KQZ: Deri në ora 17:00 votuan mbi 28 për qind e qytetarëve
Venera Xhoxhaj/RTKLive
( E plotësuar) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se deri në ora 17:00 kanë dal në votim mbi 28 për qind të votuesve. Sipas rezultateve numri i atyre që kanë dalë në votim është 376,970 votues.
KQZ: Deri në ora 15:00 votuan mbi 20 për qind e qytetarëve
( E plotësuar 15:48) 273 mijë e 666 votues, apo 20.78% e qytetarëve me të drejtë vote, kanë votuar deri në orën 15:00, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i votimit deri në orën 15:00 është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa pengesa serioze. Deri tani, nuk janë shënuar raste që mund të ndikojnë në mbarëvajtjen apo besueshmërinë e zgjedhjeve.
Duke u mbështetur në të dhënat e siguruara nga rreth 95% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 273,666, që përbëjnë 20.78% të 1,316,672 votuesve të regjistruar, njofton KQZ.
Në të njëjtën periudhë të raundit të parë, pjesëmarrja kishte qenë 25.33%, apo 333,489 votues nga 1,316,129 qytetarë me të drejtë vote.
KQZ njofton se mbetet në komunikim të vazhdueshëm me trupat zgjedhore komunale dhe institucionet përkatëse, me qëllim të garantimit të zbatimit të ligjit dhe rregullave zgjedhore në çdo hap të procesit. Rastet e paqartësive apo problematikave të ndryshme po trajtohen me prioritet dhe në kohën më të shpejtë të mundur.
Në procesin e deritashëm janë paraqitur disa ankesa për votimin me asistencë, për çka KQZ ka sqaruar se kjo është një e drejtë e garantuar me Ligjin për Zgjedhjet dhe me rregulloret e saj, që u mundëson personave me aftësi të kufizuara të votojnë me ndihmë.
Megjithatë, KQZ thekson se nuk duhet të abuzohet me këtë të drejtë, pasi vetëm personat që kanë aftësi të kufizuara dhe mund ta dëshmojnë këtë përmes dokumenteve përkatëse kanë të drejtë të votojnë me asistencë. Këshillat e vendvotimeve janë udhëzuar të veprojnë drejt dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe qendër votimi mund të gjenden në platformën zyrtare të KQZ-së.
Pjesëmarrjen në zgjedhje dhe rezultatet e tjera mund t’i gjeni duke klikuar KËTU.
KQZ: Deri në ora 13:30 kanë dalë të votojnë 13.33%
Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka njoftuar se deri në ora 13:30 kanë votuar 13.33% e qytetarëve me të drejtë vote. Numri i votuesve në listën e votuesve është 1,316,672.
Radoniqi: Deri në orën 11:00 votuan 6.13% e votuesve
( E plotësuar, ora 11:47) Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 95% e Vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 në këto 18 komuna është 80 mijë e 659 votues apo 6.13%, nga 1 milionë e 316 mijë e 672 votues.
“Bazuar në informacionet e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit deri në këtë fazë po zhvillohet normalisht. Deri më tani nuk janë evidentuar parregullsi që do të mund të ndikonin në integritetin apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve. KQZ është në komunikim të vazhdueshëm me trupat zgjedhore në terren, me qëllim që të sigurohet zbatimi i plotë i ligjit dhe respektimi i rregullave zgjedhore në çdo hap të procesit. Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 95% e Vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 në këto 18 komuna është 80 mijë e 659 votues apo 6.13%, nga 1 milionë e 316 mijë e 672 votues”, tha Radoniqi.
Sipas tij, deri në të njëjtën kohë, në raundin e parë, në këto 18 komuna, kishin votuar 7.58% apo 99 mijë e 765 votues nga 1 milion e 316 mijë e 129 votues.
“Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe në çdo qendër votimi mund t’i gjeni në platformën e rezultateve”, tha ai.
Peci: Vota është zëri jonë
Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga LVV, Faton Peci ka përmbushur obligimin tim qytetar
“Unë e përmbusha obligimin tim qytetar. Vota është zëri jonë, forca jonë dhe mënyra për të sjellë ndryshimin që duam. Dil, voto dhe bëhu pjesë e ndryshimit”, tha ai.
Muharremaj voton në Suharekë, bën thirrje për dalje në zgjedhje
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka ushtruar sot të drejtën e tij të votës në qendrën e votimit në Gjinoc.
