‘Në luftë me fatin’, dokumentari rrëqethës i RTK-së u shfaq në `Kino ABC`
BKT
Lajme

‘Në luftë me fatin’, dokumentari rrëqethës i RTK-së u shfaq në `Kino ABC`

V.S|RTKlive

E mbushur përplot ishte salla e Kinemasë ABC në Prishtinë, aty ku u shfaq premiera e filmit dokumentar “Në luftë me fatin”, prodhim i Radiotelevizionit të Kosovës me autorët, Venera Xhoxhaj Adili e Ilir Kabashi, një rrëfim prekës për përballjen e një familjeje me sfida të mëdha gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, dhe luftën e tyre të dyfishtë për mbijetesë.

Si spektator aty ishin edhe dy protagonistët e këtij filmi dokumentar, Bukurije e Aziz Rama, prindërit heronj të Erëblinës atëbotë 1 vjeçare e gjysmë.

Filmi dokumentar shpjegon historinë e kësaj familjeje që si mijëra të tjerë kërkonin shpëtim përmes trenit që qonte drejt Bllacës në vitin 1999, por që nuk arritën të dilnin matanë kufirit.

Me dy fëmijë të vegjël, djalin dy vjeç e gjysmë e Erëblinën 1 vjeç e gjysmë, ata kishin mbetur edhe pa ushqimin e tyre, qumështin, bukën e kripën që i kishin sa për mbijetesë.

E këtu nis historia rrëqethëse e këtyre prindërve. Erëblina e vogël nuk dinte çfarë po ndodhte përreth, ajo pareshtur qante duke kërkuar shishen me qumështin e saj, deri kur në një moment zërin e saj nuk e dëgjuan më prindërit. Ajo nuk jepte asnjë shenjë se ishte gjallë. Dhe kështu kaluan disa ditë, dhe streha e saj, ani pse mendohej që ishte vdekur, u bë çanta e nënës që e mori me vete deri kur i rikthyen dhunshëm sërish në një fshat të Kosovës.

Ata ishin rikthyer në shtëpinë e fëmijërisë së nënë Bukurijës, aty ku edhe u hap varri për Erëblinën, por që nëna me ngulm kërkonte që ta mbante edhe pak afër me shpresën se ajo do t’i hapte sytë. Dhe mrekullia ndodhi kur uji  kripa që i prekën buzët e saj të vogla e riktheu atë në jetë.

Siç kishte triumfuar përballë vdekjes, Erëblina gjatë jetës së saj kishte triumfuar edhe në shumë fusha në kulturë e sport duke u bërë edhe medaliste.

Drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla tha se kjo është një nismë që do ta fillojë ciklin e dokumentarëve që do të shfaqen për publikun si këtë herë.

“Ky dokumentar na mëson se tingulli i parë i jetës nuk është thjeshtë një e qarë, është një thirrje drejt nënës, drejt perëndisë, është dëshmia e parë e ndërgjegjes që zgjohet nga gjumi i mosqenies. Kur fëmija qanë, universi i përgjigjet. Duke shikuar dokumentarin mësuam se çdo damarë që na rreh na bënë të kuptojmë se nëna është dëshmia e përjetësisë”, tha Gërvalla

Autorja, Venera Xhoxhaj-Adili tha se ndjehet e nderuar për besimin që ia dha familja që historinë e cila ishte e padëgjuar deri tash, e mbyllur brenda katër muresh, ta bënte histori të Kosovës.

 “Prandaj, faleminderit miliona herë familjes e cila pranoi që historinë e tyre që deri dje ishte e mbyllur brenda katër muresh, më besuan që ta bëjë histori të njohur për të gjithë. Fillimisht kjo nisi si ide për dokumentar që RTK i transmeton në kuadër të ciklit për rrëfimet e luftës. Por, rrëfimet e nënës e babait të Erëblinës na prekën deri në palcë, mendova se ajo nuk mjaftonte. Erëblina dhe familja e saj meritonin më shumë, dhe ja ku jemi sot që këtë histori rrëqethëse ta ndajmë me ju përmes  këtij ekrani të madh kinemaje”, tha Xhoxhaj -Adili.

Aktorët, Afrim Muçaj e Rabije Kryeziu që kishin rolet e prindërve në këtë film dokumentar e bënë atë edhe më të fuqishëm, duke bërë publikun ta përjetonin ngjarjen sikur po shihnin realitetin.

Filmi dokumentar “Në luftë me fatin” që mori duartrokitje pa ndalë nga shikuesit në premierë, do të shfaqet edhe në ekranin e RTK-së të enjten.


MË SHUME NGA Lajme