Krasniqi: Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër
BKT
Lajme

Krasniqi: Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër

E.H / RTKlive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës, pas dështimit për të siguruar shumicën e votave në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës të së dielës.

Sipas tij, dështimi i formimit të Qeverisë tregon qartë se Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) janë përgjegjës për krizën politike në vend.

“Kemi pasur nëntë muaj bllokadë dhe sot u vërtetua ajo që kemi thënë që nga hera e parë. Albin Kurti nuk i ka numrat. 56 vota për dhe asnjë më shumë. Albin Kurti më nuk do të jetë kryeministër as prej 9 shkurtit e as prej zgjedhjeve të ardhshme. Koha e qeverisjes së tij ka marrë fund,” ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka sqaruar se PDK nuk do të synojë formimin e një shumice të re nga opozita, duke lënë të kuptohet se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Krasniqi ka thënë se ka bërë përpjekje për t'i dhënë vendit qeveri nga partitë e opozitës por nuk kishte sukses.

“Nëse na fton presidentja do t'i them që nuk kemi shumicë sepse kjo nuk është e mundshme. Kurti u vërtetu që nuk ka shumicë, por nuk kemi as ne, prandaj duhet të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme sa më parë”, ka deklaruar Krasniqi.


MË SHUME NGA Lajme