Pas votimit, Muharremaj u bëri thirrje qytetarëve të Suharekës që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje dhe të vendosin me votën e tyre për të ardhmen dhe drejtimin e komunës.
Ardian Shala voton në Suharekë, u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e votës
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala, ka ushtruar sot të drejtën e tij të votës në një nga qendrat e votimit në këtë komunë. Pas hedhjes së votës, ai u bëri thirrje qytetarëve të dalin në numër sa më të madh për të votuar. “Vetëm përmes pjesëmarrjes së gjerë sigurojmë që vendimi për të ardhmen e Suharekës të jetë vërtetë vendim i qytetarëve.”, tha Shala.
Thaçi: Çdo votë ka peshë
Kandidati për kryetar të Obiliqit nga Lëvizja Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka ushtruar të drejtën qytetare, për të votuar.
“Është një ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë prandaj ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, të marrin pjesë dhe të vendosin me vetëdije për drejtimin e komunës në katërvjeçarin që vjen. Çdo votë ka peshë, çdo qytetar ka zë, dilni dhe votoni për një të ardhme me bereqet e dinjitet”, tha ai.
Gashi: Votimi është përgjegjësi dhe mënyrë për të shprehur vullnetin tonë demokratik
Kandidatit për kryetar të Obiliqit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhafer Gashi, ka votuar në SHFMU “Abdurrahman Gërguri” në Dardhishtë
“Së bashku me bashkëshorten Afërditen, votuam në vendlindje, në SHFMU “Abdurrahman Gërguri” në Dardhishtë, duke ushtruar të drejtën tonë qytetare. Votimi është përgjegjësi dhe mënyrë për të shprehur vullnetin tonë demokratik për të ardhmen e komunës sonë. I ftoj të gjithë qytetarët e Obiliqit të dalin dhe ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të çmuar”, tha ai.
Gjini: Ky është momenti kur zëri i secilit qytetar bëhet vendimtar
Kandidati nga AAK për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, sot bashkë me familjen e tij, shfrytëzoi të drejtën tonë për të votuar dhe për të vendosur për të ardhmen e Gjakovës.
“Ky është momenti kur zëri i secilit qytetar bëhet vendimtar për drejtimin që do të marrë komuna jonë në katër vitet e ardhshme. Pjesëmarrja në votime është përgjegjësi, por mbi të gjitha është mundësi për të zgjedhur zhvillimin, punën dhe të ardhmen që duam. Shpresoj që procesi i sotëm të përmbyllet me qetësi, dinjitet dhe me kulturën demokratike që gjithmonë e ka dalluar Gjakovën”, tha ai.
Prebreza: Shfrytëzojeni të drejtën e votës suaj
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebreza ka shfrytëzuar të drejtën qytetare për të votuar. “Shfrytëzojeni edhe ju të drejtën e votës suaj”, tha ai.
Osmani: Le të votojmë të gjithë me qetësi
Besnik Osmani, kandidat i LDK-së, për kryetar të Fushë Kosovës, ka shfrytëzuar të drejtën qytetare për të votuar
“Le të votojmë të gjithë me qetësi, me përgjegjësi dhe me dashuri për Fushë Kosovën, për të mirën dhe përparimin e përbashkët të qytetit tonë’, tha ai.
Ismajli: Çdo votë ka peshën e saj, është zëri i qytetit tonë
Arbër Ismajli, kandidat i LDK-së për kryetar të Gjilanit, ka votuar sot në zgjedhjet komunale.
“Ky veprim qytetarë përveç që është një e drejtë themelore, është edhe një përgjegjësi që e ndjejmë thellë si qytetarë të këtij vendi që duam ta shohim duke lulëzuar. Votuam me bindje për zhvillim, për dinjitet, për progres dhe për një Gjilan që ecën përpara me punë, me dashni e me bashkim. Ftoj secilin prej jush që ende nuk ka votuar, të dalë me krenari dhe ta shfrytëzojë këtë mundësi për të ndikuar në të ardhmen tonë të përbashkët. Çdo votë ka peshën e saj. Është zëri i qytetit tonë që kërkon ndryshim dhe beson në të mirën publike. Le ta dëshmojmë edhe sot kulturën tonë qytetare, me qetësi, respekt dhe dashni për qytetin e Gjilanit”, tha ai.
