​​​​​​​Zgjidhjet klimatike nga Finlanda: SITRA - truri i gjelbër (pjesa 4)
BKT
Në Fokus

​​​​​​​Zgjidhjet klimatike nga Finlanda: SITRA - truri i gjelbër (pjesa 4)

Behare Bajraktari/RTK Green

Jo rastësisht SITRA-n e lamë për në fund nga aspekti institucional, sepse është truri dhe zemra e zhvillimit të Finlandës. Ajo u themelua në vitin 1967, në 50-vjetorin e pavarësisë së vendit. Fondi i Inovacionit Kombëtar është “truri i gjelbër” i Finlandës, institucioni që lidh shkencën, politikën dhe biznesin në një vizion të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.

SITRA është institucion publik i pavarur, nën mbikëqyrjen e Parlamentit të Finlandës. Në vitet 1967–1992 investimet qeveritare në kapitalin e fondacionit ishin 84 milionë euro, ndërsa në vitin 2024, vlera e tregut të kapitalit të fondacionit, sipas Jussi Nevanlinna nga SITRA, ishte 986 milionë euro.

Në SITRA vazhdimisht theksojnë pavarësinë e tyre profesionale dhe institucionale, jo vetëm duke udhëhequr vendin drejt zhvillimeve, por edhe në Evropë e më gjerë, duke gjeneruar financa të larta. Ata thonë vazhdimisht: “Jemi të pavarur!”

Kur u themelua SITRA, si ishte Kosova?

Sa për krahasim, në vitet ’60, sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 1961, analfabetizmi në Kosovë ishte rreth 70% te popullsia mbi moshën 10 vjeç. Te gratë, kjo shifër ishte edhe më e lartë – mbi 80%, ndërsa në zonat rurale, analfabetizmi arrinte deri në 90%. Pra, deri në fund të viteve ’50, Kosova ishte rajoni më i varfër dhe më i paza zhvilluar në Jugosllavi.
Vetëm pas viteve ’70, me hapjen e Universitetit të Prishtinës (1970) dhe ndërtimin masiv të shkollave, analfabetizmi filloi të bie ndjeshëm.

Çfarë humbje e madhe për popullatën, veçanërisht për gratë, krahasuar me gratë finlandeze.

Ashtu siç flitet për fuqizimin e grave në Finlandë, që filloi me të drejtën e votës dhe të kandidimit në vitin 1906, Finlanda (që atëherë ishte pjesë e Perandorisë Ruse si Grand-Dukati i Finlandës) bëri një reformë historike, duke u bërë vendi i parë në botë që u dha grave të dyja të drejtat njëkohësisht – të drejtën për të votuar dhe për të kandiduar për parlament.
Në zgjedhjet e vitit 1907, gratë morën pjesë për herë të parë dhe u zgjodhën 19 gra në parlament (nga 200 ulëse). Kjo ishte hera e parë në histori që gratë morën pjesë në vendimmarrje politike në një parlament kombëtar. Pas Luftës së Dytë Botërore, ato filluan të marrin poste ministrore dhe pozita të larta qeveritare, veçanërisht në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.
I përmendëm këtu gratë për të sjellë në mendje pse Finlanda është një shtet me kulturë dhe përgjegjësi të lartë sociale – sepse gruaja ka fuqizuar familjen dhe komunitetin. Për të forcuar edhe më shumë këtë fakt, studime të shumta tregojnë se gratë në pushtet kanë tendencë të investojnë më shumë në edukim, shëndetësi, mjedis dhe politika sociale. Finlanda është shembulli më i dukshëm në Evropë, ku përfaqësimi i grave ka përshpejtuar tranzicionin digjital, politikat klimatike dhe përparimin social. Ashtu siç e kanë edhe ambasadoren për klimën, e cila është grua.

