Zgjidhjet klimatike nga Finlanda: Shembulli për t’u ndjekur (pjesa e dytë)
BKT
Lajme

Zgjidhjet klimatike nga Finlanda: Shembulli për t’u ndjekur (pjesa e dytë)

Behare Bajraktari/RTK Green

Helsinki tetor 2025 -Në Helsinkin e qelqtë, përveç gjetheve të rëna rishtas asnjë mbeturinë nuk mund ta gjeje në rrugë, në parqe apo trotuare.

Qetësia karakterizuese e finëve të kujton fjalinë se edhe ‘zhurma’ e qetësisë dëgjohet.

Kultura fine është fine. Ta mendosh se vetëm para një shekulli ata shpallën Pavarësinë pas pesë shekujsh nën mbretërinë e Suedisë dhe më pas lufta me Rusinë, varfërinë që e karakterizoi Finlandën. Por ja ku janë duke prirë në botë për digjitalizim, teknologji, arsim dhe zgjidhje inovative për ekonominë qarkore që e kanë shumë primare. Ndërsa, zgjidhjet klimatike si dhe vendi i parë në botë për ujë të pastër, barazi gjinore dhe liritë individuale.

Çfarë shembulli i jashtëzakonshëm nga Finlanda e Santa Clausit të Laplandisë, e Moomi-t, personazhe të njohura imagjinare nga Finlanda, ato krijesat e bardha, të rrumbullakëta, që duken pak si arusha polare ose hipopotamë të vegjël. Finlanda  e feston 9 gushtin si ditën simbolike dhe të ditëlindjes se krijueses së familjes Moomin , Tove Jansson. Heleniku e ka dyqanin ekskluziv të familjes së Moominëve, ku mund të blesh lloje-lloje figurash, kartolinash me çmime si speci djegës.

Finlandezët ekzistencën e tyre e bazojnë në natyrë, ashtu si edhe Moominvalley (Lugina e Moominëve) – një vend imagjinar plot natyrë, aventura dhe personazhe të çuditshme, siç është Moomintroll – personazhi kryesor, kureshtar dhe i butë. Pastaj Moominmamma – nëna, shumë e dashur dhe e qetë; Moominpappa – babai, aventurier dhe filozofik; Snufkin – mik i ngushtë i Moomintroll-it, jeton i lirë dhe udhëton; dhe Little My – vajzë e vogël e guximshme, shpesh ironike dhe me humor. Si vetë finët që janë, edhe Moominët kanë shumë filozofi të butë mbi miqësinë, pranimin e ndryshimeve, si dhe natyrën dhe lirinë.

Si po bëhet lider botëror Finlanda për zgjidhjet klimatike?

Toka e finëve (Finlanda) tashmë është bërë një nga liderët botërorë për zgjidhjet klimatike, duke e shndërruar veprimin për klimën në strategji shtetërore, ekonomike dhe kulturore. Popull që bazohet në vlera individuale dhe profesionale, ku kompanitë e saj janë multikulturore dhe ndërkombëtare, duke u mbështetur në vlera të përbashkëta. Gjatë programit “Zgjidhjet klimatike të Finlandës”, të prezantuar para dhjetë gazetarëve nga mbarë bota, përfshirë edhe Kosovën, u paraqit mënyra se si ata e kanë bërë strategji kombëtare “Neutralitetin Klimatik 2035”. Madje, ata janë 10–15 vite përpara Agjendës së Gjelbër të BE-së (European Green Deal), e cila ka për objektiv që Evropa të bëhet kontinenti i parë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050, gjë që nënkupto se të gjitha emetimet e gazeve serrë që prodhohen në BE do të kompensohen me reduktime ose me thithje natyrore të karbonit, derisa bilanci të bëhet zero neto.
Kosova, në vitin 2020, së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor, ka nënshkruar Deklaratën e Sofjës për Agjendën e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor BP.

Foto

Nga ana tjetër, Finlanda ka tashmë pozitë shtetërore Ambasadore për Klimën dhe Mjedisin, znj. Soili Kangaskorpi, e cila shkëmbeu përvoja me gazetarët e botës në një darkë shumë të bukur, duke na uruar një mirëseardhje të përzemërt në shtëpinë “Sunn”, një nga shtëpitë më të vjetra prej guri në Helsinki.

