VMRO-DPMNE dhe VLEN fitojnë shumicën e komunave në Maqedoninë e Veriut
BKT
Lajme

VMRO-DPMNE dhe VLEN fitojnë shumicën e komunave në Maqedoninë e Veriut

Besnik Iseni/RTK-Shkup

Partia VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga kryeministri Hristian Mickovski, ka dalë fituese në shumicën e komunave të Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet lokale të mbajtura më 2 nëntor. Sipas të dhënave zyrtare, kjo parti ka fituar në 54 komuna, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit, që ka status të veçantë administrativ.

Në vend të dytë është renditur koalicioni shqiptar VLEN, i cili ka fituar nëntë komuna në nivel shteti: Tetovë, Çair, Dibër, Saraj, Haraçinë, Tearcë, Zhelinë, Bogovinë dhe Dollnen. Po ashtu, VLEN-i mbështeti kandidatin e pavarur Mendi Qira, i cili fitoi në Strugë.

Përfaqësuesi i VLEN-it, Adnan Azizi, tha se rezultati konfirmon ndryshimin politik brenda elektoratit shqiptar.

“Sot përfundimisht u rrumbullaksua ndryshimi tek shqiptarët. VLEN arriti fitore bindëse thuajse në ë gjitha komunat ku ishim në balotazh. VLEN është forca e dytë brenda shtetit”, tha Azizi.

Ndërkohë, LSDM-ja ka siguruar gjashtë komuna, ndërsa Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka fituar katër komuna: Studeniçan, Likovë, Pllasnicë dhe Plasnicë. Nga kjo parti thanë se e pranojnë rezultatin me përgjegjësi.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se pavarësisht fitimit të shumicës së votave në nivel vendi, partia e tij nuk arriti të sigurojë më shumë poste komunale.

“Ne kemi fituar shumicën e votës popullore në mbarë vendin me 23 mijë vota më shumë, por nuk kemi arritur të fitojmë garën për kryetar të komunave. Ne e pranojmë këtë rezultat me respekt dhe përgjegjësi”, deklaroi Ahmeti.

Nga një komunë do të drejtojnë partia e Maksim Dimitrievskit dhe Unioni i Romëve.

Në këto zgjedhje, partitë shqiptare kanë humbur Kërçovën dhe Bërvenicën, komuna që për shumë vite udhëhiqeshin nga përfaqësues shqiptarë. Të dyja këto komuna i ka fituar partia e kryeministrit Mickovski.

Në katër komuna të tjera të Maqedonisë së Veriut, ku nuk është arritur cenzusi i daljes në votime, do të organizohen zgjedhje të reja.


MË SHUME NGA Lajme