SITRA e ndryshoi Finlandën përgjithmonë

SITRA, kur u themelua, kishte qëllim të forconte zhvillimin ekonomik, shkencor dhe teknologjik të vendit. Madje edhe gjatë ligjëratave dhe prezantimeve që bënin zyrtarët e SITRA-s, vazhdimisht e potenconin se janë institucion i pavarur, funksionon si fond vetëfinancues dhe nuk merr para nga buxheti shtetëror.

Pse SITRA është truri i gjelbër jo vetëm i Finlandës?

Ata i kanë propozuar Komisionit të ardhshëm Evropian “Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane 2.0”, me qëllim që ta vendosin natyrën në zemër të vendimmarrjes.
Po nxisin konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e biznesit përmes ruajtjes së natyrës. Gjurma e biodiversitetit të finlandezëve llogaritet për herë të parë, një hap i rëndësishëm përpara në luftën kundër humbjes së biodiversitetit. Në SITRA thonë se misioni i tyre është të përshpejtojnë mirëqenien dhe rritjen ekonomike brenda kufijve të kapacitetit mbajtës të natyrës.

Mendo për të ardhmen

Çka nëse…?

Luksi të shtrihet edhe te kafshët shtëpiake?

Privatësia e të dhënave të shtrihet deri në tualet?

Telefonat inteligjentë të ndaloheshin në vendet publike?

Përgatitja për fundin e botës të bëhet normalja e re?

Harrojmë se çfarë është fëmijëria?

SITRA po krijon mendje të mprehta duke i shtyrë njerëzit të mendojnë pak më thellë për gjëra që duken krejt të paimagjinueshme se mund të ndodhin. Edhe pse ka fakte të mjaftueshme se gjatë shekujve bota ka përjetuar zhdukje masive, prandaj le të mendojmë se edhe ne mund të zhdukemi një ditë, po sikur dinosaurët. Po sikur Roma e lashtë, e cila shkaktoi shumë luftra, kriza politike, pushtime, dhe pas saj nisi errësira e Mesjetës. Po sikur qytetërimi Maya, i cili u zhduk si pasojë e një thatësire shekullore, mes shumë konflikteve dhe zhpyllëzimit. Në historinë e Tokës kanë ndodhur shumë zhdukje masive, madje duke u zhdukur mbi 70% e gjallesave dhe duke lënë hapësirë për forma të reja jete.

Ashtu siç jemi dëshmitarë, në shoqërinë tonë moderne po ndodhin zhdukje që mund të konsiderohen aktualisht të padukshme. Në epokën digjitale, zhdukja ka marrë formë tjetër; jo një zhdukje klasike e një specie apo qytetërimi, por e zakoneve, profesioneve dhe lidhjeve njerëzore.

Gradualisht po zhduken profesionet tradicionale, sepse makinat dhe inteligjenca artificiale i zëvendësojnë. Po zhduket koha e bisedave të gjata, e zëvendësuar nga ekranet. Po zhduket lidhja me natyrën, sepse jeta urbane mbyll njeriun në beton. Po zhduken kulturat lokale, sepse globalizimi i përzien të gjitha; madje shumë gjuhë do të zhduken deri në fund të këtij shekulli.

Sinjale të dobëta nga e ardhmja

Një sinjal i dobët është shenja e një problemi në zhvillim ose simptoma e parë e ndryshimit. Sipas SITRA-s, sinjalet e dobëta sfidojnë sistemin aktual. Ato na ndihmojnë të identifikojmë ndryshimet në zhvillim, të përgatitemi për befasi dhe të sfidojmë supozimet rreth së ardhmes. Sinjalet e dobëta gjithashtu mund të na ndihmojnë të vlerësojmë zgjedhjet dhe veprimet tona aktuale. Në çdo epokë, diçka është zhdukur, një specie, një qytetërim apo një mënyrë jetese — por çdo zhdukje ka sjellë diçka të re, një rilindje të mundshme!
 

Sot, sfida e njerëzimit është të mësojë të jetojë pa shkatërruar, që të mos bëhemi ne vetë epoka e re e zhdukjes.

