Lufta e një nëne, si lufta e tërë shoqërisë
Anamari Repiq/RTK-Beograd
Një vit pas tragjedisë në Novi Sad, ku humbën jetën 16 qytetarë, lufta për drejtësi ka vazhduar në zemër të Beogradit. Dijana Hrka, nëna e njërës prej viktimave, ka nisur një grevë urie para Kuvendit të Serbisë, duke kërkuar të vërtetën dhe përgjegjësinë për humbjen e jetëve. Lufta e saj është kthyer në simbol të qëndresës qytetare kundër padrejtësisë dhe heshtjes institucionale.
Nën një çadër të improvizuar, në një karrige pranë hyrjes së Kuvendit të Serbisë, qëndron një nënë që prej një viti kërkon drejtësi për djalin e saj.
Pavarësisht të ftohtit, provokimeve dhe fyerjeve që, sipas saj, vijnë nga mbështetës të pushtetit të vendosur në kampin përballë, Dijana Hrka vazhdon grevën e urisë që prej 2 nëntorit.
“Jam mirë. Erdhi populli im, erdhën studentët dhe nxënësit e mi, fëmijët e mi. Jam mirë,” thotë ajo, teksa qytetarët afrohen për ta përqafuar dhe inkurajuar.
Asaj nuk iu lejua të qëndronte përpara hyrjes kryesore të Kuvendit, prandaj ajo vendosi çadrën vetëm pak metra më tej, përballë kampit të mbështetësve të presidentit Aleksandar Vuçiç.
Një gardh metalik dhe kordoni policor ndajnë dy botë të ndryshme: në njërën anë mbështetësit e pushtetit, në tjetrën një nënë që kërkon drejtësi dhe qytetarët që e mbështesin.
Dijana Hrka kërkon vetëm përgjegjësi institucionale.
“Milosh Vuçeviq më premtoi se të gjithë fajtorët do të jenë në burg. Edhe ai, edhe Vuçiç e thanë këtë. Por asgjë nuk ka ndodhur. Një vit me radhë më kanë gënjyer,” deklaron ajo.
Kërkesat e saj përfshijnë ndëshkimin e përgjegjësve për tragjedinë në Novi Sad, lirimin e studentëve të arrestuar dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Hrka thotë se do të qëndrojë para Kuvendit derisa këto kërkesa të plotësohen.
“Mbështetja e njerëzve më mban gjallë. As policia, as ofendimet nuk do të më ndalin,” u shpreh ajo.
Edhe sot, para Kuvendit është mbledhur një numër i madh qytetarësh, mes tyre edhe deputetë të opozitës, të cilët e kanë vizituar Dijanën dhe janë zotuar se do të ngritin zërin në parlament kundër neglizhencës së pushtetit ndaj kërkesave të saj.
Ndërkohë, vetëm disa metra më larg, në sallën e Kuvendit, opozita ka zhvilluar një debat të ashpër me përfaqësuesit e pushtetit. Deputetët opozitarë pyetën kryetaren e parlamentit dhe ministrat nëse janë të vetëdijshëm për protestën që po zhvillohet para derës së institucionit.
Pavle Grboviq, kryetar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, tha se “Dijana Hrka po bën grevë urie sepse korrupsioni në të cilin merrni pjesë i mori jetën fëmijës së saj”.
Ndërsa Marinika Tepiq nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë vlerësoi se “pushteti aktual ka arritur në pikën e kolapsit moral, nga e cila nuk ka më kthim pas”.
E rrethuar nga mbështetja e qytetarëve, por edhe nga heshtja e institucioneve, Dijana Hrka thotë se nuk do të ndalet deri në arritjen e drejtësisë.
“Faleminderit qytetarëve të mi. Do të shkojmë deri në fund. Ne mundemi. Dashuria dhe uniteti gjithmonë fitojnë”, është mesazhi i nënës që është bërë simbol i qëndresës në një shoqëri që ende kërkon drejtësi për tragjedinë që më 1 nëntor 2024 tronditi Serbinë.























