Zgjidhje Klimatike në Finlandë: Ushqimet diellore kthejnë njeriun në natyrë
BKT
Në Fokus

Zgjidhje Klimatike në Finlandë: Ushqimet diellore kthejnë njeriun në natyrë

Behare Bajraktari| RTK-Green

Helsinki, tetor 2025, Solar Food, nga emri të krijon menjëherë përshtypjen se bëhet fjalë për diellin dhe ushqimin. Dhe keni të drejtë të mendoni kështu.

Nga jashtë, fabrika nuk duket aspak spektakulare. Është shumë e thjeshtë, por sapo hapet dera, shfaqet një pamje që të bën të ndihesh sikur je në një botë hapësinore, ku dëgjohet edhe tingulli më i vogël, e keni parasysh kur dëgjohet uji që pikon mbi një dysheme të pastër kristal.

Në atë koridor të madh, përballë ndodhej kuzhina me pamje futuristike, sikur ishe në një anije hapësinore marsiane, ku dominonin ngjyrat metalike dhe e zeza. Dritat e bukura që ndriçonin hapësirën ku punonin kuzhinierët, dukeshin si drita të vogla abazhuresh. Dilte avulli, sepse aty po gatuhej, por nuk ndjehej ndonjë aromë e fortë, ndoshta respiratorët kishin shumë fuqi.

Nga ana tjetër, nuk dëgjohej asnjë zhurmë nga kuzhina, edhe pse aty po punonin kuzhinierët. Mbase mjaftonte zhurma e gazetarëve. Mbetesh pak i hutuar, sepse kjo qenka kuzhina për punonjësit, pa e ditur se ata po gatuanin për ne.

Sidoqoftë, si gazetarë filluam të shikonim gjithçka me sytë e “kameleonit”, sy që mund të lëvizin të pavarur nga njëri-tjetri, duke lejuar një fushëpamje pothuajse 360° rreth trupit. Por në atë koridor të madh dhe katror, përveç kuzhinës, në të djathtë ndodheshin dollapët e vendosur në mur për rrobat e mysafirëve (një detaj elegant i zakonshëm në institucionet finlandeze!) dhe kolltukët në mes, dhe nuk kishte asgjë tjetër!.

Sapo u ulën në ato kolltuket e rehatshme gazetarët nga Kina, Portugalia, Brazili, Franca, Malajzia, Amerika (Porto Riko, për këtë do t’ju flas më poshtë), Meksika, India, Kili, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kosova, ja ku erdhi zonja Laura Sinisalo, drejtoreshë e markës dhe marketingut të Solar Foods.

Një grua e gjatë dhe shumë elegante, e hollë në trup, me flokë të bardha të verdhë dhe të shkurtra, e veshur me të zeza, dhe çizme si gjysmë martinka. Zëri dhe e folura e saj ishin të veçanta, sigurisht kishte mësuar intonacionin e zërit dhe të folurit në publik. Në murin përballë nesh u shfaq një pamje shumë marsiane, ngjyrat solare përmes projektorit. Imazhet i shtonin kurreshtjen, ndërsa zëri i saj i ulët dhe bindës na tërhiqte vëmendjen.

Znj. Sinisalo filloi gradualisht të na tregojë se nevoja e madhe për proteina ka nxitur zhvillimin e ushqimit të ri, të prodhuar pa përbërës artificialë. Ata në Solar Foods thonë se Soleina është një proteinë e rritur nga hiçi. Por, ta mendosh mirë, vjen nga gjithçka, vjen nga natyra.

Mbase do të thoni kush ha ushqim nga bakteret?

Pikërisht po ju pyesim se çfarë baktere hani çdo ditëpërmes ushqimeve?

Prandaj a jeni gati për të shijuar diçka të re, por edhe krejt natyrale?

Për të gjetur balancën, sikur midis Yin dhe Yang, si çelësi i harmonisë dhe shëndetit, mbase kështu është edhe mes baktereve të mira dhe të këqija. Epo, ky është ai bakteri i mirë (yang), ashtu siç kemi shumë të tilla në organizmin tonë dhe në natyrë kudo.

Megjithatë, le të fillojmë ta thjeshtësojmë çështjen e bakterit të ushqimit. Finët në të vërtetë e kanë thjeshtësuar kaq shumë sa që tashmë po merr hov përtej kufijve, siç është Singapori dhe SHBA-ja, ku është regjistruar fabrika në United States Food and Drug Administration (FDA) për tregun amerikan. Gjithashtu, kompanisë i është dhënë statusi “Important Project of Common European Interest (IPCEI)” nga Komisioni Evropian për zhvillim në Europë.

Ne në Kosovë themi: “Më s’do ta hamë bukën thatë.”