Përveç zgjidhjeve inovative, finlandezët e ruajnë trashëgiminë me shumë fanatizëm, siç është kjo shtëpi e ndërtuar në vitet 1763–1770 nga tregtari Per Hansson Sunn, i cili ndërtoi këtë ndërtesë trekatëshe në buzë të sheshit të tregut. Në atë kohë, sheshi i tregut ishte më modest. Oborri i shtëpisë së Sunn dikur ishte një fabrikë tubash, por tash edhe ne patëm fatin ta shijojmë pamjen e sheshit ku dikur finët shikonin filmat e Kesä Kino Engel gjatë verës.

Për t’ju kujtuar se Helsinki u bë kryeqyteti i Dukatit të Madh të Finlandës në vitin 1812. Pionierja më e famshme e restoranteve në Turku, Çajsa Wähllund, u zhvendos gjithashtu në Helsinki në vitin 1819. Ajo themeloi një han në shtëpinë e Sunn, i cili kishte dhoma për mysafirë dhe shërbime restoranti. Lokali gjithashtu strehonte një nga sallat publike të bilardos në Helsinki. Gazeta Helsingfors Tidningar shkruante shpesh se njerëzit më të mirë që vizitonin qytetin qëndronin në Mamselle Wähllund’s. Përveç udhëtarëve të zakonshëm, hani ishte gjithashtu vendqëndrim për zyrtarë të lartë dhe artistë të ndryshëm udhëtues që vizitonin qytetin.

Dukej qartë që ishte një shtëpi e vjetër që nga pamja dhe arkitektura, por ndjehej shumë aroma e shtëpisë së shekullit të 18-të – sikur aroma e një libri të vjetër – ndërsa pastërtia ishte shkëlqim i vërtetë.

Karakteristikat kryesore të fasadës së Shtëpisë Sunn kanë mbetur pothuajse të pandryshuara për gati 200 vjet.

Finlanda na uroi mirëseardhje në një shtëpi me histori të trashëguar ndër breza, e cila ndodhet në zemër të qytetit, pranë Sheshit të Senatit. Pamja nga dritarja e katit të dytë është spektakolare në çdo stinë.

Ambasadorja Kangaskorpi, një grua fine, e mprehtë dhe elegante, me sy ngjyrë qielli – jo fort të çelët – me kostum ngjyrë hiri dhe flokë gështenjë, ishte ulur mes gazetarëve duke treguar dhe dëgjuar përvojat e të gjithëve mbi gazetarinë, çështjet mjedisore e klimatike, si dhe përvojat e saj politike e diplomatike, aspak të thjeshta, ashtu si kudo tjetër.

Sigurisht, Kosova kishte mjaft për të prezantuar në këtë aspekt, pasi kemi themeluar Gazetarinë e Gjelbër, emisionin e posaçëm RTK Green, si dhe Manualin e Gazetarisë së Gjelbër dhe Ndryshimeve Klimatike, ndër të tjera.

Finlandezët besojnë se, që veprimi ndaj klimës të ketë një ndikim më të madh, duhet të ndajmë praktikat më të mira dhe të ndërtojmë partneritete. Dhe pikërisht këtë po e bën Finlanda përmes programit “Climate Solutions from Finland”, duke prezantuar para gazetarëve të botës zgjidhjet e saj klimatike përmes Departamentit të Komunikimit dhe Diplomacisë Publike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, në kuadër të një vizite mediatike që synon të promovojë përvojat dhe zgjidhjet finlandeze për klimën.

Finlandezët thonë: “Shpresa jonë është që këta shembuj të frymëzojnë veprime të reja ndaj klimës në të gjithë botën dhe të inkurajojnë organizatat dhe kompanitë e reja të punojnë së bashku me aktorët finlandezë të klimës.”

Ministria e Klimës dhe e Mjedisit

Ashtu si të gjitha institucionet që ndodhen në qendër të Helsinkit, aty gjendet edhe Ministria e Klimës dhe Mjedisit. Por, fillimisht le të themi disa fjalë për Presidencën, e cila është vërtet përrallore, me pamje mahnitëse nga deti. Po këtë pamje e ka shijuar edhe këtë vit (2025) Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e cila, me ftesë të Presidentit finlandez Alexander Stubb, u prit me nderime shtetërore. Po të ishin kohërat e vjetra dhe të besonim se sirenat ekzistojnë, atëherë prej detit deri brenda në Presidencë ato do të mund të arrinin lehtësisht përmes pak metrash. Mbase edhe ka ndodhur në të kaluarën!?