Bashota: Thirrje për proces zgjedhor të drejtë dhe demokratik
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Klinës, Sokol Bashota, ka përfunduar votimin.Ai ka deklaruar para gazetarëve se shpreson që procesi i votimit të zhvillohet më së miri deri në fund. “Unë, së bashku me gruan, e kryem obligimin tonë qytetar dhe votuam. Ky proces, të paktën bazuar në informacionet që kemi deri tani, po zhvillohet me një mbarëvajtje shumë të mirë në Komunën e Klinës. Shpresoj që kjo mbarëvajtje e mirë të vazhdojë deri në fund të procesit, sepse të gjithë qytetarët e Klinës meritojnë një proces të drejtë dhe demokratik” ka thënë ai.
.
Ka votuar kandidati për kryetar të Dragashit nga PDK, Shaban Shabani.

Ademi: Votojmë për të ardhmen tonë të përbashkët
Arsim Ademi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Vitisë, ka votuar.
“Me Rrezartën votuam. Shfrytëzuam të drejtën dhe obligimin tonë qytetar për të zgjedhur fatin e Vitisë sonë për katër vitet që vijnë. Tani është radha juaj. Dilni dhe votoni sa më shumë, që zëri juaj të jetë ai që përcakton drejtimin e Vitisë. Votojmë për të ardhmen tonë të përbashkët”, tha ai.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë në 18 komuna| LIVE
( E plotësuar,) Sot, qytetarët e Kosovës në 18 komuna po votojnë sërish për të zgjedhur kryetarët e rinj në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Gazetarët e RTK-së nga komunat ku po votohet raportojnë se procesi po ecën mirë dhe nuk është shënuar ndonjë problem.
Totaj: Një ditë e mirë për Prizrenin
Kandidati nga PDK për kryetar të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka votuar në Prizren. “Një ditë e mirë për Prizrenin. Së bashku me bashkëshorten time, Fluturën, dhe anëtarët e ngushtë të familjes ushtruam të drejtën e votës, duke uruar për një proces zgjedhor të lirë e demokratik. Kam besim se qytetarët do ta bëjnë zgjedhjen e mirë dhe atë që i duhet Prizrenit”, tha ai.
Artan Abrashi ushtron të drejtën e votës në Prizren
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, hodhi votën e tij dhe bëri thirrje për pjesëmarrje aktive qytetare. Abrashi tha se uron që çdo gjë të shkojë mirë. “Uroj fat, uroj që çdo gjë të shkojë mirë, dhe bëj apel që të dalim sot dhe të bëjmë një festë të demokracisë dhe qytetarisë në Prizren”, u deklarua ai.
Meholli voton për kryetar të Vushtrrisë: Thirrje për dalje masive në zgjedhje
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Sylejman Meholli, ka votuar në shkollën “Hajrullah Shala” në Akrashticë.
Me këtë rast, Meholli u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë që të dalin masivisht në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për katër vitet e ardhshme të komunës.
Rama pas votimit: Të fitojë më i miri, qytetarët të votojnë
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, pasi ushtroi të drejtën e tij të votës, uroi që kandidati më i merituar të fitojë. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin zgjedhor, duke e cilësuar atë si një detyrë qytetare të rëndësishme.
“Më parë isha me Kristalen dhe fëmijët për të treguar respekt për ushtarët britanikë që kanë dhënë jetën për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë në kryeqytet dhe në gjithë Kosovën. Uroj të gjithë qytetarët për pjekurinë dhe maturinë që kanë treguar në këto zgjedhje. Uroj që më i miri të fitojë, të fitojë zhvillimi, progresi dhe një ardhmëri e ndritshme për kryeqytetin dhe vendin tonë,” ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se këto zgjedhje janë të rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e kryeqytetit, por edhe për të ardhmen e gjithë vendit. “Është shumë e rëndësishme që qytetarët të votojnë kahjen e duhur për vendin tonë,” shtoi ai.
Voton Sabedin Vishi kandidati për kryetar të Kaçanikut
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka votuar sot në Dubravë. “Ushtruam të drejtën tonë demokratike për të votuar, një akt qytetar me rëndësi të madhe për të ardhmen e vendit. Ftoj të gjithë qytetarët të marrin pjesë në votim, sepse çdo votë ka peshën e saj”, tha ai.
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, ka votuar në Junik, ku ka ftuar qytetarët të votojnë.
