Banorët e ndërtesës së përfshirë nga zjarri përballen me pasojat nga shiu
BKT
Lajme

Banorët e ndërtesës së përfshirë nga zjarri përballen me pasojat nga shiu

Valjeta Shala/ RTK

Banorët e një ndërtese në lagjen Kalabri të Prishtinës, që u përfshi nga zjarri në muajin qershor, vazhdojnë të përballen me probleme të shumta, sidomos kur reshjet e shiut po depërtojnë nga kati në kat.

Për këtë çështje sot Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka ndarë mjete buxhetore në shumë prej 40 mijë euro për meremetimin e kulmit të Kullës III në Rrugën "Ali Vitia"në Kalabri në Prishtinë, pas dëmtimit nga zjarri.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se katër muaj nga përfshirja e zjarrit në kulmin e një ndërtese në lagjen Kalabri të kryeqytetit, edhe më tej ndihet era e rëndë e shkrumbit. Nga zjarri që përfshiu kulmin dhe banesat në bllokun 3 të kësaj lagjeje, tashmë ndërtesat janë përfshirë edhe nga uji i reshjeve të shiut, i cili në vazhdimisht po depërton në brendësi për shkak të dëmtimeve të mëdha në kulme.

Një nga familjet e prekura është edhe ajo Durmishi. Zonja e shtëpisë, në mëngjesin e hershëm gjendet duke bërë përpjekje për ta larguar ujin që ka depërtuar brenda banesës së saj, tashmë pothuajse të shkatërruar.

 “Gjithë gjërat që kanë qenë këtu, asgjë nuk ka mbetur. Edhe këto që kanë mbetur, po shkatërrohen”, tha Fatmire Durmishi, banore.

Si pasojë, edhe katet e poshtme të ndërtesave tashmë janë prekur nga lagështia dhe rrjedhjet e ujit. “Na kanë premtuar kompensim, por nuk kemi marrë asnjë ndihmë, as nga komuna, as nga qeveria. Është rrezik që banesat të mbeten të pabanuara, sepse gjatë gjithë kohës ka rrjedhje uji”, tha Sabit Restelica, banor.

Banorët thonë se janë detyruar të gjejnë vetëstrehim të përkohshëm pasi u mungon ndihma, ndërsa kanë krijuar edhe një fond për sanimin e dëmeve.

Ndërkaq, nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë bëjnë të ditur se kryeqyteti ka siguruar strehim të përkohshëm dhe po mbulon kostot e qirasë mujore për pesë (5) familje nga Fondi Emergjent i kryeqytetit.

 


MË SHUME NGA Lajme