Por, kur jemi te Presidenca, Presidenti finlandez po konsiderohet si një prej politikanëve më të mprehtë. Madje, gjatë qëndrimit tonë në Helsinki, në muajin tetor 2025, në Uashington u nënshkrua marrëveshja ndërmjet SHBA-së dhe Finlandës, sipas së cilës Roja Bregdetare e SHBA-së do të blejë deri në 11 anije akullthyese për të forcuar sigurinë kombëtare të SHBA-së në Arktik.
“Ne po blejmë akullthyeset më të mira në botë, dhe Finlanda është e njohur për prodhimin e tyre,” tha Trump, duke u ulur krah për krah me Stubb në Zyrën Ovale. Akullthyeset e reja të mesme që do të përdoren nga Roja Bregdetare e SHBA-së pritet të kushtojnë rreth 6.1 miliardë dollarë. Për këtë mprehtësi po flasim gjatë gjithë këtij reportazhi për Finlandën, e cila – siç thonë vetë finlandezët – “jemi vend i vogël”.

Edhe pse gjatë muajit gusht, kur Presidenti Trump priti në Shtëpinë e Bardhë liderët evropianë, ai – edhe pse e kishte përballë – pyeti se ku ishte Presidenti Stubb, sikur nuk e njohu?!

Por tani po hyjmë në Ministrinë e Klimës dhe Mjedisit. Në të djathtë të hyrjes ndodhej punonjësi që verifikonte emrat e vizitorëve përmes dokumenteve dhe jepte një kartë të bardhë me stemën e Finlandës, emrin e vizitorit, vendin e punës, datën dhe sallën ku do të shkonim.
Qetësia dëgjohej kudo, përveç kur u prish për pak çaste nga gazetarët-vizitorë, teksa varnim xhaketat në një raft të thjeshtë, por të bukur dhe praktik. Derisa gazetarët ngjiteshin shkallëve për në katin e sipërm, në korridore ishin ekspozuar punime të ndryshme dhe shumë interesante, si një lloj ekspozite. Gjithçka ishte e pastër; muret me ngjyra qumështi dhe gri të lehtë, të kombinuara me thjeshtësi dhe harmoni – sikur deti të shtrihej aty brenda.

Sapo zunë vendet gazetarët, erdhi drejtuesja e njësisë së politikave klimatike në Ministrinë e Mjedisit të Finlandës, znj. Outi Honkatuk, e cila ka qenë edhe negociatore e klimës në OKB që nga viti 2008, me një fokus të veçantë në financimin e klimës.

Për ne kosovarët, viti 2008 është vetë jeta jonë – viti kur krijuam shtetin që e kishim ëndërruar për shekuj. Për këtë, shumë merita i takojnë ish-Presidentit finlandez Martti Ahtisaari, i cili në shkurt 2007, si i dërguar special për statusin e Kosovës, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, e në shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë mbi bazat e vlerave demokratike.

Ish-Presidenti i Finlandës Martti Ahtisaari, edhe në vitin 1999, kishte shkuar për të negociuar kapitullimin e Beogradit që po bombardohej nga NATO, si dhe në 2005, kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e emëroi si emisar për statusin final të Kosovës. Për shkak të punës dhe angazhimit të tij për paqe në botë, në vitin 2008 Ahtisaari u nderua me Çmimin Nobel për Paqe. Ai, njeriu që ka merita të mëdha për faktin që kosovarët sot kanë shtet, mbylli sytë përgjithmonë në vitin 2023, por do të jetojë përgjithmonë në historinë e Kosovës.

Pasi iu nda Çmimi Nobel për Paqe, në fjalimin e tij ai tregoi se çfarë e kishte shtyrë të kalonte një pjesë të madhe të karrierës së tij në zgjidhjen e konflikteve. Kemi shumë të përbashkëta me popullin finlandez në përpjekjet për krijimin e shtetit. Ahtisaari ishte pak më shumë se dy vjeç kur lufta e detyroi atë dhe familjen e tij të evakuoheshin. Edhe një fëmijë i vogël mund të kuptonte se si ishte të kërkoje strehim në shtëpitë e njerëzve të tjerë.