Voton kandidati për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu
Kandidati nga LDK për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, tha se sot është dita kur secili prej nesh ka mundësinë të ndikojë në drejtimin që do të marrë Juniku në vitet e ardhshme. “Unë sapo e kam kryer detyrën time qytetare duke votuar, sepse besoj se pjesëmarrja në zgjedhje është përgjegjësi që na bashkon dhe na jep zë. Ju ftoj të gjithëve që keni të drejtë vote të dilni dhe të votoni me bindje e vetëdije. E ardhmja e Junikut tonë nuk mund të vendoset nga të tjerët, por duhet të ndërtohet nga vet ne, junikasit”, tha ai.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, ka votuar në SHFMU “28 Nëntori” në Bersanë.
Arian Tahiri: Sot është një ditë e rëndësishme për Mitrovicën e Jugut
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka thënë se sot është një ditë e rëndësishme për qytetin dhe qytetarët e tij.
“Qytetarët e Mitrovicës sot shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe vendosin për qeverisjen në katër vitet e ardhshme. Sot bashkë me Dionën votuam në Shkollën Fillore ‘Trepça’ dhe realizuam të drejtën tonë. I ftoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës që të realizojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë dhe të vendosin për të ardhmen e qytetit dhe të qytetarëve tanë,” ka thënë Tahiri.
Ai ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes aktive në votime, duke e cilësuar si një moment vendimtar për zhvillimin e komunës.
Kandidati për kryetar të Kaçanikut, nga Vetëvendosje Jeton Raka, ka votuar në Shkollën “Idriz Seferi” në fshatin Bob të Kaçanikut.
"I ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të vendosur për katër vitet e ardhshme. Le të shkojmë në votime me përgjegjësi, duke bërë që kjo ditë të reflektojë pjesëmarrjen qytetare dhe respektin për procesin demokratik", tha ai.
Ka votuar kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Pejës,Taulant Kelmendi.

Sokol Haliti: Qytetarët duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e votës
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka bërë thirrje që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës në zgjedhjet lokale.
“Qytetarët duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, vullnetin e lirë dhe verdiktin për katër vitet e ardhshme, duke zgjedhur udhëheqjen komunale,” ka deklaruar Haliti pas votimit në Shkollën "Ahmet Hajdari" në Beguncë.
Ai ka theksuar se pushteti lokal është shumë i rëndësishëm në interes të qytetarëve dhe është shprehur i bindur se pjesëmarrja në votime do të jetë e lartë.“Ftoj të gjithë qytetarët të dalin të votojnë lirshëm, me vullnet dhe pa ndikime nga jashtë, pa skema,” ka shtuar Haliti.
Idrizi: Presim rezultatin që do të përcaktojë sovrani
Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi pas votimit ka thënë se kjo ditë është ditë feste, duke theksuar se është në dorën e sovranit se kush do të udhëheq me këtë komunë në katër vitet e ardhshme.
“Është një ditë feste për qytetarët e Vushtrrisë, kemi zgjedhjet lokale. Unë uroj të gjithë qytetarët për zgjedhje dhe gjithashtu ju bëjë thirrje që të dalin e ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetarët ë për të votuar. Presim rezultatin që do të përcaktojë sovrani, populli”, tha ai. Në garë për të parin e Komunës së Vushtrrisë është PDK dhe Vetëvendosje.
Gola uron për zgjedhje të lira e demokratike
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Gjakovës, Ardian Gola e ka quajtur ditën e sotme të shenjtë, siç tha ai e shenjtë është dhe vota e cila garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Një falënderim të posaçëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, e veçanërisht të Gjakovës, meqenëse këtu kam qenë kandidat. Sot është ditë e shenjtë, është vota, e cila për nga shenjtëria është e garantuar edhe nga Kushtetuta jonë”, tha Gola.
Ai teksa uroi për zgjedhje të lira e demokratike, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të hedhin votën e tyre, me të cilën do të vendosin edhe fatin e 4 vjetëve të ardhshme për Komunën e Gjakovës.
“Prandaj, ne ju bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve që, pas gjithë këtij bashkëpunimi që kemi pasur, sot e kanë momentin që zërin e tyre ta deponojnë në kuti dhe me këtë votë ta vendosin fatin e ardhshëm për katër vitet e ardhshme për Komunën e Gjakovës. Uroj zgjedhje të lira e demokratike, ashtu siç i ka hije Kosovës dhe Gjakovës, por urojmë më të mirën si për Kosovën, ashtu edhe për komunën tonë të dashur, për të cilën do të përkushtohemi vazhdimisht”, deklaroi Gola pasi ushtroi të drejtën e votës në këtë raund të dytë, meqenëse zgjedhjet e 12 tetorit nuk arritën asnjëri kandidat të marrë votat e mjaftueshme e të jetë një fitues.
