.4 miliardë euro në vitin 2024, investime kapitale të ulëta, inflacion 4.7% në shtator 2025, rritje të normave të interesit, qëndrimin e Kosovës nën masa ndëshkuese të BE-së që nga viti 2023 dhe pa qasje në fondet e “Planit të Rritjes”".























