Kurti: Nuk kam armë tjetër për konsensus përveç logjikës dhe racionalitetit
B.H./RTKlive
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, ku u miratua Projektbuxheti i vitit 2026, ka theksuar se përpjekja e tij është që ky buxhet të miratohet në legjislaturën e nëntë të Kuvendit, duke bërë thirrje për konsensus të bazuar në logjikë dhe racionalitet.
“Sa i përket konsensusit unë i thërras logjikës dhe racionalitetit, pra konsensusi nënkupton logjikë ku vlejnë aspektet universale të menduarit dhe në anën tjetër racionaliteti, ku ne bashkërisht shpresoj do të mund ta kemi një situatë ku në Kuvendin e Republikës, meqenëse kemi kuvend të konstituuar, ky buxhet i rritur dhe i mirë do të kalojë në legjislaturën e nëntë, e cila tash e ka edhe shtëpinë e vet, Kuvendin e Republikës. Prandaj, nuk kam armë tjetër për të arritur konsensus përveç se logjikës dhe racionalitetit”, ka theksuar Kurti.
Ai ka shtuar se tashmë Kuvendi i Kosovës është konstituuar dhe se është koha që të funksionalizohet plotësisht.
“Veçse kjo shtëpi duhet të funksionojë, nuk mjafton ta kesh, duhet edhe të funksionojë e të operacionalizohet. Funksionimi i kuvendit nënkupton formimin e komisioneve parlamentare. Nuk e kuptoj pse nuk i formojnë komisionet. Por e them edhe një herë nuk kam argumente të tjera bindëse që janë jashtë logjikës ose racionalitetit, jashtë interesit publik dhe vlerave ligjore dhe kushtetuese që i ndajmë bashkë”, ka thënë Kurti.
Sa i përket miratimit të buxhetit, kryeministri në detyrë ka deklaruar se ky proces është zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, siç është bërë çdo vit nga kjo qeveri.
“Çdo vit në bazë të ligjit të menaxhimit të financave publike, 31 tetori është afati i fundit për të miratuar ligjin në qeveri. Nuk jam i sigurt nëse kjo ka ndodhur në të kaluarën, por kjo është e sigurt se ka ndodhur gjithmonë me ne. Çdo buxhet prej vitit 2021 për 2022 e kështu me radhë, kësaj radhe 2025 për 2026 ne e bëjmë në muajin tetor, nganjëherë është 30 tetori, nganjëherë 31 tetori, e nganjëherë një ditë më herët, por nuk e bëjmë në shtator. Kjo bëhet në javën e fundit të tetorit dhe në këtë rast e kemi bërë me 31 tetor. Prandaj, kjo nuk është ndonjë risi pse po e bëjmë miratimin e propozimit të buxhetit në ditën e fundit të tetorit, sepse Ligji i menaxhimit të financave publike e kërkon një gjë të tillë”, ka theksuar Kurti.
Në pyetjen se pse nuk ka pritur që këto vendime t’i marrë pas krijimit të qeverisë së re, Kurti ka thënë se vendimi për të vepruar tani është marrë për t’iu përgjigjur pritjeve të qytetarëve.
“Pse nuk kemi pritur që këtë ta bëjmë me vonë? Nëse 200 mijë pensionistë, nëse 150 mijë punëtorë që preken dhe pritet të ndikohen nga rritja e pagës minimale, nëse 400 fëmijë do të ishin dakord që këtë ne ta shtyjmë më vonë, edhe unë do të isha dakord, por jam i bindur se ata presin që prej momentit kur ka fol kryeministri dhe është e rëndësishme që një ditë e më parë të kalohet në realizimin e tyre. E kemi lexuar dhe rilexuar ligjin dhe kemi ardhur në përfundim se mund ta bëjmë. Rrjedhimisht nuk kemi pse ta shtyjmë. A do të ishte më mirë si një qeveri me mandat fuqiplotë katërvjeçar në vijim, sigurisht se do të ishte mirë. Por besoj se më mirë kështu, edhe që vazhdojmë të jemi në qeveri në detyrë e që i morën këto vendime të mira, sesa të themi të presim për qeverinë e re, e cila nuk e dimë se a ndodh sivjet apo vitin e ardhshëm dhe vetëm atëherë do të mund t’i gëzonim ato që i premtoj kryeministri. Meqenëse është e mundur t’i bëjmë ato gjëra të mira, duhet t’i bëjmë”, ka nënvizuar ai.
Sipas tij, realizimi i premtimeve para kohe është arsye për gëzim, jo për ankesa.
“Kur i realizojmë premtimet para kohe nuk besoj se duhet të ketë ankesa. Nëse nuk mbahen premtimet atëherë duhet të ketë ankesa. Po u realizuan ato para kohe për besë është mirë që të gëzohemi të gjithë bashkërisht. Asnjëherë Ligji i Buxhetit për vitin e ardhshëm nuk është miratuar në vitin e ardhshëm, gjithmonë është bërë përbrenda vitit fiskal. Ligji për buxhetin e vitit 2022, është miratuar në dhjetor të vitit 2021 është miratuar në dy leximet, e kështu me radhë. Asnjëherë nuk e kemi kaluar 1 janarin pa Ligjin për Buxhet. Natyrisht qeveria e ka kryer punën në tetor, por edhe kuvendi e ka kryer punën në dhjetor. Kësi lloj stabiliteti dhe disipline institucionale nuk ka pasur para neve”, u shpreh Kurti.
Lidhur me takimin e paralajmëruar në zyrën e Presidentes me liderët e partive politike, Kurti tha se do të marrë pjesë me qëllim konstruktiv e me optimizëm.
“Në takimin që do ta kemi në zyrën e presidentes aty do të diskohet tema për të cilin jemi ftuar, e kjo është hapat e mëtutjeshëm meqenëse në tentimin e parë nuk u arrit formimi i qeverisë së re. Unë dua të shkoj me konstruktivitet dhe optimizëm aty”, ka theksuar Kurti.