Në Komunë të Gjakovës, Gola garon me kundër kandidatin e tij Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Voton Muhaxheri, i fton edhe qytetarët të votojnë
Kandidati i LDK-së për kryetar të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka votuar sot, nga ku ka ftuar qytetarë që të dalin e të votojnë. “Zgjedhja është e tyre”, deklaroi ai.
Muhaxheri tha se aktualisht procesi po shkon mbarë dhe ashtu siç pritej. Gazmend Muhaxheri i LDK-së garon përballë Taulant Kelmendit të VV-së.

Elezaj: Procesi zgjedhor po shkon në rregull, le të fitojë ai që ka mbështetjen e qytetarëve
Kandidati për kryetar të Komunës së Klinës, nga AAK-ja, Zenun Elezaj, ka deklaruar se procesi zgjedhor po zhvillohet sipas rregullave dhe se qytetarët kanë të drejtën të zgjedhin kë të mendojnë se i përfaqëson më së miri.
“Procesi zgjedhor shkoi ashtu siç duhet. Në fund të fundit, qytetarët kanë të drejtën të votojnë atë që dëshirojnë dhe atë që mendojnë se përfaqëson interesat e tyre. Kjo është gjithçka që unë dëshiroj të jetë një ditë e qetë dhe në fund të ditës të fitojë ai që ka mbështetjen e qytetarëve,” tha Elezaj duke shtuar se deri më tani gjithçka po shkon në rregull.
Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka votuar.
Hyseni: Është shumë e rëndësishme që sot të votohet
Kandidati për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, nga VV ka votuar në vendvotimin e shkollës “Abaz Ajeti” në Gjilan. Pas votimit, ai tha se është shumë e rëndësishme që të votohet sot, sepse po vendoset e ardhmja. Hyseni theksoi se qytetarët e Gjilanit kanë treguar maturi.
Procesi zgjedhor në Klinë po shkon në rregull
Sot qytetarët e Komunës së Klinës janë rikthyer në qendrat e votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të komunës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Në balotazh garojnë dy kandidatët që morën më shumë vota në raundin e parë: Zenun Elezaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe Sokol Bashota nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Procesi deri tani po shkon në rregull në këtë komunë. Në qendrën më të madhe të votimit në shkollën "Fehmi Agani" deri në orën 09:00 kanë votuar 176 qytetarë. Menaxheri i kësaj qendre, Sami Bardheci i ka thënë RTK-së se të gjitha përgatitjet për procesin zgjedhor janë bërë me kohë. Në orën 07:00 janë hapur dyert e qendrës dhe se deri tani nuk është raportuar për ndonjë parregullsi. Në teren janë edhe forcat e policisë të cilat po kujdesen që procesi të zhvillohet i qetë.
Dula: Sot votova me bindjen se Rahoveci meriton më shumë
Kandidati për kryetar të Rahovecit nga LVV, Ali Dula, ka ushtruar të drejtën qytetare duke votuar në vendlindjen në Rahovec.
“Ky është një moment i rëndësishëm për secilin prej nesh, sepse vota është mjeti më i fortë që kemi për të ndërtuar të ardhmen që dëshirojmë. Besoj thellësisht se çdo qytetar i komunës së Rahovecit ka fuqinë të ndikojë në të ardhmen e komunës sonë përmes pjesëmarrjes në zgjedhje. Prandaj, i ftoj të gjithë bashkëqytetarët e mi që të dalin në votime, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të kontribuojnë në mënyrë demokratike për zhvillimin e vendit tonë. Sot votova me bindjen se Rahoveci meriton më shumë, zhvillim, transparencë dhe bashkëpunim. Le të tregojmë se jemi qytetarë të përgjegjshëm, që e duam komunën tonë dhe duam ta çojmë përpara. E ardhmja është në duart tona.Dalja në votime është zëri ynë për ndryshim dhe përparim”, tha ai.
Elezi: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha Qendrat e Votimit|LIVE
(E plotësuar, ora 08:05) Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka mbajtur konferencën e parë për media ku folur për fillimin e procesit të votimit. Gjatë kësaj konference, Elezi bëri të ditur se në orët e para të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha Qendrat e Votimit.