A mund ta imagjinoni për shembull si do të jetë ballina e një reviste në vitin 2046?

Sa për rikujtim, në Kosovë përveç revistës mujore për të rinj të KFOR-it, “For You”, nuk botohet më asnjë gazetë apo revistë tjetër, përveç me raste ndonjë tirazhi special të ndonjë gazete.
Edhe dy muaj na ndajnë nga viti 2026, pra janë edhe 20 vite deri në 2046 për ta dhënë një vështrim në të ardhmen e mundshme:
Po sikur mendimet tona të mos jenë më private? Po sikur telefonat celularë të ndaloheshin në vendet publike? Po sikur të moshuarit të fillonin të kryenin krime për t'u futur në kujdesin dhe komunitetin e burgut?
Revista e re JOS (Po sikur) e SITRA-s i transporton lexuesit në një të ardhme ku disa nga sinjalet e dobëta të sotme janë bërë realitete të përditshme. Qëllimi i botimit është të nxisë diskutime rreth të ardhmes dhe të forcojë aftësinë tonë për të lundruar.
Ashtu siç është e vërtetë sa vetë jeta jonë se të kaluarën s’mund ta ndryshojmë, prandaj të menduarit për të ardhmen i jep kuptim ndryshimeve aktuale.
Mendjet e ndritura të SITRA-s po thonë se ka shumë të ardhme të mundshme dhe ne mund t'i ndikojmë ato. Madje ne kemi përgjegjësinë të mendojmë afatgjatë, të krijojmë një kuptim të përbashkët të ndryshimeve dhe t’i sfidojmë supozimet e vjetra.
Madje, për gazetarët kuriozë “që mendojnë për të ardhmen”, mund të tregojnë histori të ardhmes rrënjësisht të ndryshme. Mund të dëgjoni me kujdes se çfarë thonë zërat e injoruar dhe të kërkoni pikëpamje të ndryshme rreth të ardhmes. Mund ta ndihmoni audiencën të shohë dhe të mendojë ndryshe për të ardhmen, në mënyrë që të ndërmarrë veprime më të mira sot.

Verën e kaluar, SITRA u zgjodh për të zhvilluar zgjidhje që aktivizojnë evropianët në luftën kundër ndryshimeve klimatike, në bashkëpunim me 16 partnerë ndërkombëtarë.
Projekti PSLifestyle përmban një paketë masash që mund të lokalizohen për të ndihmuar individët të gjejnë mënyrën e tyre për të jetuar një jetë të mirë dhe të qëndrueshme. Përveç ndihmës për individët, zgjidhja teknologjike përdor llogaritjet e gjurmës së karbonit, bazuar në konsum, për t’u ofruar kompanive dhe vendimmarrësve informacion mbi qëllimet, motivet dhe preferencat e përditshme të banorëve lidhur me qëndrueshmërinë.

Projekti PSLifestyle

Një partneritet evropian ndihmoi qytetarët të përvetësojnë stile jetese më të qëndrueshme përmes testit falas të ‘Stilit të Jetës’, i krijuar fillimisht në tetë vende pilot (Finlandë, Estoni, Gjermani, Greqi, Itali, Portugali, Slloveni, Turqi). Më vonë, ky mjet u zgjerua në Norvegji, Poloni dhe në të gjithë Evropën. Në total, qytetarët e këtyre vendeve planifikuan zgjedhje të qëndrueshme të stilit të jetesës, me potencialin për të kursyer 75 milionë kg CO2e.
Edhe pse projekti përfundoi në shtator 2025, Testi i Stilit të Jetës mbetet aktiv, duke mbështetur jetesën e qëndrueshme me të dhëna relevante për politikat dhe ndikim në botën reale. Rezultatet e përmbledhura janë të disponueshme në Lifestyle Data.

 

Në vazhdim: Zgjidhjet klimatike nga Finlanda: Biblioteka Oodi në zemër të familjes (5)


MË SHUME NGA Në Fokus