Ngërçi politik rrezikon buxhetin / Video
Arbresha Berisha / RTK
Mosmiratimi në kohë i buxhetit të vitit 2026, vlerësohet se do ta godasë drejtpërdrejt ekonominë e vendit.
31 tetori është data e fundit kur ligjërisht Qeveria e Kosovës do të duhej ta dërgonte të miratuar në Kuvend Projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm.
Kur kanë mbetur edhe dy ditë kohë, njohës të fushës bëjnë thirrje që të gjendet një zgjidhje e shpejtë për kalimin e tij.
“Kuvendi ekzistues me këtë përbërje, nëse ekziston vullneti politik i palëve mund të pajtohen që ta miratojnë buxhetin për vitin vijues dhe pastaj ky problem mund të zgjidhet. A ekziston një vullnet i tillë duket që jo, kështu që do të mbetet që zgjedhjet të mbahen pastaj ti shikojmë kombinacionet politike që do të jenë në kuvendin e Kosovës”, ka thënë Bekim Salihu, hulumtues në institutin GAP
Nëse nuk miratohet projekt-buxheti, paralajmërohen pasoja të mëdha në funksionimin e shtetit, bllokim i projekteve të reja, e po ashtu rrezikim i pagave e pensioneve.
“Pasojat do të jenë që edhe Komunat edhe institucionet e tjera shtetërore nuk do të mund të planifikojnë ekzekutim të buxhetit në janar të vitit 2026”, ka thënë Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD.
E gjithë kjo pastaj thuhet se do të ndikojë negativisht edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Mosmiratimi i buxhetit sigurisht që ndikon edhe në zhvillimin ekonomik dhe kjo tashmë është dëshmuar, sepse nuk mund të merren vendimet të cilat ndikojnë në qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik. Qoftë në investime kapitale, qoftë në investimet tjera si në shëndetësi dhe në të gjitha sferat tjera. Prandaj Kosova po hyn në një qorr sokak i cili vë në pikëpyetje zhvillimin ekonomik për faktin që buxheti nuk miratohet dhe operohet 1/12 e buxhetit që pamundësohet investimet kapitale, pamundësohen pagat..”, ka thënë Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.
Çështja e buxhetit pritet të diskutohet në konsultat që presidentja Vjosa Osmani do t'i zhvillojë me partitë politike, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për ta shmangur bllokimin financiar të shtetit.
Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se duhet të bëjnë konsultime me juristët se si të lëvizet para me buxhetin e vitit të ardhshëm.























