Zgjidhjet klimatike nga Finlanda: Energjia dhe riciklimi (pjes e tretë)
BKT
Në Fokus

Zgjidhjet klimatike nga Finlanda: Energjia dhe riciklimi (pjes e tretë)

Behare Bajraktari/RTK Green

Pas Helsinkit, Vanta është qyteti i dytë më i madh në Finlandë. Përveç kësaj, e ka një veçori tjetër, pasi ka ngritur një nga kompanitë më të mëdha të energjisë urbane në Finlandë. Vantaan Energia po synon të jetë kompania kryesore e energjisë me ekonomi rrethore në vendet nordike deri në vitin 2035.

Dekada e Finlandës 2025 -2035 Vantaan Energia

Zona e impiantit në Vanta, që përfshin impiantin e shndërrimit të mbeturinave në energji, zgjerimin e tij dhe impiantin e djegies me temperaturë të lartë që do të vihet së shpejti në punë, është përqendrimi më i madh i rikuperimit të mbetjeve për përdorim energjie në vendet nordike.
Një prezantim me shumë detaje nga zëvendëspresidenti i lartë (PR) dhe çështjeve publike, z. Juha Luomala, tregoi për prodhimin e energjisë nga mbeturinat dhe furnizimin me ngrohje për finlandezët.

Prodhimi i energjisë nga kjo kompani gjigante bëhet nga nxehtësia e qarkut e prodhuar në vitin 2024, ku 66% bazohej në mbetje të përziera, 17% në bioenergji dhe pjesa tjetër 17% në lëndë djegëse të tjera.
Finlanda, në vitin 2026, nuk do të përdorë më lëndët djegëse fosile. Ndërsa Kosova përdor qymyr deri në 95% për të prodhuar energji elektrike, duke qenë edhe ekonomia më e varur nga qymyri në Evropë. Termocentralet me qymyr janë burimi më i madh i ndotjes së ajrit dhe gazeve serrë në Kosovë. Megjithatë, Kosova ka filluar të planifikojë kalimin drejt energjive të pastra, por procesi është ende në fazë të hershme.

Pyetja më e thjeshtë është: Pse nuk krijojmë më shumë partneritete me Finlandën?

Të gjitha mbeturinat shkojnë në këtë incinerator për t’u djegur dhe për t’u bërë pjesë e ekonomisë rrethore si një pjesë thelbësore e ngrohjes qendrore në Vantaa, me 600 mijë ton mbetje që shndërrohen në energji çdo vit, ose rreth 90%.
Në vazhdën e programit, të mos e lëmë anash edhe detajin për kthimin e shisheve të plastikës dhe të çelikut. Po në këtë qendër, para rreth dy vitesh, kishte qenë në vizitë ish-ministri i MMPPI-së, z. Liburn Aliu, me kabinetin e tij – për këtë na tregoi Tommi Vihavainen, Drejtor për Shërbimet e Prodhuesve, TIK dhe Komunikim në PALPA Suomen Palautuspakkaus Oy.
PALPA është një kompani jofitimprurëse (pra, i përket shtetit, si shumë kompani të tjera në Finlandë), detyra e së cilës është të menaxhojë dhe zhvillojë sistemet e riciklimit të paketimit të pijeve të depozituara në Finlandë. Finlandezët kthejnë më shumë enë pijesh të depozituara për person se kushdo tjetër në botë. Që prej fillimit të vitit e deri më tani, finlandezët kanë kthyer rreth 2 miliardë shishe.

Sistemi i kthimit të shisheve në Finlandë ka filluar që në vitin 1952, para saj ishte Danimarka më 1941 gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në Danimarkë u vendos për herë të parë një sistem kombëtar për kthimin e shisheve të qelqit për shkak të mungesës së materialeve gjatë luftës, qelqi ishte i shtrenjtë për t’u prodhuar dhe qeveria daneze vendosi që çdo shishe të kishte një vlerë kthimi, për t’u ripërdorur në fabrikë. Suedia e adoptoi modelin menjëherë pas luftës, në fund të viteve 1940. Në Kosovë së paku gjatë viteve të ’80-ta shishet e qelqit riktheheshin dhe rimbursoheshin, por tash jo.
Kosova e ka miratuar Udhëzimin Administrativ për ambalazhin dhe mbeturinat e ambalazhit, por akoma asgjë konkrete nuk ka në terren, përveç pagesës së qeseve e cila ka filluar në 2023 në të gjitha dyqanet dhe marketet me çmimin prej 5 centëve.
Megjithatë, është interesant për shembull ky sistem nuk ka shtrirje në Francë, këtë fakt e përmendi edhe gazetarja e gazetës pariziene “Figaro”, Anne-Laure Frémont, e cila në shaka tha: “Mbase ne francezët jemi ca dembel”. Megjithatë, Franca ka pasur për dekada një sistem tjetër riciklimi, por në vend të sistemit të depozitës për çdo shishe, Franca ka përdorur një sistem të riciklimit përmes kontejnerëve të ngjyrave (të verdhë, të gjelbër, kaltër). Riciklimi organizohet nga kompani publike dhe private përmes sistemit “Eco-Emballages”, i cili financohet nga taksa që paguajnë prodhuesit e ambalazheve.

Sistemi i ri ka hasur në rezistencë politike dhe komunale, sepse komunat franceze, të cilat kanë një rol të madh në menaxhimin e mbeturinave, e kundërshtojnë sistemin e depozitës, nga frika se do të humbin të ardhurat nga riciklimi.
Ndërsa, sipas standardeve të BE-së, Franca ende nuk ka arritur normat e kërkuara, ku Bashkimi Evropian i kërkon Francës që deri në vitin 2029, ashtu si të gjitha vendet anëtare, të riciklojë 90% të shisheve plastike. Franca aktualisht riciklon rreth 60–65%, pra është prapa objektivit. Prandaj, qeveria e Presidentit Macron ka deklaruar se planifikon të nisë projektin pilot në disa rajone gjatë viteve 2025–2026 për shishet plastike dhe kënaçet. Synimi është që ai të funksionojë në shkallë kombëtare deri në vitin 2027.

Nesër vazhdimi: Zgjidhjet Klimatike nga Finlanda: SITRA truri i gjelbër i Finlandës (4)

 


MË SHUME NGA Në Fokus