Kryeshefi i ‘Ibër-Lepencit’ del me sqarim rreth vërshimit të vend-punishte
A.S |RTK & A.B/ RTKLive
( e plotësuar, ora 10:30) Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc, ka dal me sqarim rreth vërshimit të punimeve të punishtes.
“Mbrëmë kemi pasur një rritje të papritur të nivelit të ujit në lumin Ibër e që ka shkaktuar dëme materiale në punishten e urës së re që po ndërtohet te tre rrokaqiejt në Mitrovicë. Shkak i kësaj ngritjeje të nivelit është sasia e madhe e ujit në digën e Pridvoricës për shkak të reshjeve të shumta ditëve të fundit në rrjedhën e epërme të lumit si dhe të rrëshqitjes së kanalit te Zubin Potoku dhe nevojës emergjente që uji i tepërt nga kanali të bartet në lumë. Kemi ardhur në situatë të kalkulojmë dëmin më të vogël edhe pse edhe kjo e krijuar nuk është për tu nënçmuar”, ka shkruar Mujka në Facebook.
Sipas tij, me rëndësi është se konstruksioni i urës nuk është rrezikuar asnjëherë.
“Duhet të sqarohet se nuk është dorë njeriu që ka krijuar dëmin por dora e njeriut e ka minimalizuar dëmin e mundshëm shumë më të madh e afatgjatë. Aty në punishte për shkak të punimeve është krijuar një fyt i ngushtë i cili nuk ka mundur ta përcjellë nivelin e ardhur. Niveli është stabilizuar brenda një ore dhe sot vazhdojmë me sanimin në kanalin kryesorë duke tentuar që niveli ujit të jetë sa më i kontrolluar”, tha ai.
Duke shtuar se mirëmbajtja e nivelit minimal të ujit në lumin Ibër gjatë verës dhe vjeshtës ndryshon maksimalisht dhe fatkeqësisht mund të ndodh edhe një situatë e tillë sikur ajo mbramë.
“Ky rast të mos përdoret as për qëllime politike apo elektorale sepse nuk ka fare të bëj me to. Është thjeshtë çështje operacionale. Andaj edhe deklarimet të jenë të balancuara e posaçërisht nga operatori ekonomik për të cilin nga fillimi i Korrikut e kemi pregaditur planin e punës sonë pa marr parasysh nevojat reale dhe humbjet financiare të ndërmarrjes sonë. Me siguri se edhe ai ka pjesën e vetë të përgjegjësisë për mënyrën e organizimit të punishtes. I falemnderojmë të gjithë për mirëkuptim me shpresë që të mos përsëritet më”, tha ai,
Vendpunishtja tek ura e lumit Ibër pas vërshimit nga uji/VIDEO
(E plotësuar) Kështu duket tani vendpunishtja, pasi uji i lumit Ibër depërtoi pas mesnatës në vendpunishten ku është duke u ndërtuar ura e re për këmbësorë që lidh veriun dhe jugun e Mitrovicës, duke shkaktuar vështirësi për ekipet e punimeve.
Në vendpunishte akoma nuk është izoluar zona, ndërsa eskavatorët ende qëndrojnë në ujë.
Kurse zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani tha për RTK se s'ka elemente për vepër penale.
"Dëmet që janë shkaktuar aty te pajisjet janë për t'u diskutuar mes Ibër-Lepencit dhe kompanisë që po i kryen ndërtimet", tha ai për RTK.
Sot do të ketë zvoglim të nivelit të ujit në kanalin kryesor “Ibër-Lepenc”
Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” , njofton se nga kompania “Ibër-Lepenc” janë informuar se gjatë ditës së sotme do të ketë zvoglim të nivelit të ujit në kanalin kryesor “Ibër-Lepenc”.
"Si pasojë e kësaj, Impiantet për Trajtimin e Ujit në Shipol dhe Balinc do të punojnë me kapacitet të reduktuar të prodhimit, gjë që mund të shkaktojë mungesë të ujit, veçanërisht në zonat e larta të qytetit dhe fshatrat përreth. Ekipet tona janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për normalizimin e furnizimit sapo të stabilizohet niveli i ujit në kanalin “Ibër-Lepenc”, njofton Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”.
Nimani për RTK: Uji u lëshua me qëllim të caktuar
( e plotësuar) Punëkryesi i projektit, Jahir Nimani, ka deklaruar për RTK se kjo situatë është ndërhyrje e qëllimshme njerëzore. Ai ka kërkuar reagim e hetim urgjent nga institucionet e sigurisë, policisë e prokurorisë për të zbardhur rastin.
Nimani, tha se dëmet janë të mëdha, pasi që pajisje dhe struktura ndërtimore që ndodheshin në proces punimesh janë dëmtuar.
Uji i Ibrit depërton në vendpunishten e urës për këmbësorë
Uji i lumit Ibër ka depërtuar pas në mesnate në vendpunishten ku është duke u ndërtuar ura e re për këmbësorë që lidh veriun dhe jugun e Mitrovicës, duke shkaktuar vështirësi për ekipet e punimeve.
Sipas RTK-së, pjesa më e madhe e punishtes është përmbytur, pasi niveli i ujit është rritur në një pjesë të konsiderueshme.