Ashtu si populli i Kosovës, që ka përjetuar shumë luftëra, edhe populli finlandez ka kaluar përmes vuajtjeve të mëdha – por i ka mposhtur të gjitha, duke u bërë lider botëror në paqe, zhvillim dhe humanizëm.

Gjatë ligjëratës, udhëheqësja për klimën, znj. Outi Honkatuk, teksa fliste për ndryshimet klimatike, vuri theksin te komuniteti Sami, i cili po kërcënohet ndjeshëm nga pasojat e këtyre ndryshimeve. Ajo theksoi se jetesa e tyre tradicionale, si kullotja e drerëve dhe peshkimi, është prekur nga rritja e industrisë dhe nxjerrja e burimeve natyrore, të nxitura nga ndryshimet klimatike, të cilat po ushtrojnë presion mbi tokat dhe të drejtat e Sami-ve, ndërsa masat e përshtatjes po ndikojnë gjithashtu në kulturën e tyre.

Bazuar në shoqërinë demokratike finlandeze, duket se edhe Martti Ahtisaari e ka projektuar “Pakon e Ahtisaarit” për Kosovën mbi parimin që komunitetet jo shumicë të kenë të drejtat e tyre, ashtu siç i ka komuniteti Sami në Finlandë, i cili është i vetmi popull indigjen i njohur që jeton brenda kufijve të Bashkimit Evropian. Përveç Finlandës dhe Suedisë, Sami-t jetojnë edhe në Norvegji dhe Rusi.

Shteti finlandez është i shqetësuar sepse të gjitha këto rajone po ngrohen më shumë se tre herë më shpejt se mesatarja globale, gjë që do të thotë se Sami-t tashmë po përballen drejtpërdrejt me ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Populli Sami ka përfaqësues të vet, duke përfshirë parlamentet kombëtare individuale në Norvegji, Suedi dhe Finlandë, si dhe një Këshill të përbashkët Parlamentar Sami. Këto organe përfaqësojnë Sami-t në çështjet politike, ruajtjen kulturore dhe forumet ndërkombëtare, duke adresuar tema që lidhen me të drejtat e tokës, gjuhën dhe jetesën tradicionale.

Ekonomia rrethore në sytë e ministres së Klimës dhe Mjedisit, Sari Multala

Ashtu siç ka miratuar strategjinë “Finlanda neutrale ndaj karbonit 2035”, strategjinë kombëtare të klimës dhe energjisë, duke ecur përpara të gjitha vendeve evropiane, Finlanda ka përgatitur edhe një program strategjik për promovimin e ekonomisë rrethore. Qëllimi është që deri në vitin 2035, ekonomia të transformohet në një model të bazuar në parimet e ekonomisë rrethore.

Ky ishte edhe theksi në ligjëratën e Ministres së Klimës dhe Mjedisit, znj. Sari Multala, e cila foli se si në të ardhmen Ministria e Mjedisit do të përqendrohet edhe më shumë në zgjidhje gjithëpërfshirëse për krizën e qëndrueshmërisë ekologjike, duke udhëhequr tranzicionin e gjelbër dhe krijimin e mjediseve të jetesës që mbështesin mirëqenien.

Natyra, për finlandezët, është Zot, prandaj të gjitha veprimet e tyre i bazojnë në zhvillim të qëndrueshëm dhe ekonomi me zgjidhje të bazuara në natyrë.

Në programin e tyre strategjik për promovimin e ekonomisë rrethore, Finlanda ka ndërtuar një model ekonomik të së ardhmes, që ndihmon në zbutjen dhe kontrollin e krizës klimatike, në parandalimin e humbjes së biodiversitetit dhe në uljen e mbikonsumimit të burimeve natyrore. Në një ekonomi rrethore, produktet dhe materialet qëndrojnë në përdorim të sigurt dhe për një kohë të gjatë.

Një ekonomi rrethore nuk ka të bëjë vetëm me riciklimin, por përfshin gjithashtu shërbime me qira, riparime dhe ndarje, duke krijuar një cikël të vazhdueshëm përdorimi pa mbetje. Ashtu si Marrëveshja e Gjelbër për Ekonominë Rrethore, e cila aktualisht mbetet me një angazhim vullnetar – jo detyrues.

Nesër vazhdimi: Zgjidhjet klimatike nga Finlanda: Energjia e burimeve natyrore dhe riciklimi (3)


MË SHUME NGA Lajme