Kur jemi te buka, neve në Kosovë ndër breza na ka bashkuar shija, aroma e bukëve të gjysheve dhe nënave tona. Buka e tyre gjithmonë më e mira dhe më e shijshmja!

Mbyllni pak sytë dhe kthehuni në fëmijëri, kur në mëngjeset e hershme të dimrit ngroheshit duke ngrënë bukë të freskët, më pak djathë dhe qumësht. Eh, nënat dhe gjyshet tona gatuanin bukë natyrale dhe të freskët çdo ditë. Çfarë angazhimi! E vendosnin brumin në një enë dhe çdo ditë merrnin një copë brumi të hollë nga një kavanoz për ta rritur. Bukët e buta, të shijshme dhe me ngjyrën e artë si dielli i verës, kur piqeshin.

A ju kujtohet kur për festa nënat tona gatuanin simite me qiqrra?

Gjithçka ka qenë natyrale. Këto bukë, me simite të bëra nga qiqrri, duhej shumë kohë që brumi të vinte, të rritej pak nga pak dhe pas disa kohësh të bëhej ajo buka speciale që gatuhej vetëm për festa. Aroma e simites mund të ndjehet edhe tani me shijen dhe ngjyrën e verdhë si Solein, por ne e quanim simite. E gjithë shtëpia mbushej me aromë, dhe përtej saj.

Pra, bukët e përditshme të nënave dhe gjysheve tona quheshin ‘Mrume’. Mbase në rajone të ndryshme kanë edhe emra të ndryshëm, ky brum rritej prej baktereve natyrale, ashtu siç rriteshim edhe ne.

Pra, nënat dhe gjyshet tona gatuanin me tharm natyral (sourdough), brumë i thartë, i cili është një përzierje e miellit dhe ujit që fermentohet natyralisht nga mikroorganizmat e pranishëm në miell dhe në ajër.

Duhet t’ua njohim meritat grave tona të jashtëzakonshme që kanë gatuar për mrekulli mes trashëgimisë së kulinarisë dhe artit të gatimit. Mbase duhet të nacionalizohet kjo lloj buke, pse jo!

Kiitos, gjyshe dhe nëna!

Ushqime fine diellore

Solein, a mos po ju ngatërrohet me këngëtaren Selena Gomez?
Muzika dhe ushqimi janë universale. Pra, edhe ushqimi Solein vjen nga një bakteri i gjendur në natyrë, jo i rritur në laborator. Siç thoshte Laura Sinisalo, për mijëra vjet e kemi ngarkuar Tokën me mënyrën se si kultivojmë ushqim, ku mbi 40% e tokave përdoren për prodhimin e bagëtive, ndërsa burimet e planetit po pakësohen.

Finët, siç po shihet, kanë zbuluar një mënyrë të re për të rritur ushqimin. Ata flasin për “ushqim nga hiçi” që dëshirojnë ta dërgojnë në Hapësirë. Po, po, e dëgjuat mirë! Ngjyra e Solein do ta nisë drejt Marsit, ku po pritet nisja e një jete të re.

Qartësisht, misioni i Solar Foods është zgjidhja e krizës globale ushqimore këtu në Tokë, për të ulur ndikimet në emisione dhe përdorimin e ujit. Por finët po shikojnë përtej planetit tonë; ata duan të përdorin ekspertizën e tyre për të prodhuar ushqim nga ajri i hollë në hapësirë. Sepse nëse mund ta bëjmë në hapësirë, dimë se mund ta bëjmë kudo.

Prandaj e thamë që në fillim: dukej si një ushqim jashtëtokësor, ashtu si edhe pamja e kuzhinës së tyre futuristike! Imagjinata nuk na gënjeu.

Si kompani shtetërore, Solar Foods e filloi fabrikën e parë menjëherë pas pandemisë, në 2021 (ndoshta izolimi i ka shtyrë të kërkojnë diçka jashtëtokësore). Prodhimi i proteinës më të qëndrueshme në botë nisi në prill të vitit 2024. Dhe kjo është vetëm fabrika e parë nga shumë të tjera që po vijnë.

Sigurisht, do të ketë një luftë të madhe mes industrisë tradicionale të proteinave dhe Solein-it.

Ushqimi revolucionar


Ky ushqim përmban shumë proteina natyrale dhe pothuajse asgjë tjetër përveç energjisë elektrike dhe ajrit, duke bërë që njerëzimi të mos jetë më i varur nga bujqësia, klima apo moti.

Finët kanë kombinuar teknologjinë revolucionare me një mikroorganizëm të vogël që gjendet në natyrë. Siç thoshte aktivistja suedeze Greta Thunberg: “Askush nuk është aq i vogël sa të mos bëjë ndryshim”. Kështu është edhe ky bakteri i vogël.

Bakteri në zemër të historisë së Solein u zbulua në biodiversitetin e pasur të natyrës finlandeze, si paraardhësi i triliona qelizave të verdha të ngjashme.

