KQZ miraton vendime për përgatitjet e raundit të dytë të zgjedhjeve
V.Th / RTKLive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme miratoi disa vendime që lidhen me përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.
Në mbledhje, ndër çështjet kryesore ishte procesi i akreditimit dhe konfirmimit të vëzhguesve të subjekteve politike, organizatave vendore e ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesve të mediave që do të monitorojnë balotazhin.
Në fillim të mbledhjes, KQZ miratoi akreditimin dhe konfirmimin e 8,049 vëzhguesve nga shtatë subjektet politike të certifikuara, të cilat garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash. Këta vëzhgues do të jenë të pranishëm në qendrat e votimit në të gjitha komunat ku do të zhvillohet procesi zgjedhor.
Gjithashtu, u miratua akreditimi i vëzhguesve nga organizatat joqeveritare dhe përfaqësitë diplomatike, të cilat do të kenë mandat për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor gjatë balotazhit të 9 nëntorit.
KQZ miratoi edhe akreditimin e përfaqësuesve të mediave vendore dhe ndërkombëtare që do të raportojnë nga qendrat e votimit dhe do të ndjekin zhvillimet gjatë ditës së zgjedhjeve.
Gjatë diskutimeve, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ngriti shqetësimin për vonesat në dërgimin e fletëvotimeve për qytetarët e Kosovës që jetojnë në vendet skandinave, veçanërisht në Norvegji.
“Ka shumë persona që nuk e kanë marrë postën me kohë. Afati për pranimin e fletvotimeve po afron dhe disa nuk kanë mundur të votojnë. A ekziston mundësia që të shtyhet ky afat?”, tha Kurteshi.
Anëtari tjetër i KQZ-së nga i njëjti subjekt, Alban Krasniqi, kërkoi që Divizioni përkatës të raportojë për situatën dhe të shqyrtohet mundësia e shtyrjes së afatit në rastet kur ka pasur vonesa postare.
“Sipas informacioneve që kam marrë, ka vonesa sidomos në vendet skandinave dhe në disa raste edhe në Gjermani. Duhet të shohim nëse një pjesë e zarfeve të dërguara të premten mund të arrijnë pas afatit, që të mos mbeten votuesit pa të drejtën e tyre,” theksoi Krasniqi.
Në fund të mbledhjes KQZ shpalli edhe rezultatin përfundimtar për Kuvendin Komunal të Gllogocit.