Po ashtu, u njoftua se sipas informacioneve të marra nga KQZ, procesi i votimit ka nisur në të gjitha Qendrat e Votimit.
Gjatë ditës së sotme, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.
“Raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot. Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 1,316,672 të cilët janë të shpërndarë në 18 komuna. Përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëse për 2,541 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht”, tha ai.
Në këtë konferencë të parë, KQZ ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese: të drejtën për të votuar, si dhe u njotuan se përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org mund të kontrollojnë me lehtësi se ku është Qendra e Votimit ku janë caktuar të votojnë.
Konferenca e dytë e KQZ-së mbahet në orën 11:30, në të cilën është planifikuar të paraqitet pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 dhe ecuria e procesit zgjedhor deri në atë kohë. Para kësaj konference, në orën 09:00 në platformën e KQZ-së do të https://resultslocal2025r2.kqz-ks.org/ përditësohen të dhënat nga pjesëmarrja e qytetarëve në votime deri në atë kohë.
Procesi i votimit në komunën e Pejës po vazhdon
Procesi i votimit në komunën e Pejës po vazhdon. Deri në orën 09:00 të drejtën për te votuar e kanë shfrytëzuar 1.62% e qytetarëve,përkthyer në numra, 1,952 nga 120,244 qytetarë me të drejtë vote.
80 prokurorë kujdestarë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve
Për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, që po mbahen sot në vendin tonë, Prokurori i Shtetit ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale.
“Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.
Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ”, thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i ka ftuar qytetarët e Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.
Hapen vendvotimet për zgjedhje për kryetarë në 18 komuna| LIVE
(E plotësuar, ora 07:05) Janë hapur vendvotimet për zgjedhjet për kryetarë në 18 komuna. Gazetarët e RTK-së nga komunat ku po votohet raportojnë se procesi po ecën mirë dhe nuk është shënuar ndonjë problem.
Radoniqi me apel që të respektohen rregullat dhe ligji
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka votuar në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit”, në Pejë dhe pas votimit ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë. Ai po ashtu bëri thirrje që të respektohen rregullat dhe ligjet në mënyrë që procesi i votimit të shkojë mirë dhe i qetë.
Kryetari i KQZ-së ka thënë se çdo gjë është gati për të votuar sot. Ai ka ftuar qytetarët e 18 komunave të cilat janë në balotazh që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim.
“Bëjë apel që të respektohen rregullat dhe ligji i KQZ-së dhe rendi. Dua të ftojë edhe anëtarët e vendvotimeve që të respektojnë rregullat dhe gjithë procesi të shkojë pa asnjë problem. Uroj që të kemi një ditë të mirë dhe të qetë”, tha Radoniqi.
Ai ka folur edhe për çështjen e votimit me asistencë. “Sa i përket votimit me asistencë KQZ ka ndërmarr të gjitha hapat dhe procedurat, dhe manualin për trajnime dhe të gjitha kanë qenë të theksuar në atë manual se çka ndodhë në realitet në ditën e zgjedhjeve nëpër vendvotime atëherë mbetet nën administrimin e KKZ-së. Ne e kemi bërë të qartë se në disa vendvotime në asistencë ka qenë shumë i theksuar dhe në disa raste arsyetimi nuk ka qenë i duhur në librat e votimit për këtë arsye kemi ngrit shqetësimin dhe shpresoj që sot do këshillat e vendvotimit do të kenë kujdes. Natyrisht jo çdo kush ka të drejtë të votojë me asistencë”, theksoi Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Sot raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë në 18 komuna
Sot, qytetarët e Kosovës në 18 komuna do të votojnë sërish për të zgjedhur kryetarët e rinj në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Ndërkohë, dje Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë shpërndarjen e materialit zgjedhor për këtë proces.
Komunat ku do të mbahet raundi i dytë janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.
Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 12 tetor, ndërsa në këto 18 komuna asnjë kandidatë nuk arriti shumicën e nevojshme në raundin e parë, prandaj procesi po vazhdon në balotazh.
KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet teknike dhe ka bërë edhe planin Operacional për ditën e zgjedhjeve të sotme.
KQZ po ashtu bëri të ditur se ka vënë në dispozicion disa linja telefonike për qytetarët e vëzhguesit, për raportim të parregullsive dhe për të kërkuar informacione apo udhëzime për procesin e votimit.