Ndërsa shkruaj për këtë ushqim të jashtëzakonshëm, më kujtohet filmi i animuar “Pleshti i Parisit”, një film i shkëlqyer me tematikë të ngjashme me historinë e bakterit të vogël nga hiçi, që ka potencial epokal.

Përdorimi i organizmave njëqelizorë për fermentimin e ushqimeve dhe pijeve është praktikë mijëra vjeçare, e njëjta metodë që përdoret për birrën dhe verën. Por në Solar Foods, në vend të majasë dhe sheqerit, mikrobet ushqehen me flluska të vogla CO2 dhe lëndë ushqyese.

Mikroorganizmat rriten dhe shumohen në një proces më efikas se fotosinteza. Pasi të thahet, formohet një pluhur i dendur me vlera ushqyese, i quajtur Solein.

Solein është një proteinë në formën e saj më natyrale, me jetëgjatësi më të madhe sesa ushqimet e tjera. Mund të përdoret për të zëvendësuar proteinat konvencionale në pothuajse çdo ushqim. Ka një ngjyrë të verdhë dalluese dhe mund të marrë shijen e çdo ushqimi që i shtohet.

Për shembull, Solein përdor 100 herë më pak ujë sesa prodhimi bimor dhe deri në 600 herë më pak se prodhimi i mishit të viçit.

Të uritur për të ndryshuar

Receta të ndryshme, si nga forma ashtu edhe nga përmbajtja, por shija dhe ngjyra do të jenë gjithmonë diellore.

Në kuzhinën e Solein, përgjegjësi për recetat e reja është shefi i kuzhinës Miikka Manninen, një talent i vërtetë që ka punuar rreth dy vjet për të sjellë në jetë krijime të reja.

Siç thonë vetë në Solar Foods, Solein nuk është këtu për të revolucionarizuar vetëm mënyrën se si hamë, por për të revolucionarizuar vetë ushqimin, pa kompromentuar shijet dhe teksturat që tashmë i duam dhe i njohim.

U ulëm përballë shefit Miikka, ku po gatuhej gjithçka aty për aty. Na prezantoi me bukën e re, të thjeshtë dhe pa asnjë përbërës artificial apo gluten, soja dhe të tjera që zakonisht shkaktojnë intoleranca ushqimore. Meqë ushqimi po industrializohet kaq shumë, në popullatat tona janë rritur alergjitë dhe intolerancat, prandaj kjo bukë finlandeze mund të jetë një lajm shumë i gëzueshëm për këto kategori njerëzish. Mbase për këtë ushqim nuk do të japin më yje Michelin, por “Diejë Solein”!

Pastaj na prezantoi kremin e djathit, jo vetëm me pamje të bukur, por me një teksturë shumë unike. Pastat po ashtu ishin një kombinim i shijshëm dhe inovativ i proteinave. Shefi Miikka na tregoi edhe për një lloj sosi që e përshkroi si një majonezë speciale. Ne nga Kosova, ia dhamë një ide – ta quajnë “Solonez” ose “Finolez”, kështu që edhe ne i dhamë një dorë këtij zbulimi!

Në fund, na sollën akulloren e butë dhe të freskët, e cila nuk ishte për të ngrirë dhëmbët, por për t’u shijuar. Me dy ngjyra dhe një prezantim solemn në pjatë, ishte kulmi i këtij shijimi diellor.

Solein është një përbërës krejtësisht i ri ushqimor, ndaj para se të përdoret në produkte, duhet të marrë miratimin e duhur rregullator. Singapori, si një nga pionierët në inovacionin ushqimor, ishte i pari që i dha dritën jeshile për shitjen e Solein-it. Ky përbërës revolucionar bëri debutimin e tij me një darkë ekskluzive, duke mahnitur entuziastët e ushqimit me shkathtësinë e përdorimit dhe profilin e tij miqësor ndaj mjedisit.

E ardhmja u takon guximtarëve, ashtu si ky ushqim inovativ

 Gazetarët nga e gjithë bota e shijuan këtë përbërje dhe shije të re, të cilën do të doja shumë ta shihja edhe në mes të Prishtinës.

Me përpjekjet e vazhdueshme për të siguruar miratimet rregullatore në tregjet kryesore, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, udhëtimi i Solein sapo ka nisur.

Kuzhina Solein nuk është thjesht një laborator testimi, por një hapësirë ku shkenca përplaset me kreativitetin, ku lindin shijet e para, dhe ku ripërcaktohet se si mund të duket ushqimi në një botë të formësuar nga urgjenca klimatike dhe ndryshimi i dietës.

Hienosti tehty chef Miikka Manninen!

 

Nesër vazhdimi:Zgjidhjet Klimatike nga Finlanda: Nonii Sauna (7)


MË SHUME NGA Në